Home » Kulturë » JETËSHKRIM, KUSHTUAR MËSUESIT DHE KRIJUESIT TË ORIZARES, NEHAT JAHIU

JETËSHKRIM, KUSHTUAR MËSUESIT DHE KRIJUESIT TË ORIZARES, NEHAT JAHIU

(Libri i ri i Namik Selmanit, “Jetë mes zileve dhe shkronjave shqipe”)

Nga: Prof. Murat Gecaj,

publicist e studiues-Tiranë

M.Gecaj

1.

Një mesazh jo aq i zakonshëm, nga Kumanova, të cilin e dërgonte kolegu e miku im, Nehat Jahiu, më futi në mendime. Jo sa për të dhënë përgjigjen e tij, po për të medituar me vete, nëse mund t’ia plotësoja siç duhet dëshirën atij, pra për të hartuar një recension. Ai më njoftonte se miku ynë i përbashkët, arsimtari e shkrimtari Namik Selmani kishte marrë përsipër një detyrë të bukur. Do të përgatiste për botim një libër, me  të dhëna, biseda e shkrime, kushtuar pikërisht atij bashkatdhetari tonë nga Orizarja e Likovës, mësues i pasionuar dhe krijues i talentuar. Vërtet, tani kisha përpara dorëshkrimin e këtij libri, po kryesorja më shfaqej e qëndronte pas tij, ashtu siç është në të vërtetë, pamja e portreti i një atdhetari e njeriu të mirë, i cili gjithë jetën e vet e ka lidhur shumë ngusht, me shkollën e gjuhën amtare shqipe dhe me krijimtarinë e pasur letrare.

Nuk ka shumë kohë, që kur kam kontaktuar për herë të parë me Nehatin, përmes Internetit. Dhe, menjëherë, na u kanë “puqur telat”  ose kemi gjetur gjuhën e përbashkët të bisedave tona. Ato nuk kanë  përmbajtur ndonjë “sekret”, ndërmjet nesh. Pra, kanë qenë të hapura, miqësore e vëllazërore. Sigurisht, na ka bashkuar jeta jonë kushtuar arsimit, shtypit e librit. Por, siç dihet, gjithë njerëzit e zakonshëm i lidhin profesionet e tyre, si: tregtia, mjekësia, jurispodenca etj. Ndërsa, ndoshta, arsyeja e lidhjes, për të cilën fola më lart, më duket më e bukura, më e  qëndrueshmja. Se ne, në përgjithësi, na ka bashkuar e lidhur misioni i edukatorit e mësimdhënësit, i krijuesit, formuesit e kalitësit të breznive të reja. Prandaj po shprehem këtu, se nderimi e respekti për Nehat Jahiun i kapërcen lidhjet tona vetjake e të ngushta. Pra, ato kanë karakter të përgjithshëm shoqëror.

Kopertinat e librit të ri (Kumanovë, 2013)

 

2.

Në radhët e këtij libri me shumë faqe, lexuesi njihet nga afër me prejardhjen e personazhit të tij, me fëmijërinë e jetën shkollore. Por faqe të ndritura janë, veçanërisht, ato që autori N.Selmani ia ka kushtuar punës së këtij mësimdhënësi në shkollën shqipe. Po kështu, një “profesion i dytë” për Nehat Jahiun është bërë krijimtaria letrare e publicistike. Këtë gjë e themi me bindje, se ndryshe nuk do të kishin parë dritën e botimit disa libra, me emrin e tij, pa përmendur dhjetëra e qindra shkrime. Ashtu siç janë shprehur  disa shkrimtarë, poetë e publicistë, mendimet e të cilëve gjejnë pasqyrim në këtë libër, tematika e tyra ka rrokur fusha të ndryshme të jetës e veprimtarisë së bashkatdhetarëve tanë, në trojet e tyre amtare stërgjyshore.  

E përmenda edhe më lart, se në detyrën e mësimdhënësit të shqipes, Nehati  është treguar i palodhur, ashtu si dhe me botimet e veta. Por boshti kryesor i tërë kësaj jete dhe veprimtarie të përqëndruar, është përkushtimi atdhetar, misioni i tij për të ndihmuar, me të gjitha fuqitë e mendjes dhe të zemrës, për çështjen mbarëkombëtare shqiptare.  Këtë gjë po e lidhi natyrshëm edhe me zgjedhjen e pëlqimin prej tij, të autorit të këtij libri jetëshkrimor, që kanë tani në duar lexuesit shqiptarë. Pra, këtë punë me shumë vlera ia besoj, jo pa qëllim e me bindje, një arsimtari dhe krijuesi të njohur në Shqipëri, Namik Selmanit, por edhe sepse ky është bir i Çamërisë martire. Këtë gjë ky ka arritur ta plotësojë, mirë e bukur edhe me bashkëpunimin e disa firmave të njohura krijuesish, nga trojet shqiptare të Ballkanit e diaspora. Ndër ta, janë: Fatmir Terziu, Arsim Halili, Sokol Demaku, Mustafa Spahiu, Halil Haxhosaj, Sevdail Demiri, Hyqmet Hasko, Tahir Berisha, Bajame Çeliku, Hysen Kobellari, Xhevat Beqaraj, Baki Ymeri, Prend Buzhala, Bilall Maliqi, Agim Rushiti e të tjerë, të cilëve u kërkoj ndjesë, që nuk po ua përmendi emrat e tyre.  

Mendoj se do të ishte e tepërt të ndalesha më gjatë, në këto radhë paraqitëse, për vlerat e këtij libri jetëshkrimor, për të cilin do të binden vetë lexuesit e tij. Me një gjuhë të bukur e të pastër shqipe dhe në gjini të ndryshme letrare, në veprat e tij artistike, Nehat Jahiu u drejtohet të gjitha moshave të lexuesve, që nga më të vjetërit dhe deri te më të vegjëlit. Por nuk mund të anashkaloj, se tani kam në mëndje edhe punën e mirë, që ai ka bërë, pak kohë më parë, duke shkruar e botuar një libër të veçantë poetik, kushtuar mikut tonë të përbashkët, nga Gostivari dhe me banim tash mbi 50 vjet, në Suedi, Sadulla Zendelit-Daja.

Muaj më parë, në një faqe Interneti kam lexuar shkrimin e Seveme Fetiqit, “Mbresat e mia për mikun tim”, kushtuar  Nehat Jahiut. Të më falë kjo autore, që po i riprodhoj fjalët e saj, kaq të qëlluara: “Është kënaqësi ta kesh një mik të tillë, një njeri që shkruan për të mirën e Kombit dhe të Shqiptarisë, në kujtim të dëshmorëve, që dhanë jetën e tyre për lirinë tonë, me mallë të pashuar për ata, që i lanë vendet e veta dhe mërguan në vendet e largëta. Ai shkëlqen çdokund me veprat e tij dhe jep mesazhe të qëlluara e të rëndësishme e që, padyshim, gjurmët e tij do të mbeten të pashlyera në letrat shqipe”.

 

3.

Tani, dëshiroj që ta njoh më nga afër lexuesin, por shkurt,  me jetën dhe botimet e arsimtarit, shkrimtarit e poetit, Nehat Jahiu.

Lindi më 10 tetor të vitit 1951, në fshatin Orizare të komunës së Likovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Preshevë dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike (Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe), në Gjakovë. Punon në shkollën fillore “Faik Konica” të fshatit Sllupçan.

Me shkrime ka filluar të merret që nga bankat e shkollës fillore. Më tepër ka shkruar poezi për fëmijë, por edhe për të rritur. Ka botuar e shkruan artikuj publicistikë, ese, skica letrare, recensione, tregime etj. Bashkëpunon rregullisht me shumë revista, gazeta, në mbarë trojet tona amtare dhe në diasporën shqiptare. Është ndër themeluesit e Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”, në Kumanovë dhe anëtar i kryesisë së saj. Po kështu, është nismëtar dhe anëtar i redaksisë së Revistës “Doruntina”, themelues dhe nënkryetar i klubit të shkrimtarëve të komunës së Likovës.

Nehat Jahiu është bashkëthemelues dhe anëtar i Lidhjes së Shkrim­tarëve Shqiptarë të Maqedonisë, anë­tar i Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijues­ve Shqiptarë në Suedi dhe anëtar i Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artis­tëve “Pegasi” Albania. Po kështu, është anëtar i shumë redaksive të revistave letrare etj.

Me krijimet e tij është përfaqësuar në shumë antologji, që janë botuar në trojet tona amtare dhe në diasporën shqiptare. Wshtw i pranishëm edhe në disa leksikone të shkrimtarëve, fjalorë enciklopedikë të shkrimtarëve shqiptarë etj.

Për krijimtarinë e tij letrare të frytshme, sasiore e cilësore, është nderuar me çmime të ndryshme. Nehat Jahiu jeton dhe punon në vendlindjen e tij, Orizare. Që nga libri i parë, “Në sytë e mi” (1982) dhe deri në vitin e kaluar, kur botoi tre libra, gjithësej ka shkruar e publikuar 21 të tillë.

Së fundi, e përshëndesim nga zemra dhe i urojmë gjitha të mirat, vetjake e familjare, personazhit kryesor të këtij librit të ri, për të cilin folëm shkurtimisht në fillim, kolegut e mikut të dashur, Nehat Jahiu. Po kështu, e përgëzojmë autorin e këtij libri, shkrimtarin e poetin prodhimtar, Namik Selmani, si për nismën e tij dhe realizimin e suksesshme të saj!

Tiranë, 13 janar 2014

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch