Home » Intervistë » Intervistë ekskluzive: me Jonuz Musliun: BASHKIMI ME KOSOVËN I PASHMANGSHËM

Intervistë ekskluzive: me Jonuz Musliun: BASHKIMI ME KOSOVËN I PASHMANGSHËM

Jonuz Musliu, kryetar i Kuvendit komunal në Bujanoc dhe njëherit lider i Lëvizjes së Progresit Demokratik

BASHKIMI ME KOSOVËN I PASHMANGSHËM – thotë   Jonuz Musliu, kryetar i Kuvendit komunal në Bujanoc dhe njëherit lider i Lëvizjes së Progresit Demokratik dhe shton: “Participimi i shqiptarëve në jetën institucionale në Serbi, është i ngadalshëm dhe i sikletmshëm. Një politikë e tillë diskriminuese e Beogradit ndaj shqiptarëve para 11 vjetësh, solli frymën luftarake në Luginën e Preshevës, ku shqiptarët të mllefosur ngjeshën amët dhe u vunë në mbrojtjen e pragut të shtëpisë, të nderit dhe dinjitetit të tyre. Pas kaq vitesh po na përsëritet e njëjta gjendje me metoda të reja politike. E drejta jonë historike dhe politike për bashkim me Kosovën është e drejtë legjitime e konfirmuar me verdiktin e popullit të shprehur në Referendumin e vitit 1992 dhe me luftën çlirimtare të UÇPMB-së. E kemi thënë disa herë se nuk ka zgjidhje tjetër për veç reciprocitetit në mes veriut të Kosovës dhe Luginës së Preshevës”.

 

 

* Si e vlerësoni situatën politike dhe të sigurisë në përgjithësi në Luginë të Preshevës?

 

MUSLIU: Situata politike dhe e sigurisë në Luginë nuk është edhe aq e kënaqshme. Koncetrimi i forcave të armatosura serbe përskaj kufirit shtetëror me Kosovën, arrestimet e shqiptarëve, shpërnguljet në heshtje e kanë ashpërsuar edhe më shumë gjendjen politike në Luginë. Qytetarët kanë frikë se mund të shfaqen përsëri në skenë incidentet, të cilat nuk i kontribuojnë stabilitetit në rajon. Participimi i shqiptarëve në jetën institucionale në Serbi, është i ngadalshëm dhe i sikletshëm. Kjo rrugë institucionale nuk po jep rezultate të kënaqshme sa i përket zgjidhjes politike të problemeve të grumbulluara me vite në këto hapësira të Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës. Kërkesat legjitime të shqiptarëve etnikë, lëre që nuk merren në konsideratë nga organet komunale dhe ato shtetërore të Serbisë, por ato vazhdimisht injorohen, përbuzen dhe  heshtën, thjesht, për motive politike. Një politikë e tillë diskriminuese e Beogradit ndaj shqiptarëve para 11 vjetësh, solli frymën luftarake në Luginën e Preshevës, ku shqiptarët të mllefosur ngjeshën amët dhe u vunë në mbrojtjen e pragut të shtëpisë, të nderit dhe dinjitetit të tyre. Pas kaq vitesh po na përsëritet e njëjta gjendje me metoda të reja politike. E drejta jonë historike dhe politike për bashkim me Kosovën është e drejtë legjitime e konfirmuar edhe me Referendumin e vitit 1992. E kemi thënë disa herë se nuk ka zgjidhje tjetër për veç reciprocitetit në mes veriut të Kosovës dhe Luginës së Preshevës. Po ashtu kemi potencuar se na duhet një forcë e re mbrojtëse, një polici e avancuar profesionale, e cila do të jetë e denjë dhe faktor i stabilitetit në këto hapësira.

 

 

Reciprociteti

 

 

* Këtyre ditëve, janë ngritur zëra nga politikanët në Kosovë dhe rreth saj, për zgjidhjen e dy çështjeve shumë të ndjeshme në mes shqiptarëve dhe serbëve: Veriu i Kosovës dhe Lugina e Preshevës. Deputeti i LDK-së , Lutfi Haziri kërkon kthimin e kufijve historikë dhe natyralë të Kosovës, që kanë ekzistuar deri në vitin 1956, kurse Oliver Ivanoviq, sekretar në Ministrinë për Kosovë, nuk përjashton mundësinë, që serbët nga veriu i Kosovës të shpallin pavarësinë. Cili është komenti Juaj?  

 

MUSLIU: Në njëfarë mënyre deklarata e deputeti Haziri, është vlerësuar pozitive nga disa subjekte politike dhe organizata joqeveritare, që veprojnë në Luginën e Preshevës.  Është e vërtetë se rajoni i Luginës së Preshevës gjatë periudhës së vitit 1956, ka qenë pjesë e Kosvës dhe këtë të dhënë askush nuk guxon ta kontestoj. Me një dialog konstruktiv mes Prishtinës dhe Beogradit mund të rregullohet çështja e kufijve, për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë konflikteve shqiptaro-serbe.  Shqiptarët e Luginës së Preshevës asnjëherë nuk janë shkëputur nga proceset për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme të çështjes shqiptare në këto hapësira. Ndërkaqë, sa i përket deklaratës së Oliver Ivanoviq se “nuk e përjashton mundësinë që serbët nga veriu i Kosovës të shpallin pavarësinë të asaj pjese”, nuk është diçka e re në skenën politike. Ata shumë herë kanë kërkuar bashkim me Serbi, status special, autonomi substanciale etj.  Ne pa u mbështetur shumë në konstatimet e politikanëve rreth këtyre problemeve, e kemi thënë fjalën tonë në Referendum, luftë të armatosur, në Marërveshjen Paqësore të Konçulit, në platformat dhe deklaratat politike të këshilltarëve shqiptarë të tre kuvendeve: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, se kërkojmë reciprocitet me serbët e Kosovës, tjetër alternativë nuk ka.

 

* Meqë u përmend Marrëveshja e Konçulit, çka ka mbetur nga kjo dokument i tillë?

 

MUSLIU: Që nga një marsi i vitit 2001, në Konçul të Bujanocit,  pas një varg konsultimesh, të subjekteve politiko-ushtarake të Luginës së Preshevës, u arrit të bëhet transparent platforma e delegacionit negociues shqiptar, për bisedime me palën serbe, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar. Më 12 mars 2001, u nënshkrua teksti i marrëveshjes për armëpushim, ndërsa, më 7 maj u mor vendimi për çmilitarizimin e Lluçanit dhe Turisë. Marrëveshja e paqes në Konçul, më 21 maj 2001, nuk po përmbushet në praktikë, mosimplementimi i saj i garantuar nga faktorët ndërkombëtarë, paralajmëron kthimin në gjendjen e mëparshme. Sigurimi dhe garantimi i lirive themelore dhe të drejtave individuale e kombëtare të shqiptarëve do të bëhet mbi bazën e dokumenteve relevante ndërkombëtare. Të gjitha kontestet mund dhe duhet të zgjidhen me rrugë politike dhe dialog institucional, intenziv dhe transparent. Akti i nënshkrimit të Deklaratës është në frymën e kërkesave tona të vazhdueshme se asnjë institucion, qoftë edhe ky i Trupit Koordinues, nuk mund të merret me zgjidhjen e problemit të shqiptarëve pa shqiptarët. Ndaj, pjesëmarrjen në këtë institucion shtetëror të restauruar, e kuptojmë pranimin e përgjegjësive nga shqiptarët për t’i lëvizur gjërat nga vendi, të cilat kanë ngecur me mosgatishmërinë e Beogradit për një qasje serioze për zgjidhjen e krizës në këto hapësira. Ndonëse Beogradi nuk e njeh Marrëveshjen Paqësore të Konçulit, ajo i dha fund luftës në Luginë me ndihmën e Këshillit të Natos, Këshillit të Evropës, të cilat kanë qenë garantuese në implementimin e saj.

 

(Pa) përgjegjësia

 

* Po ashtu Këshilltarët shqiptarë të tre kuvendeve kanë aprovuar edhe platformën politike, kërkesat e së cilës akoma po qëndrojnë vetëm në letër. Pse po ndodh kjo?

 

MUSLIU: Këshilltarët shqiptarë të Luginës së Preshevës, të pakënaqur me ngecjet e proceseve politike,  me ecuritë ekonomike në vend, me procesin e privatizimit të pronës shoqërore, me pozitën e pabarabartë në sferën e arsimit, me militarizimin e sërishëm të rajonit e me dëshirë që me mjete politike e demokratike sa më efektivisht t’i tejkalojë këto dukuri, konform standardeve të demokracive të përparuara në botë, miratuan në Preshevë, më 14 janar 2006 Platformën Politike. Dispozitat e përgjithshme të platformës bëjnë të qartë se, “duke rikonfirmuar vullnetin e popullatës të shprehur në Referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, për definimin e Luginës së Preshevës si rajon të posaçëm politik, territorial dhe kushtetues, këshilltarët, në përkrahje të parimeve të Grupit të Kontaktit lidhur me  statusin e Kosovës, obligohen që, në rast të mosrespektimit të këtyre parimeve dhe ndryshimit eventual të kufijve të saj,  do të angazhohen për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën”. Kryesia e Kuvendit Shqiptar të Luginës së Preshevës, do të ketë në kompetencë aprovimin e vendimeve strategjike politike për shqiptarët e këtij rajoni, në këtë kohë të ndryshimeve të shumta që po bëhen në rajon konform Platformës Politike, të miratuar nga Këshilltarët shqiptarë të Luginës së Preshevës, në janar të vitit 2006. Nuk do kisha thënë se kërkesat e këshilltarëve shqiptarë  të tre kuvendeve po qëndrojnë vetëm në letër. Këtë vit e mbajtëm një seancë të këshilltarëve të tre kuvendeve dhe nxorëm një deklaratë politike, me të cilën e njoftuam faktorin vendor dhe ndërkombëtar për gjenden acaruese në Luginë.

 

 

* Para 19 vjetësh shqiptarët e Luginës e organizuan Referendumin e 1 dhe 2 Marsit 1992 për Autonomi me të drejtë bashkimi Kosovës. Ç’u bë me Referendumin, pse nuk realizohet vullneti politik i shqiptarëve për Autonomi?

 

MUSLIU: Edhe pas 19 vjetësh, Referendumi nuk e ka humbur vlerën e vetë, sepse është i mbështetur në verdiktin e popullit. Bashkimi me Kosovën është opsioni më i qëndrueshëm, më i drejtë, çdo zgjidhje tjetër do të jetë vetëm zgjidhje kompromisi. Po, ne veç e kemi Platformën politike të këshilltarëve shqiptarë të kuvendeve komunale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të miratuar më 14 janar 2006. “Duke rikonfirmuar vullnetin e popullatës të shprehur në Referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, për definimin e Luginës së Preshevës si rajon të posaçëm politik, territorial dhe kushtetues, këshilltarët, në përkrahje të parimeve të Grupit të Kontaktit lidhur me  statusin e Kosovës, obligohen që, në rast të mosrespektimit të këtyre parimeve dhe ndryshimit eventual të kufijve të saj,  do të angazhohen për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën”, thuhet mes tjerash në Platformën Politike. Spektri politik i Luginës së Preshevës mbështet Referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, deklaratat dhe platformën politike të këshilltarëve shqiptarë të tre kuvendeve: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme të çështjes shqiptare në këtë rajon.(Intervista është dërguar për botim në gazetën Koha ditore).

2 Responses

  1. Musafiri thotë:

    -Musafiri. vv BOLLNI MO ME KËTO PALLAVRA.(pat than Komandant Lleshi)
    01:01:2012
    Z.Junuz Musliu une zgjodha qe ne kete forme te komunikoj me ju , andaj sinqerisht ju kisha lutur qe kur te jepni intervista sic eshte kjo e fundit mos levizni nga rroli i juaj qe keni pasur dhe qe keni, dhe me ne fund mos boni hajgare me gazetaret, por pergjigjuni ne pytjet e tyre kur ata kerkojn nga ju.( Kuptohet ata nuk bejn pytje per veten e tyre por te gjitha pytjet qe i bejn , i bejn ne emer te popullit dhe ne interesin e tij ).
    Pergjigjet qe ju pi i jepni , aspak nuk kane te bejn me pytjet e gazetarve.
    Mendoj se me keto pergjigje me teper jeni duke ulur nivelin e juaj, dhe nese vazhdoni keshtu at’here nuk ja vlen qe te intervistoheni nga ndonje medium. Ju duhet ta dini se populli ju konsideron si nje politikan i pjekur dhe me përvoj te gjate politike dhe ushtarake ku dalloheni nga politikanet tjer te kesaj ane, ‘Kosoves Lindore ‘ .
    Kur themi keshtu me duhet qe te ju tregoj se kush ishit ju:
    1. Si politikan ju keni vuajtur disa vite ne burgjet Jugosllave.
    2. Ju ishit dikur ne funksion ne trupat mbrojtes te Kosoves.
    3. Ju ishit pjesemarres ne perpilimin e platformes shqiptare te krizes se luftes ne Kosoven Lindore.
    4. Ju ishit anetar i keshillit negociator te marreveshjes Shqiptaro-Serbe.
    5. Ju ishit kryetar i keshillit politik te UÇPMB-se.
    6. Ju ishit komesari politik I SHTABIT TE PERGJITHSHEM TE UÇPMB-se.
    7. Tani ju jeni kryetar i Levizjes te Progresit Demokratik , e cila llogaritet si krahu i luftes e qe tubon rreth vetes shumicen e veteranve te UÇPMB-se.
    8. Ju mos harroni se jeni kryetar i Asamblese komunale te Bujanocit.
    -Andaj per te gjitha keto qe i patet dhe i keni, kuptohet se keto jane meritat meparshme tuat por mos harroni se pa mbeshtjetjen e popullit qe keni mbrapa ato nuk do ti kishit.
    Pergjigjen qe na dhate ju se bashkimi me Kosoven eshte i pashmangshem,ishalla para ne vesh te Zotit e pastaj tek ne,kete shume kohe populli e pret,por perse burr hezitoni te na thoni se kur kjo do te ndodh,duke ditur se çdo fillim e ka edhe mbarimin e saj.
    -Z.Junuz,me duhet te ua perkujtoj nje fjali te komandant Lleshit(Ridvan Qazimi) i cili ne nje moment kishte thene: “Ju politikanet qe 8 vite na ngopet me Pallavra”.Ndoshta nuk e keni harruar daten 26-29 Gusht te viti 2000 kur ju ishit kryetar i K.P te UÇPMB-se dhe patet organizuar se bashku me Ridvan Qazimin nje mbledhje te perbashket te Spektrit politik dhe atij ushtarak ne seline tuaj ne Gjilan.Ju patet ftuar disa delegacione.Delegacionin nga PVD ne krye me Riza Halimin,delegacionin nga PBDSH-ja ne krye me Zeqirja Fazliu,
    delegacionit e kuvendit te referendumit ne krye me Z.Ibrahim Kadriu,delegacionin e shtabit te pergjithshem te
    UÇPMB-se ne krye me Ridvan Qazimin si dhe tere kryesia e keshillit politik te UÇPMB-se,ne krye me ju dhe ju e kryesonit kete takim shume i rendesishem per ate kohe i cili mund te vleresohet si nje kuvend me peshe te madhe
    politiko-ushtarake.Juve duhet t’ju kujtohen edhe pikat e rendit te dites qe dolen per miratim nga keshilli politik dhe ai ushtarak.Ato ishin:
    1.Miratimi i programit dhe statutit te keshillit politik, te UÇPMB-se i perpiluar ne daten 2 Gusht 2000.
    2.Miratimi i deklarates se K.P te UÇPMB-se.
    3.Bojkotimi i zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale te 24 Shtatorit te vitit 2000 te cilat ishin edhe te fundit te Jugosllavise se Millosheviqit.
    Ne kete rast nuk dua te merrem me muhabetet e atij takimi edhe pse eshte e nevojshme te dihet se çka u bisedua qe deri me tash ka mbetur enigme.
    Une pres dhe mendoj se ia vlen qe dikush nga gazetaret ta zhvillon nje bisede me te gjate,kuptohet me mua.
    Lexues te nderuar,ketu do te perfundoja me komentin tim me disa fjale pra te figures me te madhe te kesaj pjese te Kosoves Lindore.Pasi qe me iniciativen e shtabit te UÇPMB-se nen komanden e komandantit Shefqet Musliut dhe komandantet tjere dhe keshilli me politik me ju Junuz Musliu e kishit vleresuar dhe analizuar mire per ta jetesuar referendumin qe e kishin neperkembur partite politike per plot 8 vitet kaluara.
    Duhet te ju kujtohen mire juve propozimet dhe idete e paraqitura nga krahu politiko-ushtarak.
    Çuditerisht ato nuk u mbeshteten nga dy partite politike ne pushtet PVD dhe PBDSH.Keto dyja shkonin edhe me larg sa qe deshten ti nxjerrin nga punimet e mbledhjes delegatet e kuvendit te referundumit,vetem per arsyen se ata u dhane mbeshtetje te plote propozimeve te keshillit politik dhe atij ushtarak por pas reagimeve te shumta te
    kryesise se keshillit politik dhe ushtarak qe u munduan t’i bindin partite politike ato prape se prape nuk u binden.
    -Takimi dy-ditesh u mbyll me reagimin e fundit te Ridvan Qazimit (Komandant Lleshit) i cili ndori dy letrat
    e ato ishin deklarata e perbashket e keshillit politik te UÇPMB-se,dhe ua jep ne dore njeren Riza Halimit dhe tjetren Zeqirja Fazliut duke i porositur:”Merrni keto dhe i paraqitni pa i komentuar para kuvendeve te partive tuaja”.Ai u thote ne sy:”Bollni mo me keto pallavrat tuaja qe i perdorni qe 8 vite dhe manipuloni me referendumin te cilin e perdorni ju vetem kur doni te uleni ne karrikat e majme te Serbise”.
    Dhe shton:”Ta dini se ora eshte 5 minuta para 12 dhe kurre se kemi pas me afer bashkimin me Kosove se tani,
    andaj po ju lus qe mos te beni pregaditje per zgjedhjet e Serbise, se duhet ta dini se gjysma e territorit te Kosoves Lindore eshte nen flamurin kuq e zi te çlirimtareve,por kerkoj nga ju qe bashkarisht ju me politike e ne me pushke te pregaditemi per bashkimin me Kosoven,sepse tash eshte koha e fundit,edhe një do t’ua bejme juve me dije,se në thashte Zoti ne me 28 nentor te vitit 2000 do ta ngrisim flamurin ne Terrnoc.(Dhe kete e beri nje muaj pas).
    Z.Junuz biseda ishte keshtu,pra bashkimi me Kosoven ishte i pashmangshem qysh atehere.
    Andaj ne kete rast une marr guximin qe te paraqes mendimin tim, jo vetem juve si lider i levizjes se progresit demokratik, por dhe lidereve tjere te lugines se bashkimi me Kosoven kurrë s’ka qenë ma afër se tani.Doni apo s’doni ju, popullata këtë e don dhe ajo do ta festoj bashkimin me Kosovën në ditën e 100 vjetorit të pavarsisë se Shqiprisë.
    Pra,kjo do të thotë se AFATI I REFERENDUMIT te 1-2 Marsit të vitit 1992.Skadon më 28 nëntor 2012.
    Pas ksaj date nuk ia vlen më që ju dhe politikanët tjer te luginës të thirreni ne REFERENDUMIN të cilin përplot 20 vite me rradhë,sa herë qe deshet e shfrytëzuat,si limon i shtrydhur.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch