Home » Lajme, Ndërkombëtare, Rajonale » Korrigjimi i kufijve e fshin Kosovën nga Kushtetuta e Serbisë

Korrigjimi i kufijve e fshin Kosovën nga Kushtetuta e Serbisë

Nënshkrimi i një dokumenti juridikisht obligues me Kosovën, për Serbinë do të nënkuptonte edhe ndryshimin e Kushtetutës së saj, vlerësojnë njohës të zhvillimeve politike dhe ekspertë të çështjeve juridike.

Pavarësisht nga kjo, në Qeverinë e Serbisë, në Zyrën për Kosovën të kësaj qeverie e as në Kuvendin e Serbisë, nuk ka informacione se dikush po merret me këtë çështje.

Ministria e Drejtësisë e Serbisë, përmes një deklarate me shkrim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se ajo merret ekskluzivisht me amendamentet kushtetuese që ndërlidhen me gjyqësorin.

Nga Qeveria e Serbisë është thënë për Radion Evropa e Lirë se askush nuk është duke u marrë me ndryshimin e Kushtetutës në lidhje me Kosovën, ndërkohë që Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, nuk është përgjigjur fare, shkruan VOA.

Edhe më tej, në fjalorin zyrtar të zyrtarëve serbë, Kosova është “krahina jugore serbe”, ndonëse, faktikisht, nuk është e tillë gati se tash e dy dekada.

Kushtetuta e tanishme serbe thotë se Kosova është pjesë e Serbisë, ndërkaq që kufijtë, pas vitit 1999, prej kur institucionet e shtetit të Serbisë nuk janë të pranishme më në territorin e Kosovës, i quan si kufij administrativ. Çdo ndryshim do të nënkuptonte edhe ndryshim të Kushtetutës së Serbisë.

Gordana Çomiq, nënkryetare e Këshillit parlamentar për çështje kushtetuese dhe legjislative, thotë se nuk ka njohuri që ndonjë institucion apo ekip profesional po merret me dispozitat kushtetuese për Kosovën.

“Kjo nuk është temë as në opinionin tonë vendor, as në opinionin evropian e as në vendet partnere ku merren vendimet, sikurse që janë Moska ose Uashingtoni. Kushtetuta dhe preambula askund dhe për askënd nuk janë temë”, thotë Çomiq.

Megjithatë, bashkëbiseduesit e Radios Evropa e Lirë, vlerësojnë se do të ketë mjaft punë lidhur me këtë çështje.

Bogoljub Milosavljeviq, profesor i të Drejtës Kushtetuese nga Beogradi, thotë se Kosova duhet të largohet nga Kushtetuta serbe në qoftë se vendosen kufijtë me Serbinë.

“Caktimi i kufijve, në kuptimin e pranimit të pavarësisë shtetërore të Kosovës, kurrë nuk do të mund të bëhej pa ndryshimin e Kushtetutës. Së pari, ajo pjesë në të cilën thuhet që Republika e Serbisë ka në përbërjen e saj dy krahina autonome, Vojvodinën dhe Kosovën. Edhe preambula e Kushtetutës do të duhej të pësonte ndryshime, marrë parasysh që ajo u krijon organeve shtetërore obligime të caktuara lidhur me Kosovën”, shpjegon procesin Milosavljeviq.

Në Kushtetutën e Serbisë, të vitit 2006, Kosova përmendet në mënyrë eksplicite tre herë. Fillimisht në preambulë, më pas në nenet për organizimin territorial, në të cilat definohet pozita e krahinave autonome. Preambula në të cilën përmendet Kosova, nuk është pjesë obliguese e Kushtetutës, shkruan VOA.

Se a do të duhej që kjo preambulë të ndryshohej apo të fshihej tërësisht, ekzistojnë qëndrime të ndryshme në opinionin e ekspertëve.

Në pjesën normative të Kushtetutës serbe, Kosova duhet të fshihet tërësisht, shpreh mendimin Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike.

“Duhet që nga ligjet e Serbisë dhe sistemi kushtetues, të përjashtohet fjala Kosovë. Sidoqoftë, nuk ka shumë ndryshime në vetë tekstin e Kushtetutës së vitit 2006”, theksoi Janjiq.

Shënimi i kufijve me Kosovën, për të cilën po flasin kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe bashkëpunëtorët e tij, si një zgjidhje e mundshme, nënkupton përcaktimin e kufijve me Kosovën. Në nenin 8 të Kushtetutës së Serbisë thuhet që territori i Serbisë është “unik dhe i pandashëm”, ndërkaq që kufiri është “i paprekshëm”.

Shto koment

Duheni të Logoheni për të komentuar.

© 2018 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch