Home » Opinione » Ismet TAFILI: Ta kujtojmë porosinë e Skënderbeut: “Plaku dhe shtatë thuprat”.

Ismet TAFILI: Ta kujtojmë porosinë e Skënderbeut: “Plaku dhe shtatë thuprat”.

Serbia dhe qarqet e pushtetit të saj me mekanizma shtetërorë, duke i pasur në dorë pikat kyçe të administrimit në komunë, siç është policia, financat, gjyqet, kanë krijuar paralelizma kriteresh: tjera për shqiptarët e tjera për serbët. Këtë e bëjnë me qëllim të zvogëlimit të numrit të shqiptarëve e posaçërisht për të zvogëluar numrin votuesve shqiptarë në zgjedhjet e ardhshme.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc ndryshoi shumë gjëra në komunën e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës e posaçërisht në Preshevë e Bujanoc.  Në rend të parë: te populli shqiptar u krijua një psikologji e re dhe një vetëbesim më i madh, u ngrit dinjiteti dhe krenaria shqiptare si dhe këmbëngulësia për të mos ikur nga vatrat stërgjyshore. Një tjetër e arritur është se, në këto vite të pasluftës, edhe pse me mund të madh e me dallim-përqindje jo të  madhe, u arrit që komuna e Bujanocit të qeveriset nga shumica shqiptare. Kështu është dashur të jetë gjithmonë, sepse në komunën e Bujanocit, në çdo periudhë historike, shumicë kanë qenë shqiptarët, por qeverisja nga shqiptarët nuk ishte e mundur, sepse pushteti okupues serb nuk lejonte në asnjë formë që shqiptarët t’i shohë në pushtet.

Për zvogëlimin e numrit të shqiptarëve në komunën e Bujanocit, pushtuesit kanë përdorur metoda të shumëllojshme diskriminuese në fushën administrative, ekonomike, shoqërore e politike. Megjithatë, gjithë herë, gjatë historisë qindravjeçare, ky qytet ka qenë i banuar me shqiptarë. Përkundër kësaj, deri pas lufte në mes UÇPMB-së dhe forcave ushtarake e të xhandarmërisë serbe,  Bujanoci asnjëherë nuk është qeverisur nga shqiptarët, por edhe nëse ka pasur ndonjë shqiptar në ndonjë post nuk iu është lejuar, nga pushteti diktatorial i Serbisë, të mendojë diçka mirë për shqiptarët, përndryshe ose e ka gjetur burgun ose është larguar automatikisht nga puna,  pa asnjë kriter, edhe pse ka pasur të drejtë.

Relaksimin e situatës në këto komuna, ndoshta mund të themi, se  e kanë bërë edhe vendosja e disa organizatave ndërkombëtare, që pak a shumë monitoronin dhe monitorojnë gjendjen dhe kanë një ndikim të vogël në pushtetin e Beogradit.

Megjithatë, me kalimin e kohës, pushteti serb ka përdorë metoda mjaftë të sofistikuara për t’i ndjekur shqiptarët nga vatrat e veta, për t’i larguar nga puna, për të mos investuar në vendbanimet shqiptare, për të mos lejuar përdorimin e simboleve kombëtare e më së shumti  duke e militarizuar këtë rajon me ushtri e xhandarmëri serbe.

Përkundër të gjitha këtyre metodave perfide, në këto 10 vitet e  pasluftës nuk ka arritur që pushtetin në Bujanoc ta qeverisin pakica serbe, por qarqet antishqiptare serbe për zgjedhjet e ardhshme në tri komunat shqiptare janë duke bërë gjithçka që komunën e Bujanocit mos ta qeverisin shumica shqiptare, gjë që është në kundërshtim me të gjitha normat demokratike.

Veprimet e tyre (të organeve të pushtetit serb) antidemokratike dhe diskriminuese shihen në çdo hap. Në rend të parë, ata, janë duke i shfrytëzuar ndarjet dhe përçarjet e partive politike shqiptare në këtë rajon, e ndoshta në ndonjë formë edhe i fryjnë këtyre ndarjeve e përçarjeve  pa u vërejtur, duke e shfrytëzuar egon e shqiptarëve për poste e karrige, gjë që te shqiptarët, në demokraci, kjo duket normale, por në fakt në këtë moment, në këtë situatë që gjenden këto tri komuna, dëmtohet interesi i qytetarëve shumicë të komunës së Bujanocit, sepse, mendoj,  duke formuar parti të reja, duke përdorur inatet dhe egot e tyre, mund të vijë edhe te frustrimi i popullatës, të cilët nga zhgënjimi mund të mos dalin fare në votim.  Kështu, duke mos dal në votime shqiptarët, u krijohen mundësitë serbëve që të jenë “shumicë” e që  rrjedhimisht  do ta marrin edhe qeverisjen në Bujanoc.

E dinë apo s’e dinë liderët dhe partitë shqiptare se Serbia ka filluar me kohë të krijoi kushte që në zgjedhjet e ardhshme shqiptarët të dalin pakicë. Veprimet e tyre janë konkrete, dhe si duket, të kalkuluara mirë, me të vetmin qëllim që të kenë sukses, dhe ka mundësi se  do t’ia arrijnë.

Serbia dhe qarqet e pushtetit të saj me mekanizma shtetërorë, duke i pasur në dorë pikat kyçe të administrimit në komunë, siç është policia, financat, gjyqet, kanë krijuar paralelizma kriteresh: tjera për shqiptarët e tjera për serbët. Këtë e bëjnë me qëllim të zvogëlimit të numrit të shqiptarëve e posaçërisht për të zvogëluar numrin votuesve shqiptarë në zgjedhjet e ardhshme.

Metodat e tyre janë nga më të ndryshmet. P.sh.

Kur shqiptarët bëjnë kërkesa, si për të ripërsëritur dokumentet si për të marrë të rinjtë dokument të ri, administrata serbe e komunës përdor metodën; “për dikë nënë e për dikë njerkë”. P.sh. kur bëjnë vizita në shtëpitë e tyre për të vërtetuar se a është personi në shtëpi apo jo, bëjnë dallime. Nëse shqiptarin  nuk e gjejnë në ato momente në shtëpi, (sepse mund të ketë dal të shëtisë, të jetë në shkollë e punë), automatikisht ata nuk e lejojnë të regjistrohet, bile e shlyejnë krejt prej të gjitha regjistrave e posaçërisht prej listës së votimit, deri sa për serbët ky kriter nuk vlen. Këtë e dëshmon edhe kumtesa e LPD-së të komunës së Bujanocit e botuar në ueb faqen, www.presheva.com të datës 18. 8. 2011 si dhe në web faqet tjera: Punëtorët e SPB-së, në rast se nuk e gjejnë aplikuesin në shtëpi, i cili i ka paraqitur dokumentet për marrjen e dokumentit të identitetit, gjatë procedurës së verifikimit, shlyhen nga listat e gjendjes civile të shtetasëve. Këta qytetarë nuk llogariten më të jenë banorë të kësaj komune e as nuk figurojnë në listat zgjedhore. Ky diskriminim shtetëror antiqytetërues ndaj qytetarëve shqiptarë, të Komunës së Bujanocit, të cilët kanë nevojë për dokumente të nevojshme identiteti, nuk haset në asnjë komunë tjetër dhe të cilat nuk vlejnë për qytetarët e nacionalitetit serb…………Këtë diskriminim ekstrem, ka disa vjet që po e përjetojnë më së shumti qytetarët shqiptarë nga Malësia e Bujanocit, të cilët për gjatë viteve të ’99-ta u dëbuan me dhunë nga vatrat e tyre stërgjyshore dhe u vendosën përkohësisht nëpër disa qendra të Republikës së Kosovës”.

Gjithashtu, sipas të dhënave të shumta, qarqe të caktuara serbe në komunë, janë duke i regjistruar si banorë të komunës së Bujanocit, banorët serbë që janë duke jetuar në Kosovë, posaçërisht në Anamoravë. P.sh. të fshatit Ranillug, Domoroc, Korminjanë, Ropotovë, etj. etj. Të njëjtën gjë janë duke e bërë edhe me banorët e fshatrave të Vrajës. Po ashtu, siç e dimë një numër i madh e refugjatëve serbë e romë nga Kosova (mbi 3000) e që janë të vendosur në Bujanoc pas luftës në Kosovë të vitit 1999, qeveria serbe deri më tash nuk u ka dhënë kurrfarë statusi, i ka mbajtur pezull duke mos i pranuar si banorë të  komunës, por edhe duke mos i lëshuar të kthehen në Kosovë, sepse dëshiron të manipulojë me to në momente të caktuara për politikat e tyre antishqiptare. Dhe këtyre refugjatëve nga Kosova,  tash ua ka rregulluar dokumentet për të pasur të drejtë të votojnë, natyrisht duke i kushtëzuar që të votojnë për liderët serbë të Bujanocit.

Pakësimin e shqiptarëve nga këto komuna shqiptare e bënë edhe rruga e hapur për azil. Kjo po bëhet me qëllim duke mos krijuar kushte elementare jetese për shqiptarët, dhe ata duke kërkuar punë e jetë më të mirë, po ikin në perëndim dhe kjo po ndodh vetëm me shqiptarët.  Këtë e ilustron edhe gazeta “Perspektiva” nr. 199-2011.

            “Është mjaft interesant se motivet për azil në këto vende ballkanike janë nga minoritetet, përderisa pakicat në Kosovë ajo rome apo serbe ankohen për diskriminim apo kërcënime, motive të ngjashme për azil posedojnë edhe shqiptarët nga Lugina e Preshevës, që sipas disa statistikave tona vetëm këtë vit Preshevën, Bujanocin e Medvegjën e kanë lëshuar 600 familje apo mbi 4000 shqiptarë kanë kërkuar azil në perëndim, sidomos në Belgjikë, Francë e gjetiu. Nga i tërë ky numër i azilkërkuesish në vendet perëndimore, sipas zyrtarëve…”

 

Dëbimin e banorëve shqiptarë, e si pasojë e kësaj pakësohen votuesit, po e bën edhe gjendja e brishtë e sigurisë dhe provokimet e shumta të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe të cilët mund  edhe t’i takosh në çdo hap në vendbanimet e shqiptarëve:

Portali www. presheva.com në artikullin: “Banorët e Maxheres ndjehen të provokuar nga xhandarmeria”, ilustron shumë mirë provokimet e xhandarmërisë serbe: ”Në fshatin Maxhere, para disa ditëve banorët e saj kanë paraqitur një shqetësim sa i përket sigurisë së tyre. Ata ndjehen të shqetësuar për shkak se në fshatë shumë herë forcat e xhandarmërisë sillen aty pari, e që sipas tyre ajo bëhet me qëllim për të paraqitur shqetësim tek banorët dhe ndjenjë të pasigurisë. Më 23 maj, banori i këtij fshati Naser Salihu, në mes të ditës thotë se ka pasur një shqetsim nga xhandarmëria për shkak se ata janë futur në rrugën afër shtëpisë së tij, e cila është pa dalje dhe aty fëmijët kanë pasur frikën e pasigurisë…… Edhe banorët e tjerë të këtij fshati shprehin shqetësimin e tyre, sepse dita ditës pasiguria për të jetuar në fshat vetëm se është duke u rritur, dhe thonë se nëse vazhdohet kështu atëher janë të detyruar edhe që të shpërngulen…”.

Më 23. 2. 2011 në ora 20.00, në emisionin “Lajmet” të TV “VALI” në një  emision  për shkeljen e kufirit Kosovë –Serbi në Karaçevë e Hodonoc, Sylejman Morina, zyrtar i Komunës së Dardanës, duke folur për problemet e këtij kufiri, thotë se para një jave barinjtë e fshatit Manjevc  afër Hodonocit, kanë ikur nga xhandarmëria  serbe. Ata nuk kanë mundur të qëndrojnë as në shtëpitë e  tyre.

Gjithashtu, a s’është presion dhe kërcënim, për t’u larguar nga shtëpitë dhe tokat e veta shqiptarët, rrahja e familjes së Sokol Ismajlit në Gërbac të Medvegjës  në nëntor të viti 2011. Pakësimin e votueseve e bën mos hapja e Universitetit, mosnjohja e diplomave të Republikës së Kosovës, diskriminimi në punësim në të gjithë sektorët. Kështu shumë shqiptarë duke mos mund të gjejnë punë në komunën e Bujanocit, largohen në Kosovë e  gjetiu, ku edhe punësohen e bëhen banorë të Kosovës.

Burgosen ish ushtarët e UÇK-së nga Kosova Lindore pa kurrfarë faji. Gjithashtu merren në pyetje ish luftëtarët e UÇPMB-së edhe pse janë amnistuar. Kjo bën të largohen jo vetëm ish pjesëtar të UÇPMB-së po edhe shumë shqiptarë tjerë, duke thënë: “Po ata nuk po mund të rrinë, po ne të tjerët çka presim”.

Pra, të gjitha këto dhe shumë forma tjera të presionit mbi shqiptarët e Kosovës Lindore, janë metoda të sofistikuara për largimin e tyre. Që kjo, përkthyer në gjuhën e zgjedhjeve në komunën e Buajnocit  do të thotë pakësim i votuesve, vetëm e vetëm që qeverisja e komunës të kalojë në duart e serbëve, e që rrjedhimisht në të ardhmen, jo të largët të mos mbetet asnjë shqiptarë në këtë komunë. Duke qenë pakicë, shqiptarët, do ta kenë vështirë e ndoshta kurrë më nuk do të kenë të drejtë të kërkojnë që Bujanoci, kjo tokë shqiptare të bashkohet me Kosovën, sepse Serbia ka një argument të fortë, se aty nuk ka shqiptarë ose janë pakicë, se Bujanocin janë duke e qeverisur serbët etj. etj.  Pra, synimi Serbisë është që Bujanici në të ardhmen e afërt të mbetet si Toplica, Leskoci apo Nishi.

Prandaj, parti,  lider të partive shqiptare, dhe të gjithë shqiptarët e kësaj ane, posaçërisht liderët e partitë e Kosovës Lindore përkatësisht të komunës së Bujanocit leni inatet me një anë, leni interesat personale, leni karriget, leni ndonjë përfitim material momental dhe bashkohuni, afrohuni, bisedoni si vëllai me vëlla, duke pasur parasysh interesin e përgjithshëm, interesin kombëtar, interesin e komunës e të këtij rajoni, sepse fitorja e komunës nga shumica shqiptare  është mbijetesë, nuk është interes partiak e  klanor.

Të përçarë e me inate  nuk do t’i kemi e keni as këto që i kemi e keni sot, por kur bëhemi bashkë do të keni e kemi  të gjitha e mbi të gjitha do ta kemi bekimin e kësaj toke shqiptare.

Po e them pa dashur që ta rëndojë (ofendojë) askënd: Ndoshta, humbja e këtyre zgjedhjeve do të mbetet një njollë e zezë përgjithmonë për përgjegjësit dhe për liderët shqiptarë që kanë marrë mbi vete barrën dhe besimin e qytetarëve shqiptarë të komunës së Bujanocit që të shkojnë drejt fitoreve, drejt zhvillimit të  demokracisë, prosperitetit dhe mirëqenies së qytetarëve.

Humbja e zgjedhjeve, e në përgjithësi, veprimet e gabuara, nuk do të thotë vetëm humbje e posteve, por edhe përgjegjësi para gjeneratave të ardhshme. Prandaj,  duhet të mendojmë mirë të gjithë e posaçërisht lidershipi i atjeshëm. Uniteti do të jetë arma më e fortë, sepse vetëm kështu do të fitojmë,  përndryshe, nëse vetëm njëherë  humbet Bujanoci, asnjëherë më nuk do të mund të qeverisin shqiptarët shumicë komunën

Prandaj urojmë dhe dëshirojmë që ashtu siç jeni shumicë të mos lejojmë asnjëherë të na qeverisë komunën pakica, por në pushtet në komunë të jenë shqiptarët pa marrë parasysh përkatësinë partiake e politike..

 

 

shkurt, 2012

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch