ShqipEnglishDeutsch

Home » Intervistë, Lajme » Kolonizimi serb i Kosovës , një ëndërr e tyre e pa fund

Kolonizimi serb i Kosovës , një ëndërr e tyre e pa fund

Dr. Jusuf Osmani(Kolonizimi është një process i vazhdueshëm ku nga një qeveri qendrore komandohet domini i një vendi fqinjë apo më largë ; ku bëhet ndërrimi  total i fytyrës etnike te atij vendi)

(Colonization (or colonisation) is an ongoing process of by which a central system of power dominates the surrounding land and its components  (people) The term is derived from the Latin word colere, which means “to inhabit”.[1].Marcy Rockman; James Steele (2003). The Colonization of Unfamiliar Landscapes. )

Për kolonizimin serb  të Kosovës  (një On-going process) e bisedova  virtualisht me historianin Dr. Jusuf Osmani   . Ka shumë për të thënë , ka shumë për të shkruar  për kolonizimi i trojeve në Kosovë që  është  një proces, që pikësynim kryesor i gjithë politikës dhe i makinerisë ushtarake serbe e pastaj edhe jugosllave, në të gjitha periudhat kohore, ka qenë sllavizimi i Kosovës, si proçes  që nuk është ndalur asnjëherë.

Pra , kësaj rradhe do të na flet  Dr. Jusuf Osmani , prof. historian :

“Për të realizuar sllavizimin e territoreve shqiptare mbi popullin tonë u veprua me masa e me mjete të ndryshme politike e ushtarako-policore, kuptohet edhe me ato ekonomike e sociale. Masat ishin sa antinjerëzore, aq edhe fashiste e të egra. Ato shkonin nga ato të ngacmimit e të kontrollimit të vazhdueshëm policor, deri tek rrahjet, vrasjet e zhdukjet masive të vendësve.”
Kush punoi dhe ende punon në këtë qëllim ?
“Për realizimin e qëllimeve pushtuese të kolonizimit të Kosovës me elementin sllav dhe dëbimin e shqiptarëve nga atdheu i tyre, në politikën e tyre antishqiptare ishin angazhuar akademikë serbë, politikanë, shkrimtarë, nobelistë, historianë, ushtarakë madhor, mësues, pedagogë, diplomatë të karrierës, të cilët në bazë të udhëzimeve të kupolës së piramidës shtetërore serbe hartuan projekte, platforma, memorandume, programe, mbajtën tribuna të fshehta e të hapura, u tubuan në konferenca e simpoziume “shkencore”, organizuan tryeza të rrumbullakta në emër të “Serbisë së Vjetër”, çuan mesha drejt qiellit, shenjtëruan ose mallkuan luftëtarët serbë e shqiptarë, shkruan libra e monografi plot mllefe, shpërndanë fletushka me subjekte të trilluara dhe me ngjarje të stisura, me heronj të paqenë, me teza demagogjike që profanonin popullin shqiptare dhe kulturën, moralin dhe traditat e tij shekullore.”

Ne si shqiptar , a jemi kund me faktografinë tonë kundër  fallcifikimeve serbe dhe qëllimeve të tyre?

“Në disa shkrime, studime, por jo të mjaftueshme, studiuesit shqiptarë, historianët, analistët, shkencëtarët tanë, u janë kundërvënë si propagandës serbe, ashtu edhe deformimeve e shtrembërimeve që akademikët, shkencëtarët, letrarët, etj. serbë u kanë bërë fakteve historike. Por, botimet serbe me trillime antishqiptare, me shpifje dhe me shtrembërime të fakteve historike janë aq të shumta dhe në tirazhe aq të mëdha, sa këtë të keqe mund ta shlyejë vetëm një punë vëllimore dhe e gjatë shkencore e me përkushtim atdhetar, e historianëve, e studiuesve dhe e analistëve të paanshëm të mbështetur në të vërtetat historike, përkatësisht të akademive dhe të institucioneve tona shkencore.”
Pra ,Z. Jusuf edhe një herë ta themi se botimet serbe me trillime antishqiptare, me shpifje dhe me shtrembërime të fakteve historike janë aq të shumta dhe në tirazhe aq të mëdha, sa këtë të keqe mund ta shlyejë vetëm një punë vëllimore dhe e gjatë shkencore e me përkushtim atdhetar, e historianëve, e studiuesve dhe e analistëve të paanshëm të mbështetur në të vërtetat historike, përkatësisht të akademive dhe të institucioneve tona shkencore.”

– “Dokumentacioni i periudhës pas pushtimit osman të Kosovës hedh dritë akoma më mirë dhe jep të dhëna më të shumta, që dëshmojnë se ato banoheshin nga popullsia shqiptare, kurse serbët të ardhur si kolonistë dhe si shtresë sunduese gjatë kohës së pushtimit rasiano-serb në këto troje, përbënin një pakicë të parandësishme, por sunduese politikisht.

Gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, përkundër shpërnguljes së disa famljeve serbe nga Kosova, në anën tjetër në njëfarë mënyre kishte vazhduar edhe vendosja e disa banorëve serbë si nga vetë Serbia, apo viset malore të Malit të Zi, kryesisht si çifçinj në trevat shqiptare. Kështu pushteti osman, përkatësisht çifligarët, beglerët i sillnin dhe i vendosnin duke u dhënë tokë popullatës sllave në pjesët më pjellore të Kosovës, si p.sh. rreth lumit Sitnica, ku edhe sot ata janë të vendosur në disa vendbanime serbe. Ata këtë e bënin, sepse ajo popullatë ishte shumë e dëgjueshme dhe i shkonte përshtati beglerëve në çdo aspekt. Ndërsa, te popullata shqiptare këtë nuk ka mundur ta arrinte. Ata në forma dhe mënyra të ndryshme përvetësuan pushtetarët osmanë dhe u bënë zotërues të tërthortë apo të drejtpërdrejtë të vendeve dhe të anëve të ndryshme me shumicë absolute shqiptare, por edhe të territoreve, të cilat deri në atë kohë nuk ishin të banuara.”

Po më vonë , kur serbet u pavarësuan nga otomanet  ?

 – “Politika e Mbretërisë serbe përherë kishte për qëllim dhe synim të përhershëm grabitjen e tokave shqiptare dhe zgjerimin e tyre. Serbia shpresonte që të shfrytëzojë rastin në rrethanat e krijuara, për të gllabëruar në tërësi jo vetëm Kosovën, por edhe tërë Shqipërinë bregdetare, për të dalë në detin e hapur. Që nga viti 1844 ajo kishte përpiluar shumë programe, me të vetmin qëllim për t’i shfarosë shqiptarët si popull – për një moment ose në etapa. Ndërsa, ato vise të vendosen të kolonizohen me elementin sllav. Ata për të shkëputur pjesë nga trojet shqiptare intensifikuan veprimtarinë e tyre diplomatike. Për këtë qëllim monarkia serbe, infensifikoi edhe shtypin, publikimet dhe aktivitetin shkencor, ku synonte t’i vinte një mbështetje gjoja historike shkencore politikës grabitqare pushtuese të borgjezisë serbomadhe ndaj tokave shqiptare në Kosovë e gjetiu.
Në këtë politikë ishte dhe është angazhuar edhe shkenca serbe, sidomos për sa i përket trajtimit të së kaluarës historike dhe autoktonisë së popullit shqiptar në viset e Ballkanit, ku jeton sot, para së gjithash në Kosovë dhe në Maqedoni. Kjo “shkencë” nuk ka pasur për bazë normat dhe moralin shkencor, të vërtetën shkencore, por vetëm interesat e politikës së ditës, politikës antishqiptare. Shkencëtarët e tillë përpiqen që me çdo kusht ta mohojnë prejardhjen ilire të shqiptarëve. Ata kishin vetëm një qëllim të caktuar – mohimin e së kaluarës historike etnike të shqiptarëve, falsifikimin e historisë dhe të autoktonisë së tyre.[11] Për realizimin e kësaj, ata përdorën të gjitha format dhe metodat diplomatike e “shkencore”, duke mos kursyer më vonë edhe metodën e dhunës e të terrorit për spastrimin etnik të Kosovës, shkombëtarizimin e saj dhe kolonizimin me elementin sllav.”

E kemi thënë që: Rrjedha e historisë së Kosovës shqiptare, ndryshoi me përmasa të tjera, pas Kongresit të Berlinit më 1878 me shkëputjen e Sanxhakut të Nishit nga trugu i Vilajetit të Kosovës. Nga ai Vilajet gjatë dimrit të vitit 1877/78 u bë spastrimi etnik i shqiptarëve me masat më radikale gjatë marshimit të ushtrive serbe në këtë Sanxhak. U bë pastrimi i më se 700 vendbanimeve shqiptare dhe të përzira me popullatë tjera serbe, çerkeze etj. me më se 200.000 të dëbuar dhe vendosja e tyre kryesisht në trevat e sotme të Kosovës por edhe shpërngulja e tyre në masë të madhe në trevat e sotme të Turqisë.[15] Po ashtu gjatë viteve 1877/78 ushtria serbe kishte dëbuar nga shtëpitë e veta stërgjyshore 350.000 shqiptarë të Saxhakut të Nishit, Pirotit, Jeni Pazarit, Plavës, Gucisë, Hotit e Grudës si dhe nga një pjesë e Kosovës Veriore deri te periferia e Prishtinës.

Ushtarakët serbë për të realizuar qëllimin e dëbimit dhe të kolonizimit kishin përdorur mjetet më brutale të likuidimit fizik të shqiptarëve, duke mos i kursyer as fëmijët, gratë e pleqtë. Mbi 35.000 shqiptarë të moshave të ndryshme gjetën vdekjen nga zjarri i armëve, i bajonetave, nga djegiet për së gjalli, nga ngrirjet në dëborë e akulli. Pati edhe shumë nëna të ngrira me foshnje në gji. Pastaj ata plaçkitën, dogjën e shkatërruan shumë fshatra shqiptare. Djegiet e shkatërrimet e shtëpive të shqiptarëve qenë të pallogaritshme, gati të gjitha fshatrat shqiptare u bënë shkrum e hi në kulm të dimrit të ashpër. Vetëm në njërën nga lagjet e qytetit të Nishit qenë bërë shkrum e hi 300 shtëpi shqiptare. Grabitjet e pasurive ishin masive, duke nisur që nga stolitë dhe deri te mobiljet, shtrojë-mbulojë, veshjet, paratë, drithërat, bulmetrat, bagëtitë etj.

Po, si dhe ku vajti e vazhdoi Kolonizimi i tokave të Kosovës?
-“ Me ripushtimin e Kosovës, në vjeshtë të vitit 1918 dhe vendosjen e pushtetit serbo-malazez e vënien në funksion të aparatit të veçantë administrativo-politik, administrata shtetërore e ushtarake, krahas organizimit të operacioneve ndëshkimore, të dhunës, terrorit, vrasjeve, dënimeve të mëdha etj., në të njëjtën kohë filloi një presion politik për shkombëtarizimin e popullatës shqiptare me metoda të ndryshme. Qarqet drejtuese të Beogradit rifilluan politikën e vjetër shoveniste.[1]

Pushteti menjëherë filloi organizimin administrativ në Kosovë dhe vise të tjera për zbatimin e kolonizimit dhe reformës agrare. Regjimi i mbretit Aleksandër në vitin 1920 e ka përpiluar programin special për pastrimin e territoreve etnike shqiptare. Duke u bazuar në atë program, ushtria serbe dhe xhandarmëria kanë bërë krime të paparë, duke i djegur 182 fshatra shqiptare.[2]
Ju falemnderit profesor !

Në fund shfletoni këtë postim elektronik te librit të dr. Jusuf Osmanit, lexojeni për veti dhe i këshilloni fëmijët  , të afërmit dhe miqtë tuaj  . Këshilloni qeveritaret qe te njihen me te vërtetën e kombit ‘ Këshilloni mik e armik që ta lexojnë !“https://sq.wikibooks.org/wiki/Kolonizimi_Serb_i_Kosoves

https://sq.wikibooks.org/wiki/Kolonizimi_Serb_i_Kosov%C3%ABs/1

Fahri Xharra,14.06.16
Gjakovë

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2017 KosovaLindore – Portal Informativ · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress