Home » Lajme » Istogu është në gjendje të jashtëzakonshme pas goditjes nga era e fuqishme

Istogu është në gjendje të jashtëzakonshme pas goditjes nga era e fuqishme

Banorët e Istogut me rrethinë gjatë terë natës së kaluar kanë përjetuar tmerrin nga era e fortë që ka fry pa pushim nga mesdita e djeshme, e cila nuk ka lenë asnjë objekt pa dëmtuar dhe lis pa nxjerrë me rrënjë, por nga tërë ky shkatërrim nuk ka pësuar asnjë njëri.

Shtëpia pa kulme e me kulme të shkatërruara, rrugë të mbushura me dru, tjegulla, xhama, kabllo të shtyllave elektrike, shtylla të rrëzuara, llamarina, kioske, kulme, makina të dëmtuara.., janë pamjet shkatërruese që të shfaqen para syve derisa hynë në këtë qytezë, të cilat t’i sjellin para syve fotografitë e tmerrshme të ditëve të para të pasluftës, apo pamjet e një vendbanimi sapo të bombarduar.

Istogu është në gjendje të jashtëzakonshme, pothuajse i shkëputur nga bota, pa rrymë, telefon e pa internet dhe me furnizim të vështirësuar me ujë të pijshëm.

Rrugëve të qytezës dhe para shtëpive e lokaleve vërehen njerëzit që kanë nisur të pastrojnë dhe sanojnë nga pak dëmet e krijuara, bashkë me policinë, zjarrfikësit dhe punëtorët e KEK-ut, e në mesin e tyre edhe kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, që kishte dalë të shikojë dëmet që ka shkaktuar era.

“Për fat dëme në njerëz nuk ka, por gjendja është jashtëzakonisht e keqe dhe dëmet material janë në miliona euro. Për gjendjen e krijuar kam kontaktuar edhe Qeverinë e Kosovës që të na dalin në ndihmë, pasi ne si komunë nuk jemi në gjendje t’i përballojmë dëmet e krijuara”, tha kreu i Istogut për KosovaLive.

Duket që më së tepërmi nga fuqia e erës ka pësuar objekti i stacionit policor të Istogut, kulmi i të cilit ka fluturuar më tepër së 20 metra larg dhe ka ra në mes të rrugës, ku për fat nuk ka qëlluar asnjë njëri në atë moment.

Dyert dhe dritaret janë të shkatërruara, kurse era ka nxjerrë jashtë edhe një pjesë të inventarit të zyrave, një pjesë e të cilave ka rënë mbi dhe i kanë dëmtuar edhe automjetet e EULEX-it, që kanë qenë të parkuara para stacionit.

“Në momentin kur ka ndodh kjo kemi pas policë brenda në ndërtesë, por për fat asnjëri nuk ka pësuar lëndime. Kurse dëmet në objektin tonë kalojnë 100 mijë euro”, flet për KosovaLive komandanti i stacionit policor të Istogut, togeri Hasan Çeku, në zyrën e tij me dritare të thyera dhe inventar të shkatërruar.

Në Istog era ka nisur të fryn të premten në mesditë, fillimisht me intensitetit pak më të lehtë, por nga ora në orë intensiteti është shtuar dhe sipas policisë mendohet që shpejtësia e erës në orët e natës ka arritur deri në 150 kilometra në orë.

Gjatë natës policia ka evakuuar dy familje që kanë pasur nevojë, të cilat janë vendosur në një vend të sigurt, kurse zjarre nuk ka pasur pasi rryma është shkyçur me kohë dhe në terr istogasit kanë përjetuar erën e zhurmshme dhe shkatërruese, me drojën e me të keqes.

“Në Istog frynë era gjithmonë, por sikur kësaj here nuk e mbaj mend në vjet e mija që ka fry ndonjëherë. Ka qenë një natë pa gjumë, një natë e gjatë dhe e frikshme për të gjithë neve, por ne të gjithë shpëtuam”, përshkruan për KosovaLive istogasi 64 vjeçar Haxhi Gashi, përjetimin e natës së mbrëmshme, të cilën ai dhe istogasit e tjerë gjatë do ta mbajnë në mend. /ilir osmanaj/

07.01.2012  Istog (KosovaLive)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch