Home » Lajme » Ismet TAFILI: Reportazh vjeshte nga Malësia e Bujanocit

Ismet TAFILI: Reportazh vjeshte nga Malësia e Bujanocit

Shkruan: Ismet TAFILI

 

 

 

Reportazh vjeshte nga  Malësia e Bujanocit

 

 Në fshatin Priboc nuk është shuar jeta

Familja  e Hafiz Musliut dhe e Hamdi Krasniqit, ashtu siç janë bujar të gjithë malësorët, na pritën të qeshur  e të gëzuar. Sofra e mbushur me ushqim tradicional e përgatitur nga familja e Hafiz Musliut: fli, kos e qumsht, e biseda e ngrohtë na ktheu prapa në kohërat kur fshati ishte plot me banorë

Ditë vjeshte. Natyra ka marrë pamjen  e verdhë, ngjyrë ari, e ari siç e dimë është shumë i çmuar. Në qytete, nëse gjykojmë se vjeshta ka ardhur nga  ngjyra e verdhë që merr natyra nuk do ta dimë se ka ardhur vjeshta, sepse qytetet janë të mbuluara me beton, por poqese largohemi nga qyteti na del përpara pamja e vjeshtës.

E diel. Ditë vikendi, por të ndjekurve nga fshatrat e Malësisë së Bujanocit nuk u rrinë shpirti i qetë, i kujtojnë vatrat e tyre. Edhe pribocasit e ndjekur e të shpërngulur  në periudha të ndryshme kohore  nuk mund ta harrojnë vendlindjen e tyre. Ata kohëve të fundit  të organizuar në Këshillin e fshatit që vepron në Gjilan e Priboc janë angazhuar që fshati i tyre mos të mbetet i harruar, i humbur. Për këtë kanë organizuar takimet e vendlindjes, rregullimin e rrugës së fshatit dhe po mundohen  që nëpërmjet bashkatdhetarëve dhe komunës së Bujanocit  të krijojnë kushte për vazhdimin e jetës aty. Sot në këtë fshat jetojnë: familja e Hafiz Musliut, Hamdi Krasniqit dhe Rexhep Hajdinit.

Tentimet e kohëpaskohshme të organizatave të huaja, komunës e banorëve të kësaj ane që të krijohen kushte normale për jetë deri më tash nuk kanë dhënë rezultate, ngaqë ndihma serioze nga pushteti i Serbisë ka munguar. Dhe jo që janë përmirësuar kushtet për jetesë në këtë Malësi, por edh pas 12 vjet ndjekje nga këto treva, shikuar në përgjithësi, numri i banorëve është pakësuar. P.sh. Breznica, Muhoci e fshatra tjera, pothuajse kanë mbetur të boshatisura.

Grupi prej 4 vetash, përkatësisht kryetari i Këshillit të fshatit, Mefail Sadiku me anëtarët  Ismet Tafili, Nevzad Abdullahu e Mefail Jonuzi, për të arritur deri në fshatin Priboc, që ishte caku i vizitës së sotme, domosdoshmërish duhet të kalojnë përmes punktit të policisë serbe e cila është e vendosur në pikën  e Muhocit.

Aty na ndalin policë shqiptarë e  serbë të cilët nuk na lejojnë të kalojmë me automjete me targa RKS. Deri më tash kjo nuk  ka ekzistuar, pra që në fillim cenohet e drejta e lëvizjes së lirë, nuk na lejohet që lirshëm të vizitojmë farefisin e vatrat tona.

Kjo pengesë na detyron që të kërkojmë zgjidhje tjetër. Thërrasim Dalush Musliun nga fshati Priboc që të na marrë me automjet me tabela KS.

Duke kaluar nëpër Muhoc vërehej një heshtje. Britma e fëmijëve, zhurma e traktorëve, puna në ara, qarkullimi njerëzve në rrugë e në shitore nuk ishte si dikur. Siç mësuam nga një banor, kjo është, ngase në këtë fshat kanë mbetur shumë pak qytetarë.

Rruga gjarpërore 6 kilometërshe  nga Muhoci  deri në Zarbicë është e pa asfaltuar, edhe pse thuhet se qysh në vitet e ’80 të shek XX në dokumentet e ish Jugosllavisë kjo rrugë është asfaltuar. Ato, mjete financiare, si  duket janë investuar tjetër kund. Duke e ditur qëllimin e pushtetit  të atëhershëm edhe të mëvonshëm antishqiptar, nuk  është  investuar asnjëherë në këto anë, me të vetmin qëllim që populli shqiptar të largohet  sa më shumë.

Te përroi i Kevës, në pjesën jugore të fshatit  Priboc, na ndalet fryma. Për një moment na del një pamje e zymtë. Janë djegur pishat e fshatit, gjelbërimi i përhershëm e këtij fshati. Nga Dalush Musliu mësojmë se  para disa ditësh ky mal është djegur, nuk e dimë si ka ardhur deri te kjo, po ajo që dihet është se një pjesë e malit është djegur, që për një kohë të gjatë nuk mund të riparohet ky dëm. “Për ta fikur zjarrin na kanë ardhur në ndihmë edhe nga Bujanoci. Në përpjekje  për ta fikur zjarrin ka vdekur edhe një ish banor i Pribocit, Gani Latif Ramdani”- na thotë Dalushi.

Fillimi i rrugës që na shpie në Priboc, ka një pjerrëtësi të madhe  e cila vështirë kalohet me automjete të vogla. Këtë pjesë të rrugës duhet riparuar  ose gjetur një drejtim tjetër, sepse gjithëmonë fshati ka pasur probleme. Për të lehtësuar qarkullimin normal dhe për të menduar dikush që të kthehet, së pari duhet të rregullohet kjo pjesë e rrugës. Për çudi pjesa tjetër e rrugës ishte mbajtur mirë, por duhet ditur se banorët që janë duke jetuar aty, por edhe të tjerët kohë pas kohe kanë mirëmbajtur dhe kanë investuar në të. Për të rregulluar si duhet duhet të intervenojë komuna.

Posa dalim te varrezat, aty afër ku është ngritur edhe pllaka identifikuese e fshatit, hasim automjetin-xhip dhe persona që kishin armë dhe veshje që i ngjanin teshave ushtarake.

Edhe pse nga ata banorë  të paktë të fshatit mësuam se ata janë gjuetarë dhe dalin kohë pas kohe këtu për gjueti, megjithatë, në këtë kohë dhe në këtë vend ku ka lëvizje të ushtrisë dhe xhandarmësisë, këta gjuetarë serbë, me armë dhe veshje ushtarake, për momentin, mund të krijojnë një dozë frike e provokacioni. A nuk ka vende tjera ku mund të dalin në vikende dhe të gjuajnë gjuetarët serbë?!

Vazhdojmë rrugën përpjetë, por gjithnjë ndiejmë një lehtësi. Ajri i pastër, natyra  e bukur me pamje vjeshte, ndjenjat e  vendlindjes, pemët  e mbushura plot me fruta natyrale,  sikur na forcojnë e na bën të ndjehemi të çlodhur e të relaksuar. Dhe vërtetë ashtu ishte.

Familja e Hafiz Musliut e Hamdi Krasniqit, ashtu siç janë bujar të gjithë malësorët, na pritën të qeshur e të gëzuar. Sofra e mbushur me ushqim tradicional e përgatitur nga familja e

Hafiz Musliut: fli, kos e qumsht, e biseda e ngrohtë na ktheu prapa në kohërat kur fshati ishte plot me banorë.

 

Në këtë vizitë, biseduam edhe për problemet e shumta që kanë këta banorë dhe ky fshat, si dhe u dhanë mendime të ndryshme për mundësitë e zgjidhjes së tyre, e posaqërisht mundësia e krijimit  të kushteve për të vazhduar jetën këtu e mundësisht, për kthimin e ndonjë familje  e cila dëshiron të kthehet.

 

Familja e Hamdi Krasniqit e posaqërisht e Hafiz Musliut i kishin punuar tokat me kujdes të cilat kishin dhënë prodhime shumë të mira dhe kualitative. Për çudi misri  ishte rritur  dhe kishte dhënë prodhim si në tokat më pjellore të pjesëve të rrafshta.

            Në Priboc ka lloje të shumta të pemëve  e bimëve tjera shëruese të cilat këtë vit kishin prodhime të shumta. Mollët, dardhat, arrat e fruta tjera  të rritura  e të zhvilluar pa asnjë 

pesticid vetëm t’i shikoje të kënaqej zemra  e për vlerat ushqyese nuk ka koment.

Të vinte keq kur shihje, në çdo vend, pemët të cilat kishin rënë në tokë që kishin filluar të kalben “e të shkojnë dëm”, siç thuhet. Shumë pak kishin arritur t’i mbledhin, pasi banorët e ndjekur hezitojnë të dalin t’i marrin, sa nga moslejimi me automjete me targa RKS, sa nga prania  e forcave të xhandarmërisë e ushtrisë  serbe  aq  edhe nga infratruktura jo e mirë rrugore.

 

 

Duke mbledhur, pemë biseduar e duke u këqnaur me natyrën e bukur vjeshtore, nuk e pamë se kah përfundoi dita në fshatin Priboc.

Duke u kthyer prapa, në fshatin Muhoc, takuam një konvojë me disa automjete të  ushtrisë serbe që shkonte kah Zarbica, ku në disa kamionë kishte armatim dhe ushtarët sikur dukeshin se ishin të gatshëm  për çdo moment për veprim.

 

 

He set this https://justbuyessay.com goal at the beginning of the school year and became conscious of where every penny of his money was going

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch