Home » Lajme, Vendore » Kanë përfunduar kërkimet për dy policët e aksidentuar mbrëmë në rrugën Hani i Elezit-Kaçanik

Kanë përfunduar kërkimet për dy policët e aksidentuar mbrëmë në rrugën Hani i Elezit-Kaçanik

Kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Refki Suma, ka bërë të ditur, se ende nuk ka asgjë të re lidhur me dy policët e humbur mbrëmë pas një aksidenti në magjistralen Kaçanik- Hani i Elezit.

Kërkimet për dy policët e zhdukur pas rënies në lumin Lepenc nga rrokullisja e veturës kanë vazhduar gjat tërë ditës. Kryetari i Hanit te Elezit z. Suma ka thënë për KosovaPress se FSK nuk mundet të dalë në territorin e Maqedonisë pa leje të autoriteteve maqedonase në vendin ku po dyshohet se mund të gjendjen trupat e dy policëve.

“Policia maqedonase dhe ajo kosovare kanë bashkëpunim mes vete. Ata mund të kontrollojnë/ patrullojnë 5 kilometra në territore respektive. FSK nuk mundet me dalë pa leje të autoriteteve maqedonase në territorin e Maqedonisë në vendin ku po dyshohet se mund të gjendjen trupat e dy policëve të humbur mbrëmë pas një aksidenti në magjistralen Kaçanik- Hani i Elezit”, ka theksuar kryetari Suma.

Komuna e Hanit të Elezit sot përmes një postimi në ueb-faqen e saj ka kërkuar nga banorët që t’iu dalin në ndihmë ekipeve të kërkim-shpëtimit.

“Kemi pa një mobilizim të mirë nga ana e qytetarëve ata na janë vënë në ndihme. Edhe unë vetë deri pak më parë isha pjesë e kërkimit të dy policëve”, tha Suma.

Përveç zhytëse të FSK-së, Policisë së Kosovës, në kërkim ishin angazhuar edhe mjete të rënda si dhe nga ajri zona është vëzhguar nga KFOR-i me anë të helikopterëve.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, i cili ka thënë se ende nuk kanë informacione të sakta se si ka ndodhur aksidenti i dy policëve mbrëmë rreth orës 20:45. Sipas tij, aksidenti ka ndodhur në një vend ku rruga është e papërshtatshme.

Ndërsa, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë, Naim Rexha, theksoi se kërkimet për dy policët kishin nisur mbrëmë menjëherë pas aksidentit, për t’u ndërprerë rreth orës 03:30 të mëngjesit të sotëm, për të nisur përsëri në orën 09:00.

Haki Hertica nga njësia për Kërkim-Shpëtim e FSK-së ka deklaruar:

“Për sonte kanë përfunduar kërkimet, ndërsa do të vazhdojmë nesër rreth orës 09:00 prapë me kërkim”.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch