Home » Lajme, Ndërkombëtare » KONTRIBUOJMË PËR SHTËPINË TONË: SKIVJANIN

KONTRIBUOJMË PËR SHTËPINË TONË: SKIVJANIN

-Bisedë me shkas, me kryetarin e Shoqatës së mirënjohur “Skivjani” në Zvicër, zotin Bashkim KASUMAJ

Me rastin e vazhdimit të punës në qendër të Skivjanit, për rrumbullakësimin infatsrukturor të qendrës së fshatit Skivjan në Gjakovë, punë kjo që po bëhet me financimin e Shoqatës “SKIVJANI” me seli në Zvicër, Gazeta  e shfytëzoi rastin e mirë për të zhvilluar një intervistë me kryetarin e Shoqatës “Skivjani” në Zvicër, zotni Bashkim Kasumaj, veprimtar i njohur atdhetar, kulturor e humanitar.

-Zotni Kasumaj, kush është Shoqata “Skivjani”?

Shoqata “Skivjani” është grumbullim i vullnetit të qytetarëve të fshatit Skivjanj, të emigruar që prej dhjetra vitesh në të katër anët e botës; është bashkim vullnetar i mërgimtarëve të Skivjanit, të cilët nëpërmes kësaj strukture dëshirojnë që vendin e tyre ta bëjnë të mirë e miqësor edhe për vete, edhe për qytetarët e Skivjanit në Skivjan.

Përfundimisht, Shoqata “Skivjani” është zëri i mërgimtarëve të Skivjanit që nëpërmes punës së saj dëshiron që ta bëjë më të mirë vendlindjen e vetë dhe, e them me kompetencë, se ështe zë i respektuar.

-Zotni Kasumaj, cila është historia e Shoqatës “Skivjani”?

-Si strukturë e Shoqërisë Civile,  Shoqata jonë “Skivjani”, është ndërtuar në kohen e okupimit të vendit tonë, saktësisht me 07.02.1993 në Schafhausen të Zvicrres.

Ndihma e Shoqatës “Skivjani’ ka qenë në shumë drejtime: është ndihmuar fshati, shkolla, arsimtarët. Po ashtu janë ndihmuar të varfërit. Është ndihmuar infrastruktura e fshatit tonë.

Dhe, në fund, po ashtu, nga Shoqata “Skivjani” është ndihmuar popullsia gjatë kohës së Luftës në Kosovë me mjete materiale, sikurse që edhe menjëherë pas Luftës, pas fitores së saj, shoqata ka ndihmuar financiarisht në ngritjen e placës përkujtimore të Dëshmorëve dhe Martirëve të Luftës të fshatit Skivjan të Gjakovës.

-Zotni Kasumaj, pas nji pauze të gjatë Shoqata “Skivjani”, e rinisi punën e saj përsëri, pse?

-Më lejoni t’iu them menjëherë se rifillimi i punës së Shoqates “Skivjani” në vitin 2018 e, saktësisht, me 28.04.2018, ka ardhur si kërkesë e shumë qytetarëve nga Skivjani e specifikisht nga  KF “Rilindja” në Skivjan, sikurse dhe nga vet skivjanasit e emigruar në botën e jashtme.

Në Kuvendin e Shoqatës u konstatua nga pjesmarrësit se fshati ynë ka kërkesa të ndryshme që duheshin plotësuar përsa i përket ngritjes së infrastrukturës së fshatit, prandaj edhe të gjithë kuvendarët ranë dakord që Shoqata të rinisë punën e saj me qëllim mbështetjen e projektve të ndyshme, kryesisht në infrastrukturë, në mënyrë që jeta e banorëve të përmirësohet në këtë drejtim.

Kuvendi e aprovoi Statutin, nxori Kryesinë e Shoqatës dhe komisionet e saj, hapi konton e Shoqates tek banka dhe kështu struktura e Shoqatës “Skivjani” e filloi punën e vet.

-Zotni Kasumaj, cilat kanë qenë objektivat e Shoqatës “Skivjani” në kuvendin rifillues?

Do ta them këtu se objektivi i parë i kryesisë së Shoqatës ka qënë që t’ i kontaktojmë, t’i gjejmë, ta bisedojmë me të gjithë mërgimtarët idenë e rifillimit të punës së  Shoqates.

Për më tutje, objektiv i Shoqatës ka qenë që të ndihmohen të gjitha subjektet në Skivjan e të cilat për një arsye ose një tjeter nuk kanë mjaftueshëm buxhet për ekzekutimin (kryerjen/realizimin) e punëve të tyre të përditshme.

-Zonti Kasumaj, cili është numri i antarëve të Shoqatës “Skivjani” sot, aktualisht?

Deri më sot Shoqata “Skivjani” numëron 180 antarë të rregullt dhe besojmë se do të kemi edhe shumë të tjerë në të ardhmen, por çfarë dua të them është se besimi i deleguar nga të gjithë këta antarë tek struktura drejtuese e Shoqatës dhe tek fondi i Shoqatës, e bënë kryesinë e Shoqatës serioze, të përgjegjshme, shumë transparente. Duhet shtuar menjiherë këtu se Shoqata e ka standard të veçantë punën e saj me dokumente dhe vetëm me to.

-Zotni Kasumaj, çfarë keni bërë deri më sot në Skivjan pas rinisjes së punës së  Shoqatës?

Tani e kam pak të vështirë t’i numroj të gjitha punët tona edhe pse ka nji listë të veprimeve aktive të Shoqatës “Skivjani”, të veprimtarisë së saj, në  këto dy vite të rinisjes së aktivitetit të saj.

Po e provoj t’i radhisë një nga një punët e kryera deri më sot:

Ndihmë KF “Rilindja” në Skivjan. Pranverë, 2018

-Ndihmë në teknikë Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF-8) në Skivjan.

-Ndihmë në teknikë dhe rroba sportive për shkollën SHMU “Ukshin Miftari” në Skivjan.

-Ndërtimi i “Sheshit të Dëshmorve dhe Martirëve” në Skivjan, 2019.

Organizimi i Akademisë  Përkujtimore për Dëshmorët, 2019.

-Kontraktimi i punëtorit për mirëmbajtjen e “Sheshit të Dëshmorëve dhe Martirëve”, 2019

Ndihmë për ngritjen e Lapidarit të Dëshmorëve, 2019.

Ndihmë për të dyten herë Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF-8).

Ndihmë për ShQipërinë, me rastin e Tërmetit të Nëntorit 2019.

Organizimi i pritjes së Vitit të Ri 2019-2020 në “Sheshin e Dëshmorëve e Martirëve”, ndërtuar në Skivjan.

Ndihmë financiare për KF “Rilindja” në Skivjan.

Financimi i ndrresave për KF “Rilindja”.

Ndihmë për Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF-8), materiale shpenzues, me rastin e Pandemisë “Covid-19”.

Aktualisht ndërtimi i pjesës së dytë të Qendrës në Skivjan.

Shpresoj të mos kem harruar ndonjë punë tjetër në këtë rradhitje të kryer nga Shoqata jonë “Skivjani” për Skivjanin.

-Zotni Kasumaj, pse duhet t’iu besojnë mërgimtarët e Skivjanit Shoqatës tuaj “Skivjani”?

-Me të drejtë, ne duhet ta dimë në fillim se si ndërtohet ky besim dhe si delegohet po ashtu: Për më tutje, Shoqata “Skivjani” në thelb të veprimtarisë së saj e ka pasur dhe e ka në fakt ndertimin e këtij besimi, ndaj kemi deklaruar e këmbëngulim në maksimën tonë se besimi ndërtohet dhe ruhet vetëm me veprim, me angazhim, me kontribut konkret, e që në këtë rast është pagesa vjetore e antarësisë së Shoqatës e vendosur nga Kuvendi i saj apo edhe donacionet e tjera jashtë antarësisë që jipen nga qytetarët tanë në botën e jashtme, por edhe nga vet banorët e Skivjanit në Skivjan.

 Shoqata “Skivjani” e vlerëson lart kontributin dhe angazhimin e secilit, qoftë në Skivjan, qoftë në Mërgatë, dhe këtë e bënë të njohur edhe nëpërmejt mjeteve të komunikimit masiv, si gazetat, televizionet e rrjetet sociale, sikurse edhe para Kuvendit të Shoqatës. Pra, ka tranparencë totale përkundrejt kontributeve të qytetarëve.

Ky është rrugëtimi ynë përsa i përket krijmit të besimit për qytetarët tanë kontributorë.

-Zotni Kasumaj, sa keni arritur t’a krijoni këtë besim tek antarësia e Shoqatës dhe tek qytetarët e tjerë skivjanas të mërguar në botën e jashtme?

Për këtë ndoshta do të duhej pyetur anëtarët e Shoqatës, por ajo çfarë mund të them është kjo: përkushtimi, devotshmëria dhe angazhimi i tërë Kryesisë së Shoqatës e ka ndërtuar këtë besim, dhe do të ju japin gjithnjë shembullin e parë.

Shkëlzen Fetahaj, pronar i Firmës “SF Bau GmbH” në Gjermani është referencë besimi e Shoqatës “Skivjani”, kontributori më i madh në fondin e Shoqatës, me kontributin e tij prej 10.000 Euro për ndërtimin e “Sheshit të Dëshmorëve dhe Martirëve”, dëshmon më së miri se cili është besimi midis antarëve dhe strukturës drejtuese të Shoqates “Skivjani”.

Kemi edhe nji rast të dytë, këtu në Zvicërr,  zotninë Arsen Shoshi – drejtor i investimeve në “Benedict Schule”, me vëllaun e tij- Arbenin, që po ashtu e kanë mbështetur fondin e Shoqatës me 4000 Franga e që është edhe nji dëshmi tjetër se struktura e Shoqatës është e besueshme.

Qindra burra, gra, djemë e vajza të Skivjanit kanë treguar besimin e nevojshëm te struktura e Shoqatës „Skivjani“ duke u bërë pjesë e saj e kontribues në fondin e saj.

Zoti Kasumaj, cili ështe bashkëpunimi i Shoqatës „Skivjani“ me strukturat drejtuese në fshatin Skivjan?

-Shikoni, ne kemi vendosur komunikim korrekt me Këshillin Lokal në Skivjan, si strukturë legale e zgjedhur nga qytetarët e fshatit Skivjan. Kërkesat e arsyetuara me shkrim të përcjellura dhe me projektet e nevojshme, si dhe kohën e zbatimit të tyre, vijnë nga atje. Shoqata i shqyrton këto kërkesa dhe në bazë të sasisë së mjeteve finaciare që ka në dispozicion vendos nëse është i mundur financimi i projekteve të shtruara për realizim.

Deri më tani puna ka vajtur mirë, falë kontributeve të Mërgatës së Skivjanit, por edhe vet banorëve të fshatit Skivjan,

 Shpresojmë fort se ky komunikim e bashkëpunim i yni do të jetë shembull edhe për fshatrat e tjera në Kosovë, sepse Kosova e ka një mërgatë të madhe dhe njerëzit mund t’a ndihmojnë shumë vendin e tyre nëse bëjnë organizimin e nevojshëm.

Zotni Kasumaj, edhe çka ka mbetur pa u thënë?

-I nderuar! Ka mbetur shumçka pa u thënë, por unë dua që t’i falenderoi një nga një të gjithë anëtarët e Shoqatës tonë « Skivjani », të gjithë kontributorët e saj, si në Mërgim e po ashtu edhe në Vendlindje.

Sigurisht, në emër të Kryesisë së Shoqatës « SKIVJANI », une- si drejtues i saj, mund t’iu them se besimin që na keni deleguar ne si Kryesi e Shoqatës, pra si strukturë drejtuese e saj do ta menaxhojmë me përgjegjësi e seriozitet. Punët e mira për Skivjanin do të bëhen në vazhdimësi dhe ne si Kryesi kërkojmë që të bashkohen të gjithë në Shoqatën « Skivjani » dhe të kontribuojnë për shtëpinë tonë, që e ka emrin SKIVJAN. Ju faleminderit!

Bisedoi : Ramiz LUSHAJ

Zürich, 21 qershor 2020

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch