Home » Kulturë » JAHO MARGJEKA, FENOMEN LETRAR I HESHTUR

JAHO MARGJEKA, FENOMEN LETRAR I HESHTUR

JAHO MARGJEKA1.
Në agun e Demokracisë poeti Jaho Margjeka ia dërgon Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” në
Tiranë vëllimin e parë poetik “Nesër do të agojë”, prej së cilës në vitin 1990
i vjen përgjigjia: “Pasqyrim i ftohtë i realitetit”. Kur e pata lexuar atë
letër Jaho më tha ato fjalë që s’i harroj asnjëherë: “Këta të Naim Frashërit
sipas kësaj letre të çojnë në burg…” Po vet Koha e burgosur e me një kambë në
varr po kërkonte Lirinë… Jaho nuk kishte astenjë poezi të vetme për
lidershipin e partinë-shtet, për njeriun e ri të sistemit të huajtun nga stepat
e Rusisë. Ekspertat e letërsisë politike të asaj kohe ia kishin gjuejt në
shenjë. Jahon, njeri i mirë në gene e fytyrë e i lindur e rritur si poet i
vërtetë, realisht nuk e ngrohte koha e atëherit, ai,“dimri i madh”, si e
simbolizon shkrimtari klasik universal, Ismail Kadare.
Poeti Jaho Margjeka, megjithëse i lindur kah fund marsi i pranverës, prej vitesh pena e tij e ka një luftë të
pambyllun me dimrin:“I ftohtë ky dimër, edhe pse pa borë. / Muret e zemrës hèje akulli ngrirë. / Minutat çalojnë,
ditënata s’ka orë./ Rrëknyer shpirti në numbëtirë. / I pashpirtë ky dimër, edhe pse i butë./ Pa cicërima e zogj nën
çati…/ …I pabesë ky dimër plak, i pabesë./ Tutje pëlcet e kërcet një gosti.
/ Gdhihet e ngryset njeriu i urtë, / Ftohur e ngrohur me frymën e tijë. (Poezia “Ky dimër”). Edhe kryetitullin ballinës së librit me tregime margjekiane ia ka vnue “Letra nga planeti i borës” (Tiranë, Morava, 2005, redaktor Besnik Mustafaj).
Jaho Margjeka, si qytetar dardan modern dhe në poezitë e tij margjekiane
bashkëkohore, ndjen dhimbje prej vakive kur dimri i egër, i pabesë, i pa
shpirtë i cegmë deri në akullnim shumanësh “shpirtfisnikët e urtë”. Si poet i
palctë e i kocktë, me inde e vena poetike, me detyrë misionare prej vetëvetës e
me fytyrë të pastër prej të vërtetës, prej metropolit shqiptar, nga selia e
RTSH, i dhemb një pemë në vendlindjen e tij breg Valbonës, në Mollën e Kuqe.
Ajo pemë është e vetme në arën e madhe e ngado t’i sillesh asaj i sheh tana
anët e horizontit tw Lugut tw Malwsisw sw Gjakovws. Kit’ “pemë të poetit” e kam
pa edhe në FB më 21 janar 2014 me një thanie shenjtërie: “Dimër. Edhe kjo pemë
ndjen ftohtë”.

2.
Fenomeni i heshtur letrar, Jaho Margjeka, ka botuar disa libra: vëllimet
poetike margjekiane: Lojë në pasqyrë (1998), Ëndrra midis (2000), Edhe pak
qiell për dashuri (2004), me tregime diamantore “Letra nga planeti i borës”
(2005) e, diku fjalathotë, se e ka dorëshkrimor edhe një tjetër vëllim poetik
“Pak dëborë e diell”, një monografi për kryetrimin luftëtar Ibish Osman
Margjeka, stërgjyshi i tij, një vëllim me intervista përgjatë kohëpunës me
kulmime si gazetar i mediave të shkruara e i Radio Tirana.
Mbi të gjitha poeti, prozatori e gazetari i njohur Jaho Margjeka është një
njeri dinjitar i përkushtuar e ndihet krenar pa kufi për rrënjët e genet e
vllaznisë e fisit të tij: … Jam bërë sa herë therorë miku im ! /Për
këtë vehtes lavde s’i këndoj./Në shkollën e qenërisë/ S’u
bëra dot kurrë nxënës i mirë,/Pse e përmend s’po lavdërohem: është rrënja e fisit!/.
Poeti Jaho Margjeka e ka kullën e lindjes aty ku Valbona bigohet me lumin Bushtrica,
bash në Mollë të Kuqe të Bujanit, veç 240 metra lartësi mbidetare. Në arat e tij
janë disa kodra të vogla me varre ilire apo si njihen në histori e arkeologji “Tumat e Bujanit”. Në afri
gjendet qyteti i fortifikuar ilir i Rosujës, sot i populluem nga dy vllazni të
të njëjtit trung, nga Margjekaj e Dozhlan. Dymijë vjet para Krishtit, biles nga
shek. IV i kësaj periudhe historike u kthye në qëndra ma e randësishme
zejtare-tregtare dhe administrative e krahinës. Në rrënoja të saj janë gjet
monedha ilire të Shkodres, Durrësit, Apollonisë, etj. As dy km. Larg kullës së
tij ngrihej dikur qyteti i madh antik ilir në rrafshinën e gjanë e të gjatë të
Cerrnicës së sotme, me argjilën e së cilës u ngrit dhe digat ma të mëdha në
Europë, ajo e hidrocentralit të Fierzës. Ipeshkvi, shkrimtari e etnografi Frang
Bardhi, një nga katër “B”-të e Letërsisë së Vjetër Shqipe, e përmend në
udhëpërshkrimet e tij të shek. XVII, ndërsa albanologu i shquar Milan Shuflaj
rrënojat e kalasë të Dizdarit (Cerrnicë-Zomaj) i lidhnon me qytetin mesjetar të Sapës.
Jo fort larg nga Molla e Kuqe e poetit Jaho Margjeka, në kishën e Selimajve
(Geghysen) në rrethina të kalasë të princit Leka Spani, është ngritë një nga shkollat ma të vjetra në historinë e
arsimit shqiptar, krahas atyne në Stubëll (1584), Himarë (1627), Kurbin të
Krujës (1632), Vuno e Palasë të Himarës (1632), Korçë (1637), etj. Në këtë
shkollë mësohej shqip, aritmetikë, etj. dhe, sipas kritereve të asaj kohe,
vlerësohej si shkollë e mesme. Aty kanë dhanë mësim edhe personalitete të
shquara kombëtare shqiptare si Frang Bardhi (1638), Pjetër Bogdani (1651) e, ky
i fundit, edhe tek shkolla bash tek kisha me kullë e Grisë.
Valbona ujëkaltër e ndan kullën e kahershme të Jahos me tri kulla të historisë kombëtare shqiptare: Kulla e Mic
Sokolit, Hero i Popullit, që i vuni gjoksin topit otoman; kulla e Sali Manit, e
njoftun si “Kulla e Konferencës së Bujanit”, që firmosi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë; kulla
e prijesit popullor të Lidhjes së Prizrenit, Binak Alia i Mulosmanëve, “njeriu
universitet popullor i urtive”, ”gjykatë supreme popullore” në Shqipwrinw e
Veriut. Në mbi tre shekuj nw kwto tri kulla ishte selia e Bajrakut të fisit të
Krasniqes, të fisit me histori e kulturë të Jaho Margjekës.
Këto janë “rrënjët e fisit” krenari e Jaho Margjekës, të cilat, njëherash e
pandamun, e kanë krenari të tyre edhe Jaho Margjekën, si njeri qytetar, si
poet, prozator e gazetar, si figurë publike e letrave shqipe. Këto rrënjë i
mbajnë fort e mirë degët e fjalëve në pemët poetike të tij, që e kanë brumue,
lumnue e hijeshue palcë e kockë Jaho Margjekën si një fuqi poetike e kohës.

3.
Jaho është poet e prozator me profilin e tij të mirënjohur, interpretues i
talentuar i fjalës artistike, publicist me kontribute të vyera në media
(ndër)kombëtare e lokale dhe në RTSH, i dhanun prej kryeherit edhe pas sporteve
nga noti në Valbonë e deri tek futbolli në “Livadhin e Turkut”. Ai ka
sakrifikuar jo pak në udhët e jetës së tij dinjitare, në udhën e tij si poet,
prozator, publicist në shtegtimet e dijes nga shkolla e mesme në Kuçovë deri në
Universitetin e Shkodrës, e mësues në Llugaj e me detyra profesionale në
kulturë e media në qytetin e alpeve. I ka kapërcyer dy dekada jetë në
Radio-Televizionin Shqiptar, pothuaj gjysmen e jetës, ku duket se pasionet e
tij të mëdha për gazetarinë radiofonike e kanë gjetur vetëveten.
Jaho Margjeka nëpër biseda s’lenë pa përmendur me mirënjohje ndihmen e atyre që e
ndihmuan për të studiuar Gjuhë-Letërsi shqipe,e ndër ta Dritëro Agollin,..
Poeti, gazetari e prozatori Jaho Margjeka në çdo hap e fjalë është
vetëvetja, sikurse në ditët me diell edhe në ato me ngrica; sikur flet në Radio
Tirana edhe në kafe me miq ose me kundërshtarë të vargut ose hapit; sikur
shkruan një poezi, një tregim apo shkrim radiofonik, edhe kur flet në telefon
celular apo kur ecë trupdrejtë e hapapeshë në dy rrugët e tij me blina: në
vendlindje, nga Molla e Kuqe në qytetin alpin të Bajram Currit dhe tek puna në
Tiranë, nga selia e RTSH tek banesa e vet në afri të Qytetit të Studentëve: Nuk
po gjejë qetësi miku im!/ Se shpirti im nuk qënka si i gjithkujt !/ Vehten
s’e genjej se jam më i mirë / se të tjerët, po të tjerët qënkan
më / të zgjuar, më hileqarë,…domethënë !/ Për këtë i penduar nuk jam miku im,/ Se jam
pjellë e tim’ eti e s’kam nga t’ia mbajë/.
Dy prindërit e tij, Salihi – baba engjëllor (që iku i nderuar nga kjo jetë) e Bora – nana hyjnore e tij, kanë për
emër e mbiemër në gojën e kohës e në genet e brezave vetëm dy fjalë medalion:
“njerëz të mirë”. Këta mirërritën gjashtë fëmijët. Dy iu banë poetë: Jaho që
erdhi në Tiranë e Ismeti, që punoi në televizione si Shijak TV e gazeta si
“Emigranti Shqiptar” gjersa shkoi emigrant politik e ekonomik në Francë, në
vendin ku emigronin me seli e pushtetet e tyre edhe Ismail Qemali, edhe Ahmet Zogu.
Se mos vetëm djemtë e Salih Ramës të Margjekajve, nipat e Ram Binakut të Mollës së Kuqe të Bujanit, shkruajnë poezi për kohnat e realitetet e tyre nga Prehistoria deri tek Rendi i ri Botëror.
Edhe Populli ka ngrit kangë për Derën e Margjekajve, edhe për stërgjyshin e Jahos, për brezin e shtatë të tij, për Ibish Osmanin: Dirgjet Hamza per dugaj / Po i pervet do sheherjanè / As ma paté Ibish Osmané,../.
Kah fillimi i shek. XIX, Ibish Osman Margjeka i Mollës së Kuqe vet i katërt, sëbashku me djalin e tij Daut Ibishin
dhe me kushëririn e vet, Rexhë Mehmet Margjeka i Rosujës, ky i fundit, me nanën
e tij-bijë Kosove, me armë brezit, ranë në tregun e Gjakovës. Këta e thyen urdhërin
e Brahim Pashës për “mos me hy në shehrin e Gjakovës me armë…”. Bimbashi (majori) me zabitët (ushtarët,
rojet) e tij iu dolën para në rrugë për me i çarmatos trimat e Margjekajve.
Krisi pushka. N’atë përleshje u vra bimbashi me të tjerë, po mbeti shehit edhe Rexhë Mehmet Margjeka, se e kishin ba betimin: …S’ja jap turkit armët e babës / Pa ia djeg sarajet Pashës…/ Ibish
Osman Margjeka, Rexhë Mehmet Margjeka, Daut Ibish Margjeka (pas vdekjes) janë shpallur “Nderi i Komunës” Bujan.
Jaho Margjeka, si stërgjyshi i tij, Ibish Osman Margjeka. Askush, astenjiherë e në asnjë kohë, nuk ka me mujt me ia
hjek armën e tij, pendën si poet, si prozator, si gazetar. Krijuesit nuk kanë shumë shpenzime për vete: një stilolaps e një letër, po japin shumë për kohën e të tjerët me krijimet e tyre dhe marrin pak prej tyre.

4.
Ky emri Jaho e ka kuptimin në shqip: Jeto. E vërtetë Jaho jeton në poezi e për poezinë.
Duket sikur të dy kanë lindur për njëri-tjetrin. Gurrat poetike të Jahos në mbi
30 vite krijimtari e kanë krijue tashma lumin e vet në detin e poezisë shqipe
në shekuj. Është lumi poetik Margjeka, janë poezitë e tij margjekiane, janë
tregimet e tij margjekiane.
Disa herë ka fitue edhe çmime (ndër)kombëtare e lokale me poezitë e tij, qyshse në
vitet e rinisë studentore me çmim vjetor në revista “Nëntori” (1988). Në kit’
vargavijë stimujsh përveçon edhe Çmimi “Pjetër Budi” nga Forumi Shqiptar i
Kulturës, Edukimit e Shkencës (2005). Është vlerësuar edhe
Çmimin e parë “Konstandin Kristoforidhi” në Festivalin Mbarëkombëtare
“Ditët poetike të verës”- Elbasan, 2006 dhe Çmimi i parë në Festivalin
Mbarëkombëtar “Pranvera poetike durrsake”- Maj, 2013. Gjithashtu ka
marrë çmime e mirënjohje edhe në veprimtari të tjera. Poezia e Jaho Margjekës është
botuar gjithandej në hapësirat shqiptare në Ballkan por edhe më gjerë, edhe e
përkthyer në anglisht në SHBA apo në rumanisht nga revista “Hemus” në
Bukuresht, etj.
Ky, Jaho ynë i sotëm, poeti i përjetshëm, ka ecë me vargun e hapin poetik si të gjithë
poetët e piedestalit, prej atëherit kur në shkollë të mesme në Kuçovë botonte
të parat cikle me poezi në “Zëri i Rinisë” (shkurt, 1981) apo në “Nëntori”
(1988) kur ishte student i gjuhë-letërsisë shqipe në Shkodër, apo mësues në
Llugaj të Lugut të Malësisë së Gjakovës, e në të gjitha kohët, është në kërkim të
pranverës… Po, para së gjithash, sipas këndvështrimit tim, poeti margjekian lëshon kumtin e tij: “Na
duhet të jemi gjallë lum’ miku!” I dashuruar në vetvehte s’qesh’ kurrë miku im, / Se pak
kohë më lanë për të lakmuar vetvehten./ Po ta shkruaj / Në rrasë të gurit këtë kumt’
miku im ! / Nëse andej të bie udha ti gjegjen po ma kthen ! / Se në ditën e
amshueme / njësoj të dy do të jemi, / E deri atëherë…/ Po na duhet të jemi gjallë lum’ miku !/.

Ramiz LUSHAJ

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch