Home » Lajme » Kosova bllokon të gjitha mallrat e Maqedonisë

Kosova bllokon të gjitha mallrat e Maqedonisë

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari, ka deklaruar se sikundër përgjigjeje ndaj Maqedonisë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të bllokojë të gjitha mallrat e Maqedonisë.  Vendimi sipas sajë do të hyjë në fuqi nga mesnata e sotme. Ajo ka thënë se nuk do të ketë masa reciproke me shtetin maqedonas sa i përket lëvizjes së lirë të qytetarëve. “Masat tona reciproke janë vendosur për mallra tregtare dhe për kompani. Ne nuk mund të biem në atë nivel, por ne do t’i tregojmë shtetit fqinjë se ata nëse vazhdojnë t’i trajtojnë në këtë mënyrë qytetarët e Kosovës, atëherë humbjet do t’i ndjejnë drejtpërdrejt në ekonominë dhe buxhetin e tyre. Ndërsa masa reciprociteti për lëvizjen e lirë të njerëzve nuk do të ketë, për shkak se kjo do t’i  godiste shqiptarët e Maqedonisë dhe të tjerët që vijnë në Kosovë”, ka thënë Kusari për KTV-në. Qeveria e Maqedonisë ka miratuar aplikimin e masave, nga e cila qytetarët e Kosovës do të paguajnë taksa shtesë kur vendosin të shkojnë në Maqedoni. Sipas masës së vendosur, taksë prej 2 euro do të paguajë çdo shtetas i Kosovës që hyn në Maqedoni, 5 euro çdo makinë dhe 20 euro kamionët dhe autobusët me targa të Kosovës. Zyrtarë të qeverisë kanë thënë se masat do të vlejnë derisa Kosova të heqë embargon për Maqedoninë.
Masa ndëshkimore të Maqedonisë ndaj shtetasve të Kosovës


Në pikën kufitare Bllacë dhe pikat e tjera me Kosovën ka nisur pagesa e taksës hyrëse nga shtetasit e Kosovës që hyjnë në Maqedoni.

Një zyrtar i pikës kufitare nga stacioni policor kufitar në Bllacë konfirmoi sot se zyrtarisht nga mesnata ka nisur aplikimi taksës hyrëse për të gjithë shtetasit e Kosovës.

“Po, ka nisur pagesa që duhet kryer dhe procesi po ecën me vështirësi, për shkak se bëhet fjalë për një masë emergjente dhe nuk dihet se si do të vijojë më tutje”, thekson ai.

Sipas masës së vendosur, taksë prej 2 euro do të paguaj çdo shtetas i Kosovës që hyn në Maqedoni, 5 euro çdo makinë dhe 20 euro kamionët dhe autobusët me targa të Kosovës, njofton INA.

Në pikën kufitare Bllacë janë shkaktuar tollovi të mëdha dhe kolona të gjata që shkaktohen nga procedurat e pagesës së taksës.

Shtetasit e Kosovës janë shprehur të irrituar për masën e vendosur kufitare, duke theksuar se me këto vendime bllokohet lëvizja e lirë dhe marrëdhëniet midis dy vendeve.

“Po pësojmë ne qytetarët e zakonshëm. Jemi nisur për kontroll në një spital në Shkup dhe tash na bie si barrë edhe kjo taksë”, theksoi Bekim L, nga Prishtina.

Edhe nga kompania Euroins në Bllacë theksuan se ka nisur pagesa e taksës, mirëpo ajo paguhet jo përmes kompanive të sigurimeve, por drejtpërdrejt në pikat kufitare, në konton e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).

Ky vendim është marrë dy ditë më parë në Qeverinë e Maqedonisë, ndërsa nuk dihet se a kanë qenë pjesëmarrës ministrat shqiptarë. Vendimi erdhi si pasojë e vendosjes së embargos nga ana e Prishtinës për një pjesë të prodhimeve të ndryshme të Maqedonisë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch