Prishtinë, 30 maj – Pas një debati për e kundër themelimit të tri universiteteve të reja publike, në tri qytete të Kosovës, Kuvendi i Kosovës me 78 vota për dhe tri abstenime pak çaste më parë ratifikoi vendimin e Qeverisë së Kosovës për themelimin e universiteteve në Gjakovë, Gjilan e Mitrovicë.
Edhe pse është zhvilluar debat mes deputetësh se a duhet të themelohen tri universitete publike, vendimi u nxor pa asnjë votë kundër.
Kryetari i kuvendit Jakup Krasniqi i bëri pyetje ministri të arsimit Ramë Buja se a është bërë studim i fizibilitetit për hapjen e tri universiteteve publike.
“A kemi financa dhe kuadro për themelimin e këtyre universiteteve?”, pyeti Krasniqi, ministrin Buja.
“Ne mund të hapim në çdo qytet universitetet, por ne duhet të krijojmë kushte dhe duhet të kemi cilësi. Unë e di që kemi shumë profesorë që nuk e meritojnë të hyjnë në universitete”, shtoi ai.
Kryeministri Hashim Thaçi i inkurajoi deputetët të votojnë hapjen e universiteteve.
Këto universitete do të pranojnë studentë që nga viti studentor 2013/14 gjatë kësaj vjeshte.