Home » Lajme » Kosova definitivisht u bë me institucione dhe tejkaloi krizën gjashtëmujore

Kosova definitivisht u bë me institucione dhe tejkaloi krizën gjashtëmujore

Kuvendi i KosovesMe shumicë votash, Kuvendi zgjodhi Isa Mustafën kryeministër bashkë me kabinetin e tij qeveritar për mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Kabineti qeveritar i Isa Mustafës do të ketë 3 zv/kryeministra. Ata janë Hashim Thaçi (PDK), Kujtim Shala (LDK) dhe Branimir Stojanoviq (Lista Serbe). Partia Demokratike e Kosovës do t’i udhëheqë 9 ministri, Lidhja Demokratike e Kosovës 8, Lista Serbe 3 ministri dhe një post zëvendëskryeministri si dhe 1 ministri pa portfol për pakicat joserbe. Pas procedurës së votimit, qeveria është betuar se do të punojë në interes të vendit duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Kryeministri Isa Mustafa premtoi angazhim në përmbushjen e programit qeverisës, të cilin në pika të shkurta e kishte shpalosur një ditë më herët para Kuvendit.

Njohësit e skenës politike vlerësojnë se liderët nuk patën kurajën të zgjedhin ministra premtues. Përbërja e kabinetit qeveritar të koalicionit PDK-LDK, e votuar të martën në mesditë, ku pjesë dërmuese janë figura të ricikluara edhe nga përbërjet e kaluara qeveritare, është pritur me tone kritike. Analistët politikë konsiderojnë se liderët janë kujdesur që në kabinetin e vet qeveritar të angazhojnë vetëm figura të konsumuara në përbërjet e kaluara , por edhe njërëz të dëgjueshëm ndaj urdhrave të tyre, e që nuk kanë ndonjë gjurmë të mirë të lënë mbrapa në përvojën e tyre kudo që ata kanë qenë të angazhuara.

Pasi deputetët serbë morën çfarë deshën për t’u kthyer në Kuvendin e Kosovës, ministri i sapoemëruar për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq nuk e nënshkroi as betimin për qeverinë e re, me simbole të Kosovës. Ai e mori dhe e mbylli pa e firmosur dokumentin e betimit, edhe pse një gjë e tillë sanksionohet me Kushtetutë, në nenin 95 të të cilës thuhet se: “Anëtarët e Qeverisë pas zgjedhjes japin betimin para Kuvendit. Teksti i betimit rregullohet me ligj”, raporton Top Channel. Ky veprim i Jabllanoviqit bie në kundërshtim edhe me Rregulloren e Kuvendit: Neni 29, ku flitet për zgjedhjen e zgjedhja e Kryeministrit dhe e Qeverisë, në pikën e 6 të këtij neni thuhet: “Pas zgjedhjes, anëtarët e Qeverisë betohen në Kuvend. Procedura e betimit rregullohet më ligj”.

Qeveria e re e Kosovës, e cila drejtohet nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa, përveç 21 ministrave do të ketë edhe rreth 50 zëvendësministra, gjë që e bënë ekzekutivin e Kosovës më të madhin në Evropë. Në marrëveshjen për bashkëqeverisje ndërmjet PDK-së dhe LDK-së është përcaktuar që ato të kenë nga një zëvendësministër në secilën ministri. E kur kësaj i shtohen edhe kërkesat e minoriteteve që edhe ata të kenë disa poste zëvendësministrash, numri i zëvendësministrave në ekzekutiv arrin në 50, gjë e cila do të paraqesë barrë të rëndë për buxhetin e varfër të shtetit të Kosovës, shkruan “Zëri”.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch