Home » Lajme, Ndërkombëtare » Komisioni zviceran për migracion inspekton projektet në Kosovë

Komisioni zviceran për migracion inspekton projektet në Kosovë

KFM do të vizitojë projekte të ndryshme dhe pastaj do të raportojë për funksionimin e tyre dhe për mundësitë e angazhimit të mëtutjeshëm.

Në Prishtinë, më 14 shtator, arriti për vizitë disaditëshe delegacioni zviceran i Komisionit Federal për çështje të Migracionit (KFM). Qëllimi i vizitës është njohja me projektet e realizuara dhe ato në realizim që investohen nga shteti zviceran në fushën e migracionit.

 

Kështu, gjatë ditëve në vijim KFM do të vizitojë projekte të ndryshme dhe, natyrisht, pastaj do të raportojë për funksionimin e tyre dhe për mundësitë e angazhimit të mëtutjeshëm.

 

Dje në mesditë në aeroportin ushtarak në Gjakovë, në mesin e dhjetëra ushtarakëve, arriti delegacioni tetanëtarësh i Komisionit Federal për Migracion i udhëhequr nga kryetari i komisionit z. Walter Leimgruber. Delegacioni u prit nga zëvendësambasadori i Zvicrës në Kosovë, z. Christian Winter .

 

Pasdite delegacioni i KFM-së u prit nga Drejtoria për Zhvillim dhe Bashkëpunim e Zvicrës (origj. DEZA) në Kosovë. Për shumësinë e projekteve të ralizuara gjer më tani, dhe për ato që janë në realizim e sipër informuan drejtori i DEZA-s z. Markus Baechler, zv.drejtori Christoph Lang dhe Merita Stavileci, zyrtare e DEZA-s.

 

Referuesit dhanë një pasqyrë të shkurtër të zhvillimeve politike, ekonomike e sociale në Kosovë, duke u ndalur më shumë në bashkëpunimin e Zvicrës me Kosovën dhe në projektet e realizuara.

 

Pas referimit pasoi një diskutim konstruktiv rreth projekteve të realizuara e sidomos për mundësinë e realizimit të projekteve që nxisin një bashkëpunim më të frytshëm të mërgatës kosovare në Zvicër./albinfo.ch/


Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch