Home » Lajme, Vendore » Ismet TAFILI: Reportazh nga Takimi i Vendlindjes “Priboci 2012”

Ismet TAFILI: Reportazh nga Takimi i Vendlindjes “Priboci 2012”

Në Priboc u mbajt  “Takimi i Vendlindjes Priboci 2012”

 

Kanë kaluar 13 vite që kur banorët e fshatrave të Malësisë së Bujanocit  u dëbuan nga regjimi i Millosheviqit. Që prej atëherë, përkundër përpjekjeve të organizmave ndërkombëtarë, pushtetit lokal, shoqatave e këshillave të fshatrave nuk është arritur të bëhet diçka në rregullimin e infrastrukturës në këto fshatra dhe në krijimin e kushteve, në mënyrë që të ndikojnë në kthimin e banorëve në vatrat e veta. Ndërsa, ndikim negativ, në kthimin  dhe tentim investimin  dhe ndërtimin e rindërtimin e shtëpive të atyre familjeve që kanë mundësi të investojnë e rindërtojnë, është prania e madhe e xhandarmërisë  dhe frika e ndonjë përsëritje të skenave të mëparshme maltretimi  të shqiptarëve.

Megjithatë përpjekjet për të mos e harruar vendlindjen gjithmonë kanë ekzistuar, si duke u kthyer ndonjë familje aty këtu, duke kërkuar nga ndërkombëtarët e komuna që të investojnë e ndihmojnë  këtë rajon, duke organizuar takime të vendlindjes  e forma tjera të sensibilizimit.

Në vazhdën e këtyre veprimtarive, edhe kulturore, siç janë takimet e Vendlindjes, edhe këtë vit fshati Priboc në bashkëpunim me komunën e Bujanocit, përkatësisht me drejtorin e shtëpisë së Kulturës kanë organizuar takimet e katërta me radhë: ”Takimet e Vendlindjes Priboci 2012”

 

Numri i pjesëmarrëseve në këtë takim ishte më i vogël për faktin e pengesave që janë duke u paraqitur në punktet kufitare të Serbisë, pasi pushteti serb nuk lejon të kalohet me tabela KS e RKS,  përveç në pikat kufitare në Merdare e Konçul. Këto pengesa ndodhën edhe ditën e  Takimeve tradicionale të fshatit Priboc,  më 22. 7. 2012, në punktin policor në Muhoc, ku për dy orë  një numër i banorëve pribocas  nuk u lejuan të dalin e t’i vizitojnë shtëpitë e varret e tyre dhe të zhvillojnë aktivitet kulturor në takimet e vendlindjes që tashmë janë bërë tradicionale. Por, angazhimi i kryetarit të komunës së Bujanocit, i  drejtorit të Drejtoratit për Urbanizëm dhe Ndërtim, Agim Haliti dhe drejtorit të shtëpisë së Kulturës Bajram Fejzullahu si dhe këmbëngulësisë së banorëve pribocas u arrit ujdia që të kalojnë të gjithë pjesëmarrësit e takimit të vendlindjes.

Pluhuri dhe rruga, pjesëmarrësit, i përcolli deri në vendin  e mbajtjes së takimit. “Te Kisha” në Priboc. Pasi ishin vonuar më shumë se dy  orë, manifestimi filloi menjëherë. Muzika shqipe që dëgjohej nga altoparlanti, mbushi kodrinat e fushat e gjelbëruara e të bukura të fshatit Priboc. Të gjithë pjesëmarrësit ishin të gëzuar e njëkohësisht të mallëngjyer për vendlindjen e tyre.

Më pas jehoi zëri i konferenciereve Adelinë Dervishi dhe Shkurte Idrizi të cilat pasi përshëndetën banorët  dhe zyrtarët komunal ftuan Kryetarin e Këshillit të fshatit Mefal Sadiku për një fjalë rasti.

Ai ndër të tjera tha se, fshati Priboc, sipas disa dokumenteve përmendet  që nga viti 1455 që kishte tri shtëpi dhe si për koincidencë, sot, pas 557 viteve  rrugëtim e jetë,  tymojnë,  bëjnë dritë e roje në këto troje stërgjyshore  përsëri tri shtëpi: e Hafiz Musliut, Hamdi Krasniqit dhe e Rexhep Hajdinit. Ky pakësim e rritje e familjeve janë pasoja të shumë faktorëve politik e ekonomik.  Shpresojmë se në të ardhmen, me vullnetin e të gjithëve ky fshat  do të rritet e do të rikthehet jeta si dikur tha ai.

Në emër të komunës së Bujanocit, manifestimin e përshëndeti drejtori i shtëpisë së Kulturës së Bujanocit z. Bajram Fejzullahu i cili tha se është hera a parë  që e vizitojë këtë fshat, prandaj po ju them se ne si pushtet lokal  do  ta përkrahim më shumë, por punët duhet të koordinohen sa më mirë që është e mundur.

Në manifestim mori pjesë edhe drejtori i Drejtoratit për Urbanizëm dhe Ndërtim, z. Agim Haliti i cili në fillim urojë të gjithë pjesëmarrësit që kanë dal sot këtu  e posaçërisht përgëzoi tri familjet që po e mbajnë gjallë këtë fshat.

Ne patëm vështirësi që të vijmë deri këtu, por me angazhimin e të gjithëve ia dolëm  t’i kalojmë këto. Unë po ju premtoj së do  të angazhohemi që të rregullojmë infrastrukturën, do të ndërtojmë edhe në këtë fshat e në fshatrat tjera të Malësisë, sikurse kemi filluar ta asfaltojmë rrugën në Muhoc e cila së shpejti do të përfundojë tha ai.

Mirëseardhje në fshat, bashkatdhetarëve të vet, në këtë ditë të bukur vere u uroj njëri nga banorët e paktë të fshatit Hafiz Musliu. Emocionet dhe mallëngjimi  që kishte kur kishte parë bashkatdhetarët, ia zunë fjalët në fyt.

Manifestimin e përshëndeti edhe Shaban Bajrami banor i fshatit Muhoc dhe kryetar i shoqatës “Guri i Zi” në Zvicër, i cili rastësisht, duke kaluar pjesëmarrësit e manifestimit nëpër Muhoc, u bashkëngjitë me veturën e tij dhe qëndroi në Priboc deri sa u përmbyll manifestimi.

 

Manifestimin e përshëndeti edhe veterani i arsimit nga fshati Priboc  i cili tashmë jeton në Bujanoc, z. Xhavit Selmani.

Djemt e vajzat me prejardhje nga fshati Priboc kishin përgatitur edhe recitime. Për fshatin Priboc recituan, Ilir Selmani, Shkurte Idrizi, Genc, Petrit, Teutë e Artan Tafili dhe Redon Dervishi

 

Manifestimin e madhështuan interpretimi i valleve popullore shqiptare të shoqërisë Kulturo artistike “Zëri i Luginës” nga Bujanoci. Ata përveç programit që kishin përgatitur enkas  për këtë rast, vallëzuan së bashku me banorët e fshatit deri në përmbyllje të manifestimit.

Pjesa e fundit e programit kulturor ishin garat në vrapim, hedhje të gurit  dhe mundje të  duarve, të cilat i udhëhoqën Dervish Dervishi  dhe Ekrem Haliti.

Këto gara, përveç ndjenjës së kënaqësisë dhe shprehjes edhe të humorit, patën edhe karakter garues. Kështu në garën e vrapimit, vendin e parë e zuri Petrit Tafili, të dytin Sokol Tafili, ndërsa të tretin e zuri Fitim Fazliu.

Në hedhjen e gurit vendin e parë e zuri Rabit Dervishi, të dytin Dervish Dervishi, kurse të tretin Enver Idrizi.

Në fund të manifestimit, Hafiz Musliu, në odën e tij shtroi ushqim tradicional, njëherit me banorët e këtij fshati së bashku me dy drejtorët ( i shtëpisë së Klturës dhe të drejtoratit për Urbanizëm dhe Ndërtim) zhvilluan një takim, ku u paraqitën kërkesat dhe nevojat   elementare për fshatin.

 

22.7.2012

One Response

  1. ibo-ja Shrrn thotë:

    Ju përgzoj për organizimin dhe mbajtjen e takimit të vendlindjes (Pribovci), dhe vetem vazhdoni ashtu , që mos të shuhet malli për vendlindje dhe vatan përshenndetje.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch