Home » Lajme, Politikë » Katër kandidatët për kryeministër të Kosovës që garojnë në zgjedhje, sigurojnë një mbështetje më të gjerë nga votuesit

Katër kandidatët për kryeministër të Kosovës që garojnë në zgjedhje, sigurojnë një mbështetje më të gjerë nga votuesit

Pozita e kryeministrit përbën figurën kryesore në zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Andaj, të gjitha subjektet politike dhe koalicionet që garojnë në zgjedhje, përpiqen që përmes kandidates apo kandidatit të tyre për këtë pozitë, të sigurojnë një mbështetje më të gjerë nga votuesit.

Aktualisht, partitë dhe koalicionet në Kosovë kanë dalë me emrat e katër figurave politike si kandidatë për pozitën e kryeministrit.

Partnerët e koalicionit qeverisës, që shumë shpejt mund të mbesin ish-partnerë qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tani kanë dy kandidatë për pozitën e kryeministrit të ardhshëm.

PDK-ja ka kandidat liderin e saj, Kadri Veselin, kurse AAK-ja po ashtu liderin e saj dhe kryeministrin në largim, Ramush Haradinaj.

Ndërkohë, edhe opozita aktuale, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, pavarësisht faktit se janë në negociata për koalicion, kanë dy kandidatura të ndara.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka nxjerrë në “betejën” për kryeministre Vjosa Osmanin.

Kurse Vetëvendosje, edhe pse nuk e ka shpallur zyrtarisht kandidaturën, në shumë raste ka prezantuar liderin e saj, Albin Kurtin, për pozitën e shefit të qeverisë.

Aktualisht, këto katër figura politike pritet të jenë në qendër të vëmendjes në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por, në fund, vetëm njëri prej tyre do të mund ta marrë këtë pozitë, nëse nevoja për koalicione nuk sjell një pasqyrë tjetër pas zgjedhjeve.

Megjithatë, bazuar në praktikat e deritashme, mund të ngjajë që si pjesë e marrëveshjes politike për koalicione, partitë politike të dakordohen rreth një figure tjetër prej këtyre katër kandidatëve apo, siç njihet me termat politikë, një figurë konsensuale që do të jetë e pranueshme për të gjitha partitë e koalicionit të ardhshëm qeverisës.

Por, sidoqoftë, fushata për zgjedhjet e ardhshme, të caktuara tashmë për 6 tetor, pritet të mbështetet pikërisht në këto kandidatura dhe programet që i ofrojnë për qeverisjen gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch