Home » Opinione » KËSHILLAT DHE QORTIMET MIQËSORE TË ZONJËS VICTORIA NULAND

KËSHILLAT DHE QORTIMET MIQËSORE TË ZONJËS VICTORIA NULAND

Nehat Hyseni-1

Shkruan: Nehat Hyseni

Nga vizita e Ndihmëssekretares së shtetit, z. Victoria Nuland, që ia bëri sot, më 13 korrik 2013, Kosovës, në kuadër të turneut të saj në rajon dhe në Angli, mësuam qëndrimin e ashpër të Administratës Amerikane kundër krimit të organizuar dhe
korrupsionit, që i karakterizon vendet e Ballkanit, e sidomos Kosovën.
Zonja Victoria Nuland, në një diskutim që e pati dje, të shtunën, më 12 korrik 2014, në Dubrovnik, para se të vijë në Kosovë, përdori një fjalor tejet të ashpër, që ndoshta i kalon edhe kufijtë e kujdesit diplomatik, për dhënie të mesazhit shumë të qartë dhe eksplicit kundër korrupsionit që është duke mbretëruar në rajon.

Ajo ka folur për “politikanë të ndyrë që qëllimin e kanë pasurimin e shpejtë në llogari të qytetarëve”. Sipas z. Victoria Nuland, “korrupsioni, demokracia e ngadaltë, konfliktet e zgjatura, tensionet etnike dhe dhuna mund të kërcënojnë shumë shtete”.

A ka Kosova kësi politikanë si i përshkruan z. Nuland?

Unë mendoj se pikërisht Kosova është vendi i cili, si asnjë shtet tjetër në rajon, mjerisht, i posedon të gjitha këto dukuri negative: korrupsionin, që e ka me përmasa të mëdha, madje të paimagjinueshme, që e hasë në çdo hap duke filluar nga instancat më të larta të pushtetit, e deri tek administratori më i ulët i kijerarkisë shtetërore, që rrezikon seriozisht themelet e kësaj shoqërie.
Nga korrupsioni janë krijuar politikanë të pasur në Kosovë, milionera e miliardera, të cilët asgjë nuk punojnë dhe çka është më me rëndësi, para çlirimit të Kosovës me bombardimet e NATO-s, në vitin 1999, asgjë nuk kanë pasur!
Shumica prej tyre nuk kanë pasur madje as bukën e gojës të siguruar, kurse sot jetojnë në luks marramendës, si sheikë dhe nuk u dihet fundi i pasurisë së tyre.
Ata, pra, u pasuruan nga ushtrimi, ose më mirë me thënë, nga keqpërdorimi i pushtetit.
Me plotë të drejtë z. Nuland këta i quan “politikanë të ndyrë që kanë për qëllim pasurimin e shpejtë, në llogari të qytetarëve”.
Ata kanë uzurpuar demokracinë, duke e ngulfatur dhe pamundësuar për tu zhvilluar dhe për ta shijuar qytetarët e Kosovës, duke e ngadalësuar kështu edhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Natyrisht se edhe imazhi ndërkombëtar i Kosovës është zbehur e kompromituar deri në atë masë, sa që pothuajse janë bllokuar plotësisht investimet e huaja dhe kapitalit ndërkombëtar në ekonominë kosovare, duke e ngushtuar kështu perspektivën dhe shpresat e popullatës për ditë më të mira, e sidomos të të rinjëve.

Prandaj, jemi dëshmitarë të një shpërngulje masovike të popullsisë, e sidomos të të rinjëve, që është duke ndodhur pikërisht pas çlirimit dhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Gjithashtu, z. Victoria Nuland, si një mike e madhe e Kosovës, i përmendi edhe dukuritë tjera negative që e rëndojnë situatën në rajon dhe në Kosovë, siç jan konfliktet dhe tensionet ndëretnike, që kanë të bëjnë me situatën e tensionuar në veri të Kosovës, lidhur me të ashtuquajturin “Park i Paqes” mbi lumin Ibër në Mitrovicë, si dhe lidhur me tentativat e serbëve për ndërtimin e sheshit “Car Llazar”, etj.
Prandaj, vizitën e zonjës Victoria Nuland, si Zëvendëssekretare e shtetit mik SHBA-së, duhet mirëkuptuar, ashtu si atë të James Rubbinit vitin e kaluar, që si miqë të mëdhenjë të Kosovës dhe shqiptarve, na dhanë këshilla miqësore dhe qortime
dashamirëse, të cilat duhet mirëkuptuar e zbatuar me përpikmëri, në të mirën e shtetit dhe mirëqenies tonë, për ta hequr qafe sa më parë izolimin dhe getoizimin e Kosovës dhe popullit të saj, në të cilin akoma jemi dhe nga i cili duhet të dalim sa
më parë me ndihmën e miqëve ndërkombëtarë, si dhe të realizojmë një shkallë më të shpejtuar të zhvillimit ekonomik, për ta bërë Kosovën vend të bukur për jetesë dhe joshës për të gjithë.
Sigurisht se zonja Nuland, takimet e ndara që i bëri me Presidenten Jahjaga, me kryetarin e LDK-së Isa Mustafën, me kryetarin e AAK-së Ramush Haradinajn dhe me kryetarin e PDK-së dhe Kryeministrin në detyrë, Hashim Thaçin, ka potencuar nevojën e angazhimit të të gjithëve për ta tejkaluar ngërçin politik në të cilin aktualisht gjendemi, për zgjedhjen e qeverisë së re dhe Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Gjykuar sipas deklaratës së përgjithësuar të Hashim Thaçit, se “do të respektohet vullneti i popullit”, vështirë se mund të jenë shpresëdhënëse për angazhim të sinqertë për gjetjen e një zgjidhjeje, pa zhagitje, vonesa e tensione të panevojëshme.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch