Home » Lajme, Opinione, Politikë » Ja pse Presidenti Thaçi ka të drejtë!?

Ja pse Presidenti Thaçi ka të drejtë!?

Nga Skënder Sadri KAPITI

 Kosova Lindore (Lugina e Preshevës: Preshevë, Bujanoc e Medvegjë) janë troje shqiptare të Kosovës, dhe Kosova është Shqipëri. Nuk  kuptohet  pse kjo histeri,  ky inat, egoizëm dhe papërmbajtje  e “ngutje”  politike dhe mediatike si në Kosovë por edhe në Shqipëri   kundër  Presidentit Thaçi  pse ai deklarohet për Bashkimin e Kosovës Lindore me  Shtetin e Kosovës, gjë të cilën shqiptarët e  Kosovës Lindore e kanë shprehur dhe deklaruar edhe me Referendum që në vitin 1992?!

A e dinë kundërshtarët e këtij bashkimi se shqiptarët  e Luginës  dhe ushtria e saj, UÇPMB-ja kanë bërë edhe luftë të armatosur  për Çlirimin e saj?!

Si është e mundur që të paramendohet e jo më të shprehen politikanët , intelektualë e media shqiptare  kundër këtij Bashkimi, kundër aspiratës së popullit shqiptar të Luginës së Preshevës?!

Këto  ditët e fundit është bërë  mediatik dhe publik deklarimi i Thaçit për Bashkimin e Luginës së Preshevës, më sakt  i Kosovës Lindore me Kosovën  si dhe ato  se çfarë ai adresoi në adresë të Berishës. Dhe nuk është se nuk tha ndonjë gjë të paqënë, po pikërisht janë disa nga ato të cilat  gazetat  e guximshme dhe e pavarura, gazetarët, analistët dhe opinionistët e i  kanë  botuar, denoncuar  e pasqyruar realisht dhe me objektivitet në kohë, edhe atëhere kur Berisha ka qenë ne pushtet.

Të gjithë e dimë tashmë aktin e rëndë antikombëtar të qeverisë së ishPresidentit Berisha në vitet 1992-1997,furnizimin e ushtrisë dhe të makinerisë serbe të Millosheviçit me naftë; i dimë pengesat ,arrestimet dhe veprimtarinë  antiUÇK    të ishpushtetit të tij.

Të gjitha dihen ,dihet edhe ajo se PD dhe Berisha kanë qenë për autonomi të Kosovës, ashtu sikurse edhe në prag të shpalljes së Pavarësisë  së Kosovës,  Berisha nëpërmjet ishministrit të tij të Jashtëm Besnik Mustafaj deklaruan për Pavarësi të Kushtëzuar për Kosovën, pikërisht këtë që dëshironin serbët por të shprehur prej tyre si “autonomi substanciale”.  Koha pra shkon ,por historia dhe kujtesa nuk  harron. Dhe pra jo rastësisht e kundërshtoi  Thaçin dhe e mbrojti Berishën po ky ishministër i tij, ashtu sikurse Berishën po e mbrojnë edhe isheksponentët e lartë politik të ishpushtetit  të cilët drejtonin agjensitë partiake  të karburanteve të cilat shkelën embargon ndërkombëtare të naftës kundër Serbisë.

Nëse Presidenti Thaçi  kërkon korigjimin e kufijve  me qëllim bashkangjitjen  dhe bashkimin e trojeve shqiptare te Medvegjës, Bujanovcit dhe Preshevës me Kosovën sipas vullnetit të shqiptarëve të këtyre trevave shqiptare , kjo përbën detyrë  dhe  akt patriotik dhe kombëtar, ndërsa e kundërta përbën pabesi dhe tradhëti ndaj tyre.

Së pari ashtu sikurse propaganda , pushteti, politika dhe shteti i Serbisë ka bërë maksimumin për ndërkombëtarizimin e komunave me shumicë popullsie serbe në Kosovë, edhe Thaçi  e bën të njëjtën gjë për shqiptarët: e shtron dhe e bën  çështje  ndërkombëtare  ekzistencën e problemit shqiptar në Luginën e Preshevës , problem i cili kërkon zgjidhje, ose si krijim të bashkësisë së komunave shqiptare atje  ose bashkimin e tyre me Kosovën.

Pikërisht këtë të cilën Thaçi po e kërkon sot, këtë unë e kam shkruar në Librin tim “TRIUMFI I KOMBIT” kur Kosova shpalli Pavarësinë në vitin  2008 ku i kërkoja politikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë që serbët në Kosovë nuk duhet të kenë asgjë dhe asnjë të drejtë më tepër e më  shumë se sa shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe të Bujanocit, pra të Kosovës Lindore.

Pra, Lugina e Preshevës është Kosova Lindore, dhe pyesin se kush është patrioti  në këtë rast,H. Thaçi,i cili kërkon Kosovën Lindore apo ata të cilët si rasti  Sali Berishës  (por jo vetëm i tij) i  cili e kundërshton këtë ?! Kush bën papërgjegjshmërinë kombëtare këtu ai i cili kërkon bashkimin e trojeve shqiptare apo ai e ata të  cilët  nuk kërkojnë dhe janë kundër korigjimit të kufijve, pra ai dhe ata të cilët janë  kundër të drejtës historiko-kombëtare të bashkimit të trojeve shqiptare.

Këtu duhet përshendetur qëndrimi i Thaçit  si pragmatist, realist dhe i guximshëm  pasi  ai nuk  braktis dhe nuk i harron trojet shqiptare dhe as shqiptarët e Medvegjës, Preshevës e Bujanocit  të cilët luftuan për lirinë e Kosovës dhe shumë prej shqiptarëve të Preshevës edhe kanë dhënë jetën për lirinë e për pavarësinë e Kosovës. Pra Thaçi  nuk është si politika dhe politikanët e Tiranës  e cila gjithmonë  nuk ka bërë asgjë për Çamërinë, por pa harruar edhe atë që Shqipëria kurrë nuk ka bërë seriozisht gjë dhe as nuk ka hyrë në luftë asnjëherë as me Serbinë për Kosovën, edhe pse Kosova kishte mbi 100 vite që ka qenë në luftë me Serbinë.

Politika e Tiranës nuk ka kryer asnjëherë detyrën dhe përgjegjësitë e saj si duhet ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve të shtetit shqiptar dhe jo më të jetë interesuar ndonjëherë si duhet dhe seriozisht për Kosovën dhe për problemin gjithkombëtar shqiptar, dhe prandaj nuk ka se  çfarë Kosova të marrë si leksione nga Tirana, por përkundrazi, Prishtina duhet të jetë shumë e kujdesshme nga politikanët , këshilltarët , “analistët”,  mediatikët, “ historianët”  e “këshillat” që i merr nga Tirana sidomos nga ata që kur kanë qënë në pushtet i kanë bërë dëmë të mëdha Kosovës , sepse ata për interesa personale siç ka treguar historia  nuk e kanë për asgjë që të pabesojnë, të spekulojnë  dhe  të veprojnë me shumë finesë e djallëzi kundër Kosovës, siç me të drejtë edhe Thaçi  realisht  i referohet në rastin konkret Berishës.

Madje për Kosovën  Berisha ka qenë vetëm për autonomi .

Nga Shqipëria, jo vetëm nga Berisha por as nga paraardhësit e tij në historinë 100 vjeçare të shtetit shqiptar, politikës sëTiranës kurrë nuk i ka interersuar problemi kombëtar, ai i shqiptarëve dhe i trojeve shqiptare jashtë Shqipërisë. Dhe as nuk pritet as tani ndonjë gjë e madhe nga Shqipëria, nga politika e saj, politikë e cila historikisht ka qenë politikë interesash të ngushta ideologjike, politike e pushteti për përfitime personale, dhe po për këto qëllime e ka përdorur edhe Kosovën dhe shqiptarët në trojet e tyre etnike jashtë shtetit të Shqipërisë.

Nëse ka popull në Europë  i cili duhet të kërkojë dhe ka të drejtë për ndryshimin e kufijve , ai popull është populli shqiptar,  dhe  Shqipëria e Kosova, dy shtetet shqiptare të cilat edhe sot kufizohen nga të gjitha anët me troje shqiptare të grabituara padrejtësisht nga grekët, maqedonasit, serbët dhe malazezët. Pra problemi i padrejtë dhe i pazgjidhur shqiptar në Ballkan e mban Ballkanin në statusin e  problemeve  të pazgjidhura  akoma.

Këtë e kanë deklaruar edhe diplomatë amerikanë se problemi  Ballkanit nuk është zgjidhur . Këtu ata pra kanë parasysh problemin kryesor të pazgjidhur , që është ai  shqiptar, por që për ata të cilët deklarohen  kundër Thaçit i cili shprehet për bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën  ata nuk e njohin por madje e injorojnë këtë fakt historiko-kombëtar gjithshqiptar i cili kërkon zgjidhje.

Dhe për problemin shqiptar të pazgjidhur në Ballklan e që është fajtore Europa e viteve 1913; dhe që problemi i Ballkanit nuk është zgjidhur  akoma kjo është pra edhe pikpamje e shprehur  dhe e deklaruar edhe nga politika e SHBA-ve -Aleati i madh  i shqiptarëve dhe faktori  kryesor i Çlirimit  dhe Pavarësimit të Kosovës.

Pra, kur Thaçi shprehet për Bashkim të Luginës me Kosovën kjo përputhet së pari me te drejtën kombëtare të shqiptarëve, me vullnetin e shqiptarëve të Kosovës Lindore të shprehur edhe me Referendumin e vitit 1992, por  edhe me qëndrimin amerikan se problemi i Ballkanit nuk është zgjidhur ,dhe së pari nuk është zgjidhur problemi shqiptar. Dhe vjen si çudi e madhe pse gjithë kjo kundërshti, reagim  e fantazi me paragjykime kundër Thaçit pothuajse nga e gjithë politika , opinionistët dhe  nga mediat?!

Po i pyes këta  intelektualë, këta farë opininistësh, këtë farë mediatikësh dhe sidomos këta politikanë  ziliqarë, egoistë dhe nihilist e interesaxhinj pseudokombëtarë se a mos  jeni dakord që Lugina e Preshevës të qëndrojë nën Serbi dhe të pastrohet etnikisht nga politika dhe pushteti i Serbisë siç po veprohet edhe aktualisht me presione ekonomike, varferie,papunësie, dhune policore dhe me demostrime ushtarake , ashtu siç kanë bërë grekët me Çamërinë, apo doni që Presheva, Kosova Lindore, të Bashkohet me Kosovën ?!

Lind pyetja shumë e thjeshtë dhe e qartë për t’i thënë jo vetëm  Berishës por të gjithë atyre të cilët  nuk duan  dhe qe janë kundër këtij bashkimi se cila është zgjidhja më e mirë , përfundimtare dhe më e duhura për shqiptarët e Kosovës Lindore, Bashkimi i tyre me Kosovën apo qëndrimi nën Serbi?

Po i pyes persëri këta farë politikanësh nga Shqipëria e Kosova se si ka mundësi që Thaçi pothuajse është i  vetmi që kërkon Bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën i  cili pra njeh  dhe respekton  edhe  vullnetin e shqiptarëvë të Kosovës Lindore  të deklaruar me Referendumin e 1-2 Marsit 1992 për Autonomi Politike dhe Territoriale me të drejtë të Bashkimit me Kosovën, dhe pse politika e Tiranës dhe ajo e Prishtinës  dhe dy shtetet shqiptare nuk njohin legjitimitetin e këtij Referendumi të bashkëkombasve të tyre, por madje dalin edhe kundër Thaçit që deklarohet pro të drejtës së shqiptarëve të Kosovës Lindore për Bashkimin e tyre me Kosovën?

Ku shqiptarët e Medvegjës, Bujanocit e Preshevës do t’i kishin  të garantuara liritë, pavarësinë  dhe  të drejtat njerëzore e kombëtare të tyre në shtetin e tyre shqiptar të Kosovës apo nën Serbi!?

Kush nuk dëshiron që për interesa dhe për përfitime të ngushta pushteti  personal  dhe për motive xhelozie  politike dhe egoizmi negativ bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën nuk bën gjë tjetër përveçse tradhëtinë, pasi  ata nuk duan as Bashkimin Kombetar. Berisha është mjaft i diskredituar  edhe në Shqipëri  pasi  për interesa personale pushteti  ai kurrë nuk punoi për një shtet modern e ligjor në Shqipëri; ai  ka bërë dëme kombëtare të mëdha , si me Marrëveshjet kufitare të detit me Greqinë, dhënien e lejeve për ngritjen e varrezave të ushtarëve grekë , ka pranuar e lejuar ngritjen  e shkollave greke edhe atje ku ka 2-3 nxënës minoritarë  grekë në një kohë kur nuk ka asnjë shkollë shqipe në Greqi  e madje atje shqiptarët nuk guxojnë as ta deklarojnë kombësinë shqiptare të tyre, miratimin nga ishpushteti  i tij  në heshtje shkuljen dhe rrënimin  e sinjalistikës dhe të emërtesave në gjuhën shqipe të rrugëve dhe të fshatrave të Himarës etj.etj.

Pa harruar edhe një fakt tjetër  atë se Berisha i bënte thirrje dhe madje edhe presion delegacionit kosovar në Rambuje që ata të mos e firmosnin Marrëveshjen e saj. Dhe çfarë do të thoshte kjo ? A nuk ishte një thirrje të cilën e dëshironte vetëm Serbia dhe Rusia. Nëse do ta dëgjonin Berishën Delegacioni kosovar me në krye Thaçin nuk do të ishte mundësuar dhe as justifikuar ndërhyrja e NATO-s  nën drejtimin e SHBA –ve për  çlirimin e Kosovës.

Prandaj Berisha bën mirë të heshtë, dhe po nuk heshti  ai e ka kot  pasi askënd më nuk bindë se ai ka bërë ndonjë të mirë kombëtare gjatë sundimit politik të tij as për Shqipërinë dhe jo më për Kosovën, përveçse të kundërtën po.

Ndryshimi mes Thaçit e Berishës është ky: Thaçi është serioz, i matur, tolerant, i drejtpërdrejtë  dhe i besueshën te faktori ndërkombëtar proshqiptar,  e ndërsa Berisha  dhe të tjerë politikanë si nga Shqipëria e Kosova sillen si demokrat  hipokrit, si pseudoproamerikanë  dhe  si patriot fals me  retorika dhe mashtrime.

Nga Skënder Sadri KAPITI Durrës, Autor i Librit “TRIUMFI I KOMBIT”

Shto koment

Duheni të Logoheni për të komentuar.

© 2018 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch