Home » Histori, Opinione » KOMUNA E GUCISË: MIRË APO KEQ?!

KOMUNA E GUCISË: MIRË APO KEQ?!

Rexhep DEDUSHAJ Historian.

SHBA

 

 

KOMUNA E GUCISË: MIRË APO KEQ?!

 

Jemi dëshmitar të një zhurme të pa artikuluar me rastin e rithemelimit të  Komunës në Gucinë e Kelmendit!  Zhurma në fjalë lindi për shkaqe historike, ekonomike dhe politike:

HISTORIKU:

 

Gucia ka qënë qënder politiko – shoqërore që nga koha e Ilirëve.Vet emri Guci tregon se vjen nga rrënjët pellazgjiko-ilire: Guc, Gucem, Guce, e i Guceshin (pra, jo  në trajtën e sodit të fjalës Nguc por trajta e vjetër Guce).  Sllavët e kanë ndryshuar më vonë në GUSINJE e ne, Shqiptarët, e kemi zbutur pastaj në GUSI!!

Kjo qendër për herë të parë përmendet në kohën e romakëve (lexo: Ilirëve).

Në kohën e sundimit osman u ngrit në “Kaza” (nënprefekturë) dhe sundonte i gjithë Luginën e Limit deri në Beranë. Ishte qëndra e Kelmendit – Shkodra e dytë e këtij fisit të madh e të fortë që shtrihej nga Tamara e deri në Pejë e Krasniqe.

Republika e Kelmendit e quanin ca udhëpërshkrues të huaj (Lexo: Lib. R. Dedushaj “Krahina e Plavë-Gucisë nëpër shekuj” N.Y. 1993)

Gjatë kohës së Krizës Lindore (1875-1881) që nga Kongresi i Shën Stefanit, Kongresi i Berlinit dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër (më vonë) u përfshi në të gjitha dokumentet ndërkombëtare…

Ishte qëndra pothuajse e vetme që i kundërshtoi me forcë këto vendime ugurzeza dhe i theu që të gjitha. Qëndra më e pabindur atëbotë në Gadishullin ilirik.

 

Sipas zbulimeve të fundit përherë të parë pas 400-500 vjetësh këtu u përdor edhe Flamuri ynë Kombëtar . Nën këtë Flamur  Ali Pashë Gucia, në krye të 8.000 vullnetarëve shqiptar në betejat e zhvilluara në vitet 1879-1880 i theu hordhitë sllave sëbashku me vendimet e Berlinit e të Shën Stefanit. Gucia

atëbotë u shpall nga diplomacia e huaj si “Koka e Shqipërisë” dhe Aliu “si fajtori kryesor për thyerjen e vendimeve të Evropës”. (Lexo lib.

Idriz Lamaj: Luftërat për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë, 1879-80″ N.Y…)

 

Pas Luftërave Basllkanike dhe Luftës së Parë Botërore, kjo kështjellë e pamposhtur ra nën sundimin e Karagjorgjeviqëve, të cilët përveç  Gucisë e ngritën edhe Plavën si komunë. E të dyja këto ishin nënprefektura të Prefekturës së Pejës, deri me ardhjen e sllavo-komunistëve në pushtet. Ata, në vitet e 50-ta, e shuan këtë qënder përmanente shqiptare. Për ta pasur më thellë e më afër qëndrave malazeze – e krijuan vetëm një komunë – Plavën!! E bënë këtë me qëllim që t’i diskriminojnë , vobektësojnë e t’i shpërngulin më lehtë Shqiptarët e këtyre anëve. Dhe ia arritën qëllimit -fatkeqësisht.

Derisa në vitin 1916, sipas dokumentave Austro-Hungareze, 83 për qind të

popullsisë së Gucisë e përbënin Shqiptarët, sot ka fare pak të tillë aty!!!

 

Pra Gucia është shkretëruar e rraskapitur dhe pothuajse krejt e sllavizuar. E  mbajnë si shqiptarë vetëm fshatrat përreth saj: Vuthajt, Doli (Kaçaniku) e Martinajt. Por edhe ato mjaft të boshatisura.

 

EKONOMIA:

 

Gucia ka një shtrirje strategjike. E konntrollonte  rrugën mesjetare

Kotorr-Podgoricë-Pejë-Shkup.Rrugë që i sillte fitime të mëdha.

Me caktimin e kufirit shtetëror dhe me ndarjen e Këlmendit përgjysëm, Kelmendasit e Gucisë mbetën në qoshe të “dynjasë”. Ia hoqën edhe komunën, si thamë më lart, dhe filloi emigrimi i tyre në të katër anët e botës e sidomos në SHBA.

 

Tani,me rënjen e kufirit të hekurt dhe hapjen e Shqipërisë, Gucia e ka shansin me u kthye në gjendjen e përparshme, nëse nëpër të do të kalojnë rruga Deçan-Plavë-Guci-Hani i Hotit apo Podgoricë, nëpër Vellushë…

 

Me ndërtimin e rrugës Shkodër-Guci, kjo e fundit do të kthehet me fytyrë kah Kelmendi i Gurit dhe Shkodra. Dogana në Vermosh, pasuritë natyrore vendore dhe donacionet e investimet nga mërgimtarët  e shumtë mund të ndikojnë në rilindjen e Gucisë Kelmendase.

Por mvaret edhe sa Kelmendi i Gurit i kontribuon këtij përparimi. Sa ata do të lëvizin në drejtim të Gucisë?

POLITIKA ( PRAPASKENATE)

 

Që nga Lufta e Nokshiqit, më 1880, Sllavët kishin bërë plane të detajuara si ta shkatrrojnë këtë kështjellë natyrore – Gucinë me rrethinë. Ata thonin se pa e marrur Gucinë e Plavën nuk mundemi t’i marrim dot Pejën e Shkodrën. Dhe filluan t’i pastrojnë etnikisht – duke i vrarë e shkatrruar fshatrat legjendare shqiptare: Arzhanicën, Pepajt dhe Nokshiqin.

 

Gjatë gjithë kohës së komunizmit, thuhej si në barcoletë: Në Guci u ndërtua vetëm një nevojtore publike, të cilës shumë shpejt ia vodhën dyertë e u bë e papërdorëshme!!!

 

Ky moszhvillimi ekonomik dhe terrori shtetëror që u ushtrua aty, siç thamë edhe më lart, ndikoi në  boshatisjen e Vuthajve, Dolit e Martinajve që ishin mburoja e Gucisë e vet Gucia mburoja e Plavës shqiptare. Kështu,ndodhi edhe me Hotin e Zabelin shqiptare, ku një pjesë e tyre u asimiluan në “boshnjak” e të tjerët ikën në Amerikë.

 

Tani edhe me ndarjen e Gucisë, gjegjësisht Vuthajve, Martinajve e Dolit, ka me ndodh kjo: Plava do të sllavizohet tërësisht!!

 

Por, sikurse Gucinë, që pritet ta shpëtoj Kelmendi i Gurit: Vermoshi, Nikçi ,Vukli etj. Duke lëvizur në drejtim të saj – Luginës së Gucisë. Po ashtu do ta shpëtoj edhe Malësia e Gjakovës e Thethi. Edhe Plavën mund ta shpëtoj Kosova  me ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë që do ta lidhë me Kelmendin e Shkodrën. Në atë rast Plava do të kthehej me fytyrë nga Dukagjini, Malësia e Gjakovës e më larg e jo nga Vasoviqi që e ka masakruar me dhjetra herë. Pra kurrë më shumë nuk është mvarur fati i Plavës nga Kosova  sesa sot!?

 

Duhet edhe një herë një Shemsi Ferri i ri: “Me i marrë letrat e me i shkrue / N’Dukagjin me i çue / N’Dukagjin kujt mas pari?/ Se n’Junik shpisë Bajraktarit…/Në Kosovë kësaj parisë / Binu mbrapa Plavës e Gucisë…/.

 

Por si duket udhëheqja e Kosovës e ka kryer punën me atë krahinë – paralagje të Pejës. I ka shfrytëzuar në maksimium mërgimtarët e shkretë të saj duke ua marrur me miliona dollarë me premtim se porsa ta çlirojmë Kosovën do ta marrim edhe Plavën. Më vonë premtim tjetër: do ta punojmë këtë vit  e atë vit (saherë bëhen zgjedhjet, rrugën Deçan-Plavë, etj.

 

Fulterja në zjarr e peshku në det- thotë populli. Paria e Kosovës vjen e shkon dhe Mali i Zi Plavën e shkreton…

 

 

New York, më 7 janar 2014

 

_______________

Historiani Rexhep Dedushaj ka lindur në Vuthaj të Gucisë në vitin 1948, ku e kreu edhe shkollën fillore e tetëvjeçaren, ndërsa të mesmen e të lartën në Pejë, Gjakovë dhe në Prishtinë. Ka punue mësues i lëndës së historisë në shkollat shqipe të rrethit të Pejës. Në vitin 1989 detyrohet të largohet nga Kosova dhe emigron në SHBA, ku ende ndodhet në shtetin e Neë Yorkut. Ka botuar disa monografi si “Krahina e Plavë-Gucisë në shekuj”(1993) të cilin e ka botue edhe në gjuhën boshnjake  me titull “Plavo-Gusinjska nahija vekovima” (2003),“Shpërngulja e shqiptarëve të Plavë-Gucisë” (1997),  “100

vjet Luftë” (1999), “Si e gjeta dhe si e lashë shkollën shqipe në Prefekturën e Pejës” (2006), “Gjurmë mërgimtarësh” (2009), “Çung Tahiri i Vuthajve” (2013).

Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës për kontributet e tij me  botimet e tij për krahinën e Plavë-Gucisë e ka dekorue me Çmimin “Pjetër Budi” në vitin 2008.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch