
Shtabi komunal për situata të jashtëzakonshme në Komunën Bujanocit sot ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, e cila do të hyjë në fuqi nga dita nesërme, e shtune 21 nëntor.
Vendimi u mor për shkak të situatës mjaft kritike epidemiologjike në territorin e Bujanocit.
Nagip Arifi, komandant i Shtabit për situata të jashtëzakonshme tha se, gjendja e jashtëzakonshme do të jetë në fuqi të paktën deri më 1 dhjetor.
Nga nesër (21 nëntor 2020), orari i punës i ambienteve hotelierike, dyqaneve, kazinove, bastoreve dhe të ngjashme do të jetë deri në orën 19:00 në vend të orës 21:00 si ishte më parë.
Pesë mësimdhënës të Shkollës së Mesme “Sezai Suroi” janë diagnostifikuar pozitiv me covid 19, andaj nga e hëna mësimi në këtë shkollë do të zhvillohet me platformën e mësimit në distancë (online).
Vetëm në nëntor, në Bujanoc u regjistruan 115 raste të reja me koronavirus ndërsa në tetor kishte vetëm 15.