Home » Kulturë » Intervistë në gazetën MAPO – Ka ende shpresë për Esperanton

Intervistë në gazetën MAPO – Ka ende shpresë për Esperanton

Blerina GjokaIntervistoi Blerina Gjoka

Bardhyli

Bardhyli

 

Gazeta MAPO

Pyetje:

Qysh lindi mendimi për ta përkthyer librin e Walter Zhelaznit në Esperanto?

Përgjigje:

Më se një vit më parë, e vizitoi Universitetin Evropian të Tiranës z. Tomasz Chmielik nga Swidnik, Poloni. Ai sugjeroi që të përkthehet në shqip libri i Zhelaznit, që kishte qenë botuar në polonisht dhe Esperanto. Autori trajtonte në atë libër probleme të etnolinguistikës, përfshi edhe shqipen. Rektori z. Tonin Gjuraj e pranoi këtë ide.

Pyetje:

Si jeni njohur me Esperanton?

Përgjigje:

Gjuhën e kam mësuar në fund të vitit 1961, duke qenë 16 vjeç. kur u hap një kurs në shtëpinë e kulturës të qytetit. U habita që, pas tre muajsh, munda të shkruaj letra të thjeshta, ndërsa në anglisht dhe rusisht kjo qe e mundëshme vetëm pas dy vitesh! Korrespondenca gjatë periudhës së komunizmit ishte e kufizuar por pas 1990 u krijua Shoqata Esperantiste Shqiptare, e cila hapi kurse të ndryshme.

Pyetje:

A janë të shumtë njerëzit në vendin tonë që e flasin këtë gjuhë?

Përgjigje:

Në kurset tona kanë marrë pjesë disa qindra studentë e nxënës. me keqardhje pas vitit 2010, kur shqiptarët mundën të lëvizin pa viza nëpër Evropë, interesi për gjuhën ra. Megjithatë ideja e Esperantizmit është gjeniale, sepse u mundëson njerëzve të etnive të ndryshme të mirren vesh mes vedi lehtë dhe pa përdallime. Nga ana tjetër, ne propagandojmë tezën që esperanto ndihmon për t’i nxënë më shpejt dhe më qendrueshëm gjuhët e tjera kombëtare, në se nxënësit e mësojnë më parë atë në shkollën fillore, sepse ajo është një gjuhë me struktura të qarta gramatikore, tepër fonetike dhe me një leksik pjesërisht të njohur nga të gjithë, sepse përfshin fjalë të pranuara ndërkombëtarisht, si muziko, sporto, radio, socialismo, kapitalismo etj etj.

Pyetje:

Përse ideja e Esperantos dështoi si gjuhë e Bashkimit Evropian?

Përgjigje:

Kjo nuk është e vërtetë. Esperanto ka pasë synimin jo vetëm për Evropën, por për tërë botën. BE ka tashmë valutën e vet, kufijtë shtetërorë të veta, por ka nëvojë për një gjuhë zyrtare të përbashkët. Prandaj ne përpiqemi që Esperanton ta bëjmë fillimisht gjuhë zyrtare të Evropës. Por kjo do vihet në jetë kur shumica e deputetëve të Parlamentit Evropian ta pranojnë atë. Deri tani ata nuk kanë arritur të pranojnë, si të tillë, asnjë nga gjuhët kombëtare që fliten në BE.

Pyetje:

Mos vallë esperanto synon ta kthejë njerzimin në kohën para Babelit?

Përgjigje:

Gjuha e vetme para Babelit është një legjendë biblike, megjithatë tepër interesante. Por esperantistët nuk e trajtojnë atë për qëllime globalizimi, për të përvetësuar gjuhët kombëtare. përkundrazi, esperanto përpiqet t’i ruajë gjuhët kombëtare dhe të pakicave, të cilat kanë një vlerë të jashtëzakonshme. Ne deklarojmë që, brenda etnisë, njerëzit të flasin gjuhën e tyre, ndërsa pjesëtarët e etnive të ndryshme të mirren vesh përmes esperantos. Vetë esperanto do të thotë njeriu që shpreson për një botë pa përdallime gjuhësore por me larmi gjuhësore e kulturore.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress