Home » Opinione » KËMBANAT E ALARMIT….

KËMBANAT E ALARMIT….

Shoqëria civile serbe e Komunës së Bujanocit, ka ngritur alarmin e shqetësimit për “bumin” demografik shqiptar në Luginë të Preshevës, të cilët ata e quajnë jugu i Serbisë.

Ky sektor joqeveritar, ka kërcënuar me bojkot shtetin e tyre, nëse nuk regjistrohen shqiptarët, jo më larg se në vitin e ardhshëm, ngase sipas tij, shpesh manipulohet me numrin e shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.

“Është momenti i fundit, që të caktohet numri i saktë i numrit të banorëve shqiptarë, të pastrohen listat zgjedhore dhe të ndërpritet diskriminimi shumëvjeçar i serbëve në jug të Serbisë. Ata nga qeveria qendrore kërkojnë që kriterium gjatë numërimit të jetë edhe lajmërimi i vendbanimit, gjegjësisht që të mos lejohet regjistrimi i shqiptarëve që janë fiktiv në Serbi, si dhe mbajtjen e sërishme të zgjedhjeve”, theksojnë përfaqësuesit e këtyre shoqatave për mediat serbe.
Me zërat shqetësues të shoqatave serbe, është solidarizuar edhe Trupi Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, institucion i lartë shtetëror, i cili është formuar për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve e në kohë të fundit më shumë të serbëve.

Lidershipi shqiptar i Luginës së Preshevës, ka kundërshtuar një iniciativë të tillë, ngase sipas tij, nuk ka kushte elementare për regjistrim special të shqiptarëve, për shkak gjendjes jo normale që po mbretëron në Luginë.

Vitin e kaluar, shqiptarët i thanë “Jo” regjistrimit të shpallur nga Enti republikan statistikor i Beogradit, për shkak mangësive procedurale, koncentrimit të shtuara të forcave serbe në zonat kufitare me Kosovën, jashtë suazave të paqes, pastaj moskthimin e të të dëbuarve nga vatrat e tyre stërgjyshore e shumë probleme të tjera të natyrës politike dhe ekonomike.

“Serbët ndjehen plotësisht të pambrojtur në shtetin e tyre, ku edhe për këtë arsye, gjithnjë e më shumë po largohen nga këto troje. Vetëm kohën e fundit nga Bujanoci janë shpërngulur rreth 2000 serbë. Drejtuesit e shtetit takohen vetëm me shqiptarët, dhe gjithnjë e më shumë në aktet zyrtare shtetërore po përdoret termini “Lugina e Preshevës”, ku edhe kërcënohet me ndarje nga këto hapësira. Alfabeti cirilik është zhdukur plotësisht dhe shqiptarët janë në të gjitha vendet kyçe në qeverisjen e Bujanocit”, thuhet më tej në deklaratat e përfaqësuesve të shoqërisë civile serbe.
Bojkoti i regjistrimit të popullsisë nga shqiptarët, tregon se Komuna e Bujanocit numëron 18.067 banorë, Presheva 3080 dhe Medvegjë 7438 banorë.

Sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2002, Presheva kishte 34.904 banorë prej tyre 31.098 shqiptarë (89.10%), Bujanoci 43.302 banorë, nga të cilët 23.681 shqiptarë (54.69 %) dhe Medvegja 10.760 banorë prej tyre 2.813 shqiptarë (26.17%).

Statistikat shqiptare flasin se nga Lugina e Preshevës për në Kosovë dhe perëndim kanë migruar rreth 30 mijë shqiptarë, të cilët nga Beogradi nuk llogariten banorë të këtij rajoni.

Pavarësisht nga këmbanat e alarmit në zvogëlim të bërthamës etnike shqiptaro-serbe në Luginë të Preshevës, armiku i përbashkët është varfëria ekstreme, papunësia dhe moszhvillimi ekonomik.

Sektori civil serb në Bujanoc, kërcënon me bojkot, nga kush, nga participimi në pushtet?! E pabesueshme madje edhe absurde.

Liderët serbë në Bujanoc, më shumë pushtet se sot, kanë pasur vetëm në kohën e Mareshalit Tito dhe të Sllobodan Millosheviqit. Ata udhëheqin gati me gjysmën e pushtetit në këtë komunë me vetëm 11 këshilltarë në Kuvendin Komunal, nga 41 këshilltarët sa ka gjithsej parlamenti lokal.

Shoqatat serbe le t’i pyesin liderët institucionalë serbë se a do t’i bojkotojnë institucionet lokale, të cilat i kanë fituar si në “bahçe të mixhës”!/Jehona Press/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch