Home » Lajme, Rajonale, Vendore » Koha për kompromis me Kosovën

Koha për kompromis me Kosovën

Nënkryetarja e Qeverisë së Serbisë për Integrime Evropiane, Suzana Grubjeshiq, ka thënë se ka ardhur koha për arritjen e kompromisit ndërmjet Beogradit e Prishtinës, kompromis që sipas saj, do t’i siguronte të ardhmen Serbisë dhe gjithë qytetarëve.

“Serbia është plotësisht e orientuar për marrëveshje dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për Kosovën. Është e nevojshme që menjëherë të vazhdojë dialogu me Prishtinën, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje, të zbatohet dhe të jetë e qëndrueshme; zgjidhje, e cila do të garantonte të drejtat njerëzore, mbetjen dhe sigurinë e serbëve në Kosovë dhe që do të përbënte bazë të fuqishme për ndërtimin e paqes afatgjate në rajon”, ka thënë Grubjeshiq, transmetojnë mediat serbe.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është kusht për këtë të fundit që të marrë datën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kurse, shefi i Zyrës së qeverisë serbe për Kosovën, Aleksandër Vulin, ka theksuar se është jo-serioze nga ana e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi që të kundërshtojë bisedime të drejtpërdrejta me palën serbe.

Vulin në Pink ka theksuar se përkundër qëndrimit negativ nga pala kosovare, Beogradi është pro dialogut me Prishtinën, dhe se dëshiron që të gjejë zgjidhje, pasi të dëgjohen me vëmendje argumentet e saj. Ai shtoi se Beogradi po negocion më shumë me bashkësinë ndërkombëtare “sesa me Thaçin, sepse ai nuk pyetet kush e di se sa”.

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë të dielën se nuk do të ketë dialog direkt me Beogradin, pa ndërmjetësimin e Brukselin.
(REL)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch