Home » Lajme, Vendore » Ish kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko ka thënë se institucionet e Kosovës nuk duhet t’i japin shumë rëndësi procesit të dialogut me Serbinë

Ish kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko ka thënë se institucionet e Kosovës nuk duhet t’i japin shumë rëndësi procesit të dialogut me Serbinë

Ai ka thënë se ky proces nuk duhet mbingarkuar dhe duhet të shihet vetëm si komunikim për të diskutuar interesat e shqiptarëve në Serbi dhe të minoritetit serb në Kosovë. “E shoh si një dialog i cili nuk ka pse të vendoset në qendër të marrëdhënieve të ekzistencës të së ardhmes së Kosovës. Mendoj se duhet t’i pohojmë vetes se strategjia e Serbisë për dialogun me Kosovën ka një tendencë të qartë për ta kthyer këtë dialog në atë që Kosova është një shtet eksperimental dhe i përkohshëm. Kështu që, duke qenë të kujdesshëm në këtë logjikë, nuk besoj se do të kemi logjika shteruese në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit”, tha Majko për KTV. Sipas Majkos, nuk duhet lejuar që Serbia nëpërmjet çështjes së veriut ta paraqesë Kosovën si shtet eksperimental. Po ashtu, Majko theksoi se procesi i përmbylljes së pavarësisë mbetet një fazë tjetër e rëndësishme për Kosovën. “Fundi i mbikëqyrjes ka të bëjë në radhë të parë me mënyrën se si do sillemi me veten tonë, mënyrën se si do sillen institucionet e Kosovës me situatën e re dhe me statusin që ndërkombëtarët do t’i njohin në vazhdim. Është një status i cili nuk do të ketë të bëjë me mbylljen apo largimin e një personi, si zoti Faith, por ka të bëjë me mënyrën e vet se si do të perceptohet nga ndërkombëtarët veprimi i Qeverisë së Kosovës në marrëdhëniet me të tretët”, ka thënë Majko.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch