Home » Intervistë, Lajme » INTERVISTË ME Z.AGIM ALIÇKAJ MBI BISEDIMET KOSOVË-SERBI DHE ÇFARË PRITET TË NDODH ME 4 SHTATOR

INTERVISTË ME Z.AGIM ALIÇKAJ MBI BISEDIMET KOSOVË-SERBI DHE ÇFARË PRITET TË NDODH ME 4 SHTATOR

SHQIPTARO-AMERIKANI AGIM ALIÇKAJ: AMERIKA, SHPRESA E KOSOVËS DHE E MBARË KOMBIT SHQIPTAR

LUMTURIJE BEKAJ

Për aktivistin shqiptaro-amerikanin, Agim Aliçkaj, negociatat me Serbinë, janë ndërmarrje e madhe me rëndësi ekzistenciale për të ardhmen e Kosovës, dhe se ato kërkojnë seriozitet, unitet dhe legjitimitet të lartë, për tu realizuar me sukses dhe pranuar nga populli i Kosovës.

Në një intervistë për Telegrafin, z. Alickaj, flet për takimin e 4 Shtatorit në Uashington, takim ky i organizuar me ndërmjetësimin e Ambasadorit Richard Grenell, për rolin e diasporës dhe Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, dhe se çfarë duhet të bëjnë udhëheqësit e Kosovës sot, për negociatat me Serbinë, marrëdhëniet BE-në dhe SHBA-në.

“Duke patur parasysh gjendjen dhe rrethanat e tanishme në Kosovë, Serbi, Evropë dhe Amerikë, mendoj se nuk është e mundur arritja e një marrëveshje finale, të mirë për Kosovën. Kosova e dobësuar nga korrupsioni dhe dështimet e njëpasnjëshme, e përçarë në mënyrë ekstreme, me qeveri të zgjedhur me manipulime partiake, të varur nga Lista Serbe, pa përkrahjen e popullit shumicë, e nxjerrë në shitje nga presidenti Thaçi, dhe kryeministri i Shqipërisë Rama, është në pozitë inferiore ndaj Serbisë”, tha në një intervistë për Telegrafin, shqiptaro-amerikani Agim Aliçkaj, anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, dhe i Këshillit të Federatës PanShqiptare të Amerikës “Vatra”.

Po ashtu, ai flet edhe për kërkesën nga pala kosovare për kompensimin e dëmeve të luftës të shkaktuara nga Serbia, gjetjen e të zhdukurve dhe dënimin e të gjithë kriminelëve të luftës për dhunime dhe vrasje mizore të fëmijëve, grave dhe civilëve të pafajshëm

Sa i përket çështjes që shumë shpesh është përmendur, ajo e ndryshimit të  kufijve, ai theksoi se vetë fakti se pas 12 vjet pavarësie, diskutohet mundësia e faljes së territorit agresorit serb, për ta pranuar njohjen e pavarësisë, paraqet tragjedi kombëtare dhe është dështim i turpshëm i klasës politike udhëheqëse.

Megjithatë, shqiptaro-amerikanin, Agim Aliçkaj, që erdhi në SHBA, nga Deçani i Kosovës, u bë shumë shpejt një nga aktivistët më të përkushtuar në komunitetin shqiptaro-amerikan. 21 vjet pas luftës në Kosovë, ai flet edhe për kontributin e madhe të lobit shqiptar, dhe nevojën e lobit shqiptar për t’iu rikthyer punës në Uashington.

Telegrafi: Z.Agim Aliçkaj, si e vlerësoni takimin  e paralajmëruar të 4 Shtatorit ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë në Uashington më ndermjetësimin e z. Grenell ?

Agim Aliçkaj: Problemi mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të zgjidhet kurrë pa angazhimin serioz të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duhet një forcë shumë e madhe për ta detyruar Serbinë të pajtohet me realitetin se Kosova për te është e humbur përgjithmonë. Amerika, ka qenë dhe mbetet shpresa e Kosovës dhe e mbarë kombit shqiptar. Çfarëdo, takimi që organizohet nga Amerika, duhet të mirëpritet dhe të respektohet. Por, duhet patur kujdes! Amerika është shtet i krijuar nga gati të gjitha kombet e botës, me interesa të ndryshme, me mundësi të influencave nga të gjitha anët. Gjithmonë, ekziston rreziku i depërtimit të armikut tonë te individ apo pjesë të institucioneve amerikane. Prandaj, ne duhet të punojmë shumë për ta siguruar përkrahjen e përhershme. Ngjarjet e fundit, tregojnë qartë se me propagandë dhe lobim shumë të shtrenjtë, Serbia ka arritur të krijojë simpati te Ambasadori Grenell, dhe disa individ të administratës Trump. Ish-këshilltari për siguri kombëtare John Bolton, dhe më në fund vetë ambasadori Grenell, e pranuan se ka marrëveshje për shkëmbim territorial në mes të Kosovës dhe Serbisë. Grenell nuk kishte arsye të refuzoi planin e shovinistit Vuçiç, të përkrahur nga Thaçi dhe Rama, përfaqësues kryesor të tri shteteve në konflikt. Për më shumë, edhe atij i konvenonte një zgjidhje e lehtë e nji konflikti shekullor për interesa personale dhe të kampanjës zgjedhore presidenciale. Por, ai shkoi shumë larg duke përkrahur politikanët e korruptuar në rrënimin e demokracisë, kundër vullnetit të popullit shumicë të Kosovës, për të realizuar një marrëveshje të keqe. Projektin e ndarjes së Kosovës, dhe faljen e kriminelëve të luftës e ndaloi Gjykata Speciale, duke e bërë të njohur aktakuzën kundër Thaçit, por rreziku ende nuk ka kaluar.

Pas rezistencës së fuqishme në Kosovë, troje tjera etnike dhe diasporë të ndihmuar nga qëndrimi i Gjermanisë me lideren e fortë, kancelaren Merkel dhe i disa qarqeve Evropiane, Grenell deklaroi se bisedimet me ndërmjetësimin e tij do te orientohen në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike. Insistimi i tij për mbajtje të këtij takimi para zgjedhjeve të nëntorit në Amerikë, kontaktet dhe bisedat sekrete si dhe deklarata e fundit e Vuçiç se ekziston mundësia e paraqitjes së presidentit Trump në këtë takim, ngjallin dyshim se prapa “bisedimeve ekonomike”, fshihet mundësia e nënshkrimit të marrëveshjes ekzistuese të njohjes reciproke me “përshtatje” të kufijve në favor të Serbisë.

Evropa, duhet të bëhet pjesë e bisedimeve, sepse çfarëdo marrëveshje që arrihet duhet të realizohet nga ajo, por nuk ka forcë për vendime të prera, sepse përbëhet nga shumë shtete me interesa të ndryshme, me të drejtë vetoje. Influenca e Rusisë dhe Serbisë, tek disa shtete Evropiane, është shumë e madhe. Kjo u pa edhe gjatë dekadës së fundit kur Administrata e Presidentit Obama, ia la kompetencat Evropës dhe nuk u arrit asgjë. Nga bisedimet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova pati vetëm humbje ndërsa Serbia, arriti ta avancojë pozitën e vet, me fajin edhe të përfaqësuesve të Kosovës. Asaj iu shtuan shpresat dhe apetitet për grabitje të mëtutjeshme të tokave shqiptare. Se Evropës nuk mund t’i besohet, e tregoi edhe programi tentativë absurd anti-shqiptar, për bisedime i emisarit për negociata Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili parasheh rikolonizim të Kosovës me 250 mijë ardhacak serb, komuna me kompetenca ekzekutive dhe eksterritorialitete të tjera, në përputhje të plotë me dëshirat dhe qëllimet shoviniste ekspansioniste serbe. Kështu, pala kosovare ka të drejtë të kërkojë kthimin e miliona shqiptarëve në Kosovë dhe Serbi, përfshirë edhe Toplicen, Nishin dhe Sanxhakun, të shpërngulur me dhunë nga Serbia në Turqi, dhe vende tjera. Pastaj, duhet të kërkojë të njëjtat drejta ekzekutive për shqiptarët e Kosovës Lindore dhe kudo që ata jetojnë.

Telegrafi: Çka pritni nga ky takim, a mendoni se do të ketë përafrim të bisedimeve, për një arritje të një marrëveshje përfundimtare mes dy shteteve?

Agim Aliçkaj: Duke patur parasysh gjendjen dhe rrethanat e tanishme në Kosovë, Serbi, Evropë dhe Amerikë, mendoj se nuk është e mundur arritja e një  marrëveshje finale, të mirë për Kosovën. Kosova e dobësuar nga korrupsioni dhe dështimet e njëpasnjëshme, e përçarë në mënyrë ekstreme, me qeveri të zgjedhur me manipulime partiake, të varur nga Lista Serbe, pa përkrahjen e popullit shumicë, e nxjerrë në shitje nga presidenti Thaçi, dhe kryeministri i Shqipërisë Rama, është në pozitë inferiore ndaj Serbisë. Serbia, me qeverisje të fortë të dalur nga zgjedhjet e qershorit, e përkrahur nga Rusia, Kina dhe disa shtete Evropiane, me simpati nga Amerika, arrogante si kurrë më parë, është në ofensivë armiqësore ndaj Kosovës. Evropa, si gjithmonë e ngërthyer nga kundërthëniet dhe interesat e shteteve të ndryshme, nuk ka forcë unike të veprimit. Amerika, e futur në fushatë zgjedhore, e ballafaquar me probleme ekonomike të shkaktuara nga Covid-19, e ngarkuar me shumë probleme të tjera botërore, ajo nuk ka interes për ta përdorur gjithë fuqinë e vet, në zgjidhjen e drejtë përfundimtare të konfliktit midis Kosovës dhe  Serbisë.

Situata e shkaktuar nga virusi është në favor të politikanëve dhe njerëzve të  këqij, sepse ata nuk e kanë problem të veprojnë. Gjëja më e mirë që mund të presim nga ky takim është që të mos nënshkruhet ndonjë marrëveshje e dëmshme për Kosovën. Negociatat për marrëveshje ekonomike janë të pranueshme për t’ja bërë qejfin administratës aktuale. Meqë, qeveria Hoti ia plotësoi të gjitha kërkesat ambasadorit Grenell, duke ia dorëzuar sovranitetin e Kosovës, do të ishte mrekulli e shekullit, që ai të ia kthejë me të mirë dhe ta bindë Serbinë ta njohë pavarësinë e Kosovës në kufijtë ekzistues, sepse zgjidhje tjetër nuk ekziston. Kjo do të mund të ndodhte vetëm nëse te Vuçiç dhe shovinistët tjerë serb, mbizotëron arsyeja mbi urrejtjen për shqiptarët, dhe nëse Serbia e vlerëson realitetin se ky është momenti më i mirë për të, për tu liruar nga problemi i Kosovës duke u bërë mirë me Amerikën. Nëse nuk ndodhë kjo mrekulli, atëherë është në interes të Kosovës, që bisedimet të zhargiten apo shtyhen deri në përfundim të zgjedhjeve në Amerikë, dhe realizimin e zgjedhjeve të reja në Kosovë.

Negociatat me Serbinë, janë ndërmarrje e madhe me rëndësi ekzistenciale për të ardhmen e Kosovës. Ato kërkojnë seriozitet, unitet dhe legjitimitet të lartë për tu realizuar me sukses dhe pranuar nga populli i Kosovës. Zgjedhjet e lira, janë forma më e lartë e zhvillimit të demokracisë, dhe krijimit të legjitimitetit qeverisës.  Janë e vetmja mënyrë për ti kontrolluar dhe detyruar politikanët dhe partitë e tyre, të bëjnë ndryshime dhe të punojnë mirë në interes të forcimit të shtetit.

Telegrafi: Shpesh është përmendur ndryshimi i kufijve. Vlerësimi i juaj!?

Agim Aliçkaj: Përgatitja dhe njohja e pavarësisë së Kosovës nga Amerika dhe Evropa në vitin 2008, nuk u bë për t’i plotësuar dëshirat e shqiptarëve, u bë sepse Serbia ushtroi gjenocid mbi popullin shqiptar. Kosova, ishte njësi federale e ish-Jugosllavisë me territor dhe kufij të përcaktuar qartë. U vlerësua si rast i drejt ”sui generis” edhe nga Gjykata e Drejtësisë në Hagë. Pra, nuk mund të aplikohet askund dhe asnjëherë tjetër. Nëse do të lejohej një gjë e tillë, Evropa dhe bota do të bëhej lëmsh. Krijimi i shteteve të pastërta etnike, është në kundërshtim me vlerat dhe politikat evropiane dhe amerikane. Pakica serbe në Kosovë, nuk ka kurrfarë baze legale për të kërkuar bashkim me Serbinë, sepse i gëzon të gjitha të drejtat njerëzore dhe nacionale. Në të vërtetë, ajo është e privilegjuar dhe të njëjtat të drejta dhe privilegje duhet t’i takojnë edhe popullit shqiptar në Serbi.

Kërkesa e Serbisë për ndryshim kufijsh, është përzierje flagrante në punët e brendshme të shtetit të Kosovës. Nuk është dashur kurrë të pranohen negociata për serbët në Kosovë, pa i futur në agjendë shqiptarët në Serbi. Vetë fakti se pas 12 vjet pavarësie diskutohet mundësia e faljes së territorit agresorit serb, për ta pranuar njohjen e pavarësisë, paraqet tragjedi kombëtare dhe është dështim i turpshëm i klasës politike udhëheqëse. Ata nuk dëshirojnë ta kuptojnë se edhe nëse i falet Veriu, Serbia nuk do të kënaqet dhe nuk do të ndalet deri në shkatërrimin e plotë të Kosovës.

Etja e nomadëve serb për grabitje të tokave të tjerëve nuk shuhet lehtë. Atyre ju duhen thyer dhëmbët si në vitin 1999, me të gjitha mundësitë dhe në të gjitha mënyrat. Kombi shqiptar në trojet etnike në Ballkan, me diasporën e fuqishme, me veprim dhe organizim unik, ka forcë të mjaftueshme për ta mundur Serbinë. Ndërmjetësuesve  amerikan dhe evropian, me argumente, në mënyrë të urtë dhe diplomatike duhet bërë e qartë. Kosova nuk ka asgjë për t’i dhënë  Serbisë më, dhe pikë. Nuk është fundi i botës, nëse Serbia nuk e njeh Kosovën. As Kosova nuk e njeh Serbinë, dhe jeta vazhdon. Vetë presidenti Ahtisaari në intervistë për “Vecernji List” të Zagrebit në vitin 2012, pati deklaruar: “Serbia ta njohë Kosovën ose të shkojë në Rusi”. Cili do politikan dhe pjesëmarrës në negociatat e ardhshme me Serbinë kriminale shoviniste, në Amerikë apo Evropë, që e hapë çështjen e “korrigjimit, ndryshimit apo përshtatjes” së kufirit për të siguruar njohje nga ajo, është pa kurrfarë dyshimi anit-shqiptar, anti-amerikan, anti-evropian dhe anti-njerëzor. Për më shumë, përfaqësuesit e Kosovës, legjitim apo jo, nëse e lejojnë një gjë të tillë, do të regjistrohen në librin e turpit dhe tradhtisë kombëtare.

Telegrafi: A mendoni se në këto bisedime pala kosovare do të kërkoj kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga  Serbia në Kosovë për të zhdukurit dhe  për gratë e dhunuara gjatë luftës?

Agim Aliçkaj: Kërkesa për kompensimin e dëmeve të luftës të shkaktuara nga Serbia, gjetjen e të zhdukurve dhe dënimin e të gjithë kriminelëve të luftës për dhunime dhe vrasje mizore të fëmijëve, grave dhe civilëve të pafajshëm, është e drejtë humane, njerëzore, morale dhe shpirtërore e patjetërsueshme. Serbia, është bombarduar nga NATO, për tu ndjekur nga Kosova por, nuk është dënuar si duhet për krimet dhe tragjeditë e shkaktuara. Ajo është ende e sëmurë nga urrejtja për shqiptarët dhe kombet tjera. Duhet bërë “denazifikimi” i saj. Ky është edhe një dështim tjetër i komunitetit ndërkombëtar dhe zyrtarëve të Kosovës, të cilët për interesa personale dhe servilitet ndaj të huajve, nuk kanë insistuar në një gjë legjitime plotësisht të kuptueshme dhe të pritshme.

Shikoni popullin hebre, ata edhe 75 vjet pas Holokaustit i përkujtojnë viktimat duke shënuar dhe bërë publike datat e rëndësishme. Do të ishte mire, që gazetarët hulumtues, historianët dhe publicistët shqiptarë të bëjnë përmbledhje dokumentare në broshura të shkurtra, të krimeve dhe ngjarjeve në gjuhën angleze, të cilat duhet të shpërndahen kudo dhe të merren nga përfaqësuesit e Kosovës në çdo takim të tyre. Është i pafalshëm lejimi i Serbisë të paraqitet si viktimë. Është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm, barazimi në mes të agresorit dhe viktimës.

Telegrafi: Si e vlerësoni, letrën e dërguar nga komuniteti shqiptar në Amerikë, për një konferencë të përbashkët  para takimit të 4 shtatorit?

Agim Aliçkaj: Mërgata shqiptare, sidomos në Amerikë, ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në arritjen e pavarësisë së Kosovës dhe avancimin e çështjes kombëtare. Pas çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ajo është lënë pasdore nga shtetet dhe trojet tona me takime formale, lëvdata dhe mirënjohje të parëndësishme për njerëz lojal të politikanëve në qeverisje. Aktiviteti dhe lobimi është dobësuar, duke menduar dhe shpresuar se qeveritë e vendeve tona do të kryejnë detyrat e tyre si duhet në punët e jashtme. Meqë, po shihet qartë se ekzistenca e shtetit të Kosovës është e rrezikuar, mërgata dëshiron ta jep kontributin e saj për t’i mbrojtur interesat jetike kombëtare.

Çdo aktivitet në këtë drejtim meriton të vlerësohet, edhe pse formati për një konferencë të përbashkët vështirë se mund të realizohet me sukses. Po ashtu, komuniteti shqiptar në Amerikë, është i përbërë nga individ, shoqata dhe organizata të ndryshme me qëndrime të ndryshme, dhe askush nuk mund të pretendoi se e përfaqëson komunitetin. Dëshira për bashkim dhe unifikim të komunitetit ka qenë dhe është prezentë, por kjo mbetet për të ardhmen.

Kohëve të fundit vërehen përpjekje nga ambasadori Grenell, për të gjetur përkrahje në komunitet për qëndrimet dhe veprimet e tij. Pavarësisht nga deklaratat e përgjithësuara dhe të paqarta të disa individëve, diaspora shqiptare, sidomos kjo në Amerikë, është kundër lojës me kufij të shtetit të Kosovës. Mendoj, se veprimi lobist në Uashington për t’i afirmuar interesat kombëtare shqiptare dhe influencuar institucionet e larta është i pazëvendësueshëm. Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e udhëhequr nga ish-kongresisti i mirënjohur me prejardhje arbëreshe Joseph J. DioGuardi, dhe Këshilltarja për çështje Ballkanike Shirley Cloyes Dioguardi, është i vetmi lobi i regjistruar zyrtarisht me përvojë dhe aftësi për të vepruar me sukses. Natyrisht, që individ dhe subjekte tjera mund të krijojnë kontaktet e tyre sipas mundësive dhe aftësive të tyre. Me rëndësi është që secili ta kryej punën e vet pa e luftuar njëri-tjetrin.

Meqë, jemi para zgjedhjeve është e domosdoshme që shqiptarët me shtetësi amerikane ,urgjentisht të regjistrohen si votues dhe të organizohen sipas bindjeve të tyre në të dyja kampanjat, atë republikane dhe demokrate, sidomos në shtetet që kanë rëndësi, të quajtura “swing states”. Sukseset tona të mëdha në të kaluarën, janë arritur duke punuar me të dyja partitë politike amerikane. Përpjekjet e Serbisë për ta përvetësuar Uashingtonin do të dështojnë. Amerika ka qenë dhe do të mbetet me popullin shqiptar, sepse çështja e jonë është e drejtë dhe interesat strategjike të kombit amerikan dhe shqiptar përputhen plotësisht./Telegrafi/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch