Home » Kulturë » ”JU, NA SOLLËT FRESKINË KOMBËTARE, NGA SHTETI YNË AMË, SHQIPËRIA”

”JU, NA SOLLËT FRESKINË KOMBËTARE, NGA SHTETI YNË AMË, SHQIPËRIA”

Përshëndetje nga Suedia:

”JU,  NA SOLLËT FRESKINË KOMBËTARE,  NGA SHTETI YNË AMË, SHQIPËRIA”

 

Nga: HYSEN IBRAHIMI

kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë-Suedi

I nderuari Miku im, Prof. Murat Gecaj,

Përshëndetje!

Mënyra e vlerësimit Tuaj, për mikëpritjen në Suedi, përmes shkrimeve të publikuara, është virtyt i njerëzve me traditë, kulturë e mirësi të sinqertë. Ajo nxjerr mësime për ardhmërinë e njerëzve, se si duhet çmuar mikëpritja vëllazërore, kur ata duan të jenë mirënjohës dhe vlerësues për Ju, që na sollët freskinë kombëtare ,nga shteti ynë Am- Shqipëria dhe që na latë mbresa të papërshkruara.

Të gjithë nuk dinë dhe nuk munden ta bëjnë këtë, pa pasur një traditë familjare, të trashëguar nga të parët e tyre. Kur flasim për një vlerësim të tillë, pothuajse menjanon çdo dilemë të pritjes së shkëlqyer. Ju, me komplimentet e juaja (sikurse ju, që i shprehni me ëndje), mbase, me emër dhe mbiemër të shumicës që ndodheshin të pranishëm, i përshkruani dhe i nderoni ata. Kjo nuk do koment! Mirëpo, në shkrimet e juaja tejet mbresëlënse, shihen kufijtë e shtrirjes me motive për bashkëpunim, për lidhje ende më të forta vëllazërore e kolegjiale, që në vete ngërthejnë një kuptimësi të thellë. Mërrëdhëniet e tilla, vetëm sa e forcojnë bashkëpunimin e dyanshëm.

I dashuri Prof. Gecaj,

Ju, deri më tani, e keni prekur vetëm njërën anë të ”medaljes”. Pra, keni folur për përshtypjet e juaja, gjatë përvjetorit të 5-të të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, në Borås të Suedisë, si dhe  për pjesëmarrësit, për kulturën dhe traditën suedeze dhe për ne, në përgjëthësi. Gjë që mendoj se keni vepruar drejt. Kurse nuk flisni për anën tjetër të ”medaljes”,  pra ajo që duhet vlerësuar nga ne, në Suedi, për përshtypjet tona për Ju, që na sollët freskinë kombëtare nga shteti ynë Amë Shqipëria, që janë të pa përshkruara. Kanë dallim të madh. Përshtypjet e juaja, që latë te ne, janë shumë më të mëdha. Ato ngjallën ende më shumë emocione, sepse vetë prania e Juaj na bëri të ndjehemi në vendlindje. Ju, profesor i nderuar Murat Gecaj, së bashku me shkrimtarin Prof. Viron Kona, Kozeta Hoxhën dhe Kadrije Gurmanin,  e zhdukët kufirin midis dy rajoneve shtatërore, pra Shqipëri-Suedi, për të qenë të pranishëm në një ngjarje kulturore, në Suedi. Kjo rezulton për ndjesinë tuaj të mbrendshme,  e cila nxjerr në shesh parimin intelektual, si njerëz të artit, letërsisë, kulturës dhe traditës kombëtare shqiptare.

Ardhja e juaj në Boras të Suedisë, në mënifestimin tonë, nuk ishte thjeshtë vetëm sa për një pjesëmarrje të një përvjetori. Por ju kishit dashurinë për t’u takuar me ne, si vëllezër, si krijues dhe veprimtarë.

Pranija e juaj, te ne (po guxoj të flas në emër të të gjithëve), padyshim, la qind për qind disponimin, imazhin, atmosferën dhe idenë, të cilat kanë një kuptim e domethënie të vetme, që quhet: Mesazh! Po si? Që ta duam sa më shumë njëri-tjetrin, të punojmë e të krijojmë vlera artistike dhe t’i ruajmë miqtë tanë. Mënyra  e lëvrimit të dijes duhet përdorur drejt dhe mirë, për t’i bindur miqtë tanë, se ne kemi rrënjë të thella në qytetërimin e Ballkanit dhe Evropës. Veç jo me fjalë, por me vepra konkrete/

Populli ynë shqiptar, duhet që patjetër, në një të ardhme të afërt, ta zerë vendin e merituar, në mesin e popujve të qytetëruar të Perëndimit. Të gjitha këto, ne i kemi parë dhe i kemi lexuar në fëtyrat  tuaja shumë të dashura. E kemi ndjerë praninë tuaj, më shumë se vëllazwrore. Ana e juaj, ka shfaqur rreze drite, të cilat kanë shkëlqyer.

Çdo libër i firmosur nga autorë të ndryshëm, tek unë zë vend të merituar në sirtarët e biblotekës sime private. Po, librat  tuaj, kanë zënë aty një vend të posaçëm. I kam lexuar me ëndje dhe, sa herë i shikoj, nuk mundem pa i shfletuar edhe njëherë, sepse ato më sjellin në Shqipëri. Kurse ”MIRËNJOHJA” juaj, e kryesisë së Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipëisë,  është venw në krye të ”mirënjohjeve” të tjera, në sallonin  tim të shtëpisë, si njëra ndër më të çmuarat. Për këtë, ju kam shkruar e dërguar letër falenderimi, e cila dhe është publikuar më parë në Internet.

Dua ta përfundoj këtë mesazh timin, me këtë thënie:

”Betohem se nuk ka orë, pa menduar, për popullin tim, për vendlindjen, për shoqërinë, për njerëzit që na donë dhe i duam!”. Ne ju duam juve dhe, ndoshta, me këtë mall një ditë do të prehemi të qetë në tokë të huaj. E, dikur, vetëm veprat dhe këto shkresa e letra, që po i shkruajmë , do të flasin shumë. Ato do të jenë dëshmitarë për marrëdhëniet vëllazërore, që ne mërgimtarët shkëmbejmë tani,  me vendin Amë-Shqipërinë.

Mëshira dhe bekimi i Zotit, qofshin me Ju dhe familjet tuaja!

Stockholm/Suedi, më 6 maj 2012              

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch