Home » Lajme, Rajonale » Ish-anëtarët e Konferencës së Rambujesë: duhet të flitet edhe për problemin e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit

Ish-anëtarët e Konferencës së Rambujesë: duhet të flitet edhe për problemin e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit

Ish-anëtarët e Konferencës së Rambujesë nuk dëshirojnë që të paragjykojnë epilogun e bisedimeve Kosovë-Serbi, ndërkaq tërheqin vërejtjen se çdo dalje nga dokumenti i dizajnuar nga Martti Ahtisari do të nxjerrë në pah probleme të paparashikueshme edhe për rajonin. Sipas tyre, veriu i Kosovës në asnjë formë nuk guxon të jetë temë e bisedimeve në nivelit të lartë politik që është paralajmëruar se do të vazhdojnë në nëntor. “Nuk mund të bisedohet për çështje të brendshme të Kosovës me një faktor të jashtëm. Nëse tentohet që problemi i veriut të shtrohet në tavolinën e bisedimeve, atëherë pashmangshëm duhet të flitet edhe për problemin e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Veriu dhe Kosova Lindore janë çështje ekuivalente, për të cilat duhet gjetur solucione ekuivalente. Nuk mund të trajtohen problemet e njëjta me kute të ndryshme”, thonë anëtarët e delegacionit kosovar, që para se më shumë se një dekadë morën pjesë në Konferencën e Rambujesë, e cila rezultoi me marrëveshje për paqe në Kosovë. Trembëdhjetë vjet pas kësaj konference që është cilësuar historike, njëri nga pjesëmarrësit e saj, që në atë botë ishte pjesë e grupit nga Partia Parlamentare, Bajram Kosumi, por që në vitin 2005 u zgjodh edhe kryeministër i Kosovës është shprehur në favor të bisedimeve Kosovë-Serbi, porse s’ka dashur të paragjykojë epilogun e këtij dialogu. “S’ka asnjë arsyeje që Kosova duke pasur probleme aq të mëdha siç i ka me Serbinë, të thotë se nuk dëshiron të bisedojë me Beogradin. Është e kundërta, ne duhet të kërkojmë bisedime për t’i zgjidhur problemet tona”, ka thënë Kosumi për gazetën “Zëri” përmes telefonit. Madje, sipas ish-kryeministrit kosovar, Qeveria e Kosovës duhet të gjejë formë që të gjitha temat, të cilat janë për t’u dialoguar me Serbinë t’i nxjerr në tavolinën e bisedimeve dhe në këtë drejtim të hartojë listën e temave qofshin ato 100 sosh, duke inkorporuar këtu edhe çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit./A.B/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch