Home » Lajme » Komunikat nga Partia Demokratike

Komunikat nga Partia Demokratike

K O M U N I K A T Ë

 

Kryesia e Partisë demokratike, në mbledhjen e mbajtur me datë 01.9.2011 mes tjerash analizoi përgatitjet rreth fillimit të vitit shkollor, angazhimin e kuadrit mësimor dhe furnizimi me tekste dhe mjete mësimore, si dhe procesin e regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive familjare.

 

Sa i përket përgatitjeve rreth fillimit të vitit të ri shkollorë, angazhimit të kuadrit mësimor dhe furnizimit me tekste dhe mjete mësimore, kryesia e PD-së konstatoi se, shenjat e para janë shqetësuese ngase mungojnë tekstet mësimore, duke qenë se nxënësit tanë qysh tani gjenden në dilemë se me cilat plane e programe do të mësohet, me tekstet e vjetra apo me tekstet që është dashur tani më të jenë në duart e tyre. Pra, çantat e zbrazëta janë alarm se dikush nuk po iu përmbahet premtimeve, detyrimeve dhe afateve, e veçmas Ministria e arsimit dhe Trupi koordinues, ndërsa për këtë qëllim kërkojmë nga Këshilli kombëtar dhe Drejtorati për shërbime publike  dhe veprimtari shoqërore të japin  sqarime rreth këtij procesi.

 

Gjithashtu, fakti që në disa shkolla me mësim në gjuhën shqipe anëtarët e Këshillit të shkollave caktohen nga ministria e arsimit, është alarmi tjetër i papërgjegjësisë së organeve kompetente të pushtetit lokal, ngase ato edhe pse kanë obligim ligjor që të gjitha këto Këshilla, si organe më të larta drejtuese në këto institucione, t’i emërojë për shkak të mandatit të skaduar të tyre tashmë një vit, këtë nuk e bën. Rastet më eklatante janë në Sh.f .“Muharrem Kadriu” në Tërnoc dhe Sh.f. “Ali Bektashi” në Nesalcë.

 

Problem në vete paraqet edhe angazhimi i personelit arsimor që janë në marrëdhënie pune me kohë të caktuar si dhe sistemimi i të ashtuquajturve “teprica teknologjike” në këto shkolla, të cilët i janë nënshtruar një spastrimi në vija partiake e cila na përkujton kohën e diferencimit ideopolitik. Në shënjestër të kësaj fushate janë sidomos anëtarët dhe simpatizantët e PD-së të cilët punojnë në shkollat e komunës së Bujanocit.

 

Prandaj, kryesia e PD-së dënon ashpër këto akte dhe veprime të disa drejtorëve të shkollave me mësim në gjuhën shqipe, që janë verbëruar duke i shërbyer politikës ditore.

 

Njëkohësisht ia bëjmë me dije përgjegjësve se jemi të vendosur t’i dalim në mbrojtje të gjithë personave të cilët pësojnë nga këto padrejtësi, pavarësisht orientimeve të tyre politike. Drejtorët e papërgjegjshëm, një ditë, herët a vonë, do të përballen me drejtësinë.

 

Nga organet komunale kompetente për arsimin kërkojmë që urgjentisht të ndërmarrin të gjitha masat në parandalimin e këtyre dukurive si dhe t’i përmbushin sa më parë të gjitha detyrimet në sferën e arsimit në gjuhën shqipe.

 

Në këtë mbledhje gjithashtu u analizua edhe rrjedha e procesit përgatitor që ka të bëjë me regjistrimin e popullësisë dhe ekonomive familjare. Duke i vërejtur mangësitë rreth përfaqësimit nacional në numrin e regjistruesve  dhe të instruktorëve si dhe të formularëve që janë vetëm në gjuhën serbe dhe me alfabet cirilik, na bëjnë të dyshojmë dhe të brengosemi seriozishtë se regjistrimi në kushte të tilla do të përcillet me pasoja negative dhe shumë shqetësuese për shqiptarët, dhe me këtë rast i fton organet kompetente që të veprojnë me më shumë përgjegjësi dhe syçeltësi. Varësisht nga zhvillimet e mëtejme Partia Demokratike do të dalë me qëndrim konkret rreth këtij procesi.

 

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollorë, Partia Demokratike, iu uron nxënësve dhe personelit mësimor vitin e ri shkollor me dëshirën më të sinqertë që ky vit të shënoj një kthesë pozitive në angazhimet për një arsim më të përparuar dhe sa më cilësor.

 

Në Bujanoc,

01. Shtator 2011

SHËRBIMI PËR INFORMIM I PD-së

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch