Home » Lajme » Kosova dhe Maqedonia ta gjejnë një zgjidhje të përbashkët

Kosova dhe Maqedonia ta gjejnë një zgjidhje të përbashkët

Presidentja Atifete Jahjaga, ka thënë se situata e krijuar së fundi në mes Kosovës dhe Maqedonisë, duhet të zgjidhet në mënyrë institucionale dhe me mirëkuptim të ndërsjellë. Ajo ka thënë se u ka bërë thirrje dy Qeverive që të gjejnë një zgjidhje të përbashkët e cila është në të mirë të të dyja vendeve.

“Vlerësoj se zgjidhje e të gjitha çështjeve të hapura duhet të jetë zgjidhje institucionale dhe me mirëkuptim të ndërsjellë. Duke marrë parasysh, po ashtu, edhe strukturën e CEFTA-s, unë ju bëjë thirrje qeverive të të dyja vendeve që të gjejnë një zgjidhje të përbashkët e cila është në të mirë të të dyja vendeve por në asnjë rast dhe në asnjë moment duke cenuar lirinë e lëvizjes së njerëzve”, ka thënë ajo.

Sipas Jahjagës, Kosova dhe Maqedonia janë në proces të përbashkët për rrugën e Integrimeve Evropiane, andaj, sipas saj, kjo arrihet duke i ndihmuar njëra tjetrës. Sipas presidentes, lëvizja e lirë e qytetarëve dhe mallrave është një ndër parakushtet themelore për fqinjësi të mirë dhe Integrime Evropiane.

“Rruga e Integrimeve Evropiane për të dyja vendet është një proces i përbashkët dhe kjo mund të ndërtohet duke pas respekt për njëri-tjetrin dhe duke i ndihmuar njeri tjetrit në këtë proces. Lëvizja e lirë e qytetarëve dhe lëvizja e mallrave janë një ndër parakushtet themelore për fqinjësinë e mirë dhe procesin e integrimeve Evropiane”, ka theksuar Jahjaga.

Këto deklarata presidentja i bëri pas takimit me presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë njofton se masat e ndërmarra për bllokimin e importit të produkteve me origjinë nga Maqedonia mbesin në fuqi deri në vendimin e palës maqedonase për heqjen e të gjitha barrierave tregtare dhe të lëvizjes së lirë të njerëzve ndaj Republikës së Kosovës.

”Qeveria e Kosovës iu bën thirrje qytetarëve të Kosovës që, përveç në raste urgjente, për shkak të situatës së papërshtatshme, momentalisht t’i shmangen shkuarjes në Maqedoni.

Për shkak të bllokimit të kufirit që është bërë me automjete transportuese dhe autobusë në territorin e Maqedonisë para pikëkalimeve kufitare në Bllacë dhe Jazhincë të Maqedonisë, qytetarët e Kosovës momentalisht lejohen të kalojnë kufirin vetëm në këmbë. Aktualisht kufiri është i mbyllur për të gjitha automjetet, ndërsa kalimi i këmbësorëve bëhet pa pengesa nga të dyja anët e kufirit. Situata është e qetë dhe stabile.

Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për zgjidhjen sa më të shpejtë dhe në rrugë institucionale të problemeve tregtare dhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve me Republikën e Maqedonisë”, thuhet në njoftim.

Qytetarët shfrytëzojnë vendkalimin kufitar të Glloboçicës

Vazhdon edhe sot të mbetet i bllokuar në tërësi qarkullimi i makinave në vendkalimin kufitar Bllacë. Kamionët transportues dhe autobusët e shoqatës “Malamatrans” kanë bllokuar korsitë për hyrje dhe dalje ne Maqedoni, në shenjë revolte ndaj embargos së mallrave të vënë nga autoritetet kosovare.

Për momentin qytetarët e Kosovës, por dhe ata të Maqedonisë për të qarkulluar po e shfrytëzojnë vendkalimin kufitar të Glloboçicës.

Mediat proqeveritare në Maqedoni kanë thënë se Shkupi është i gatshëm, të vërë në zbatim edhe regjimin e vizave për shtetasit e Kosovës, me të vetmin qëllim pezullimin e embargos.

Kurse, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës edhe sot thanë se janë për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me të gjitha vendet, por përsëritën se masat a ndërmarra ndaj Maqedonisë janë bërë me qëllim të balancimit të veprimeve të qeverisë maqedonase.

Ministri i Financave, Besim Beqaj shprehu keqardhje për bllokimin e tërësishëm të kufirit nga ana e Maqedonisë, por theksoi se qeveria e Kosovës gjithnjë do ta ruajnë identitetin shtetëror, interesin e qytetarit dhe të ekonomisë vendore.

”Qeveria e Kosovës ka qenë e shtyrë të marrë vendim për bllokimin e mallrave me origjinë nga Maqedonia, si kundërpërgjigje ndaj masave të marra nga qeveria maqedonase, fillimisht për bllokimin e miellit dhe më pas edhe për pengimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve”, ka theksuar Beqaj në një takim me përfaqësues të biznesit dhe të shoqatave të prodhuesve dhe përpunuesve të produkteve ushqimore.

Beqaj theksoi se edhe në takimin e djeshëm ua kanë bërë me dije zyrtarëve të qeverisë maqedonase se janë për fqinjësi të mirë dhe marrëdhënie të mira ekonomike, por theksoi se qeveria angazhohet për mbrojtjen e interesit të Kosovës.

Kryetari i Odës Ekonomike Safet Gërxhaliu, tha se bllokadat e ndryshme që vendet e tjera ia bëjnë Kosovës, duhet të na shtyjnë të forcojmë kapacitetet e brendshme dhe prodhimin vendor.

Kurse kryetari i Aleancës së bizneseve, Agim Shahini, theksoi se Kosova nuk do të ketë krizë nga bllokada e Maqedonisë, por tash do të gjenden rrugë alternative te furnizimit.

Ndryshe, në këtë takim u bë e ditur se prej sot do të zbatohet norma e sheshtë e tatimit për bujqit, nga 16 për qind në zero, që pritet të ndikojë në zhvillimin e mëtejme të sektorit të bujqësisë.
(RTK)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch