Home » Lajme, Vendore » Kosova i thotë “lamtumirë” mbikëqyrjes

Kosova i thotë “lamtumirë” mbikëqyrjes

Përfaqësuesit e shteteve ndërkombëtare thanë se më 10 shtator nuk ka përfunduar edhe mbështetja ndërkombëtare për Kosovën, por përkundrazi, ka filluar një fazë e re e mbështetjes dhe e përkrahjes

Grupi Drejtues Ndërkombëtar i përbërë nga 25 shtete, prej tyre 23 të Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqia, i dhanë fund të hënën pasdite mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Me këtë rast ata ia mundësuan Kosovës që pas 4 vjet mbikëqyrjeje të bëhet shtet me sovranitet të plotë.

 

Edhe pse 10 shtatori nga institucionet në Prishtinë është konsideruar shumë i rëndësishëm, madje dita e dytë me rëndësi pas pavarësisë, në kryeqytet nuk është vërejtur ditë feste. Madje, nuk ka pasur as turma njerëzish, e as flamuj shtetërorë. Të vetmit pothuajse që janë dukur të gëzuar kanë qenë përfaqësuesit e institucioneve.

 

Pavarësisht që kjo ditë u konsiderua historike, përfaqësuesit e shteteve ndërkombëtare thanë se më 10 shtator nuk ka përfunduar edhe mbështetja ndërkombëtare për Kosovën, por përkundrazi, ka filluar një fazë e re e mbështetjes dhe e përkrahjes.

 

Përmbyllja e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës nuk e ka fshirë një “njollë të zezë” në shtetin e ri. Është pjesa veriore e banuar me serbë, e cila edhe më tej nuk e pranon Pakon e ish-presidentit Martti Ahtisari. Por, përfaqësuesit ndërkombëtarë shpresojnë se edhe kjo “njollë” do të hiqet.

 

Në kryeqytetin e Kosovës të hënën kanë qenë disa delegacione nga shumë shtete ndërkombëtare, përfshirë SHBA-në, Japoninë, Turqinë dhe vendet e BE-së. Këtu nuk kanë munguar as arkitektët e pavarësisë së Kosovës, treshja e bisedimeve, Marty Ahtisari, Frank Winser dhe Wolfgan Ishinger. Ata janë pritur në aeroportin “Adem Jashari” nga Garda Ceremoniale e FSK-së.

 

Ata inkurajuan Prishtinën zyrtare që të punojë pareshtur në ushtrimin e sovranitetit të plotë në gjithë territorin e vendit. Për përpjekjet e tyre gjatë bisedimeve dhe për pritjet për Kosovën, tre përfaqësuesit ndërkombëtarë folën në një seancë solemne të Kuvendit të Kosovës.

 

I pari, Ahtisari, tha se plani i tij për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës fillimisht ishte parë si utopi, por më vonë doli si diçka konkrete dhe e realizueshme, duke respektuar pakicat që jetojnë në Kosovë.

 

“Kur e pata propozuar planin, kam qenë i vetëdijshëm se do të jetë një rrugëtim i gjatë dhe i vështirë, por po qëndroj sot këtu para jush për të festuar përfundimin e një rrugëtimi të gjatë, ndonëse po shënojmë edhe fillimin e një rrugëtimi tjetër të ri dhe të mundimshëm”, ka thënë Ahtisari, fitues i çmimit Nobel për Paqe.

 

Para ligjvënësve kosovarë folën edhe dy përfaqësuesit e bisedimeve për statusin e Kosovës, Frenk Wisner i SHBA-së dhe Vofgand Ishinger i BE-së. Wisner kërkoi nga autoritetet në Prishtinë që të shtrijnë autoritetin edhe në veri, derisa inkurajoi për vazhdimin e bisedimeve me Beogradin.

 

Wisner tha se është e rëndësishme që të shuhen strukturat paralele në pjesën veriore të vendit, në mënyrë që të arrihet, sipas tij, paqja në atë pjesë. Ai derisa kërkoi forcimin e rendit dhe ligjit dhe zhvillimin ekonomik të vendit, kërkoi që të ndërmerren iniciativa të reja diplomatike për njohje të reja të shtetit të Kosovës, me qëllim të integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike.

 

Ndërsa Vofgand Ishinger përmendi modelin gjerman si zgjidhje të problemit të veriut. “Ju duhet të keni modele kreative, siç është modeli gjerman dhe në këtë drejtim duhet të shfrytëzoni sovranitetin tuaj të plotë për t’i ushtruar përgjegjësitë edhe në veri”, ka thënë Ishinger, duke kërkuar po ashtu sundim të rendit dhe ligjit dhe luftë kundër korrupsionit.

 

Në emër të Grupit Drejtues Ndërkombëtar foli edhe zëvendëskancelari austriak, Mihael Shpindeleger, i cili tha se pas epilogut të mbikëqyrjes, po fillon faza e rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së. “Kosova e ka hapur një kapitull të ri të shtetësisë së saj, derisa kosovarët mund të krenohen me të arriturat e tyre”, ka thënë Spindelegger.

 

Ndërsa njeriu që mbikëqyri nga afër zbatimin e pakos së Ahtisarit, shefi i ICO-s, Piter Feith, tha para medieve në gjuhën shqipe se “Pavarësia juaj e mbikëqyrur ka përfunduar”.

 

“Duke integruar në Kushtetutë të gjitha ligjet që janë parim thelbësor i pakos së Ahisarit, Qeveria ka arritur të përmbushë planin Ahtisari. Prandaj, me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë Kosova gjithmonë do të fitojë nga miqësia me SHBA-në dhe BE-në”, ka deklaruar Feith.

 

Ai tha se sfida kryesore për Qeverinë e Kosovës mbetet veriu, ndërsa zgjidhja e këtij problemi, sipas tij, është në duart e Qeverisë së kryeministrit Thaçi.

 

“Moszbatimi i planit të Ahtisarit në veri vazhdon të mbetet sfidë për institucionet e Kosovës dhe se kjo pjesë ka qenë problematike edhe para shpalljes së pavarësisë. Dua të përmend se fatkeqësisht autoritetet e Prishtinës nuk ushtrojnë kontrollin efektiv në veri, dhe qytetarët atje më shumë shohin kah Beogradi sesa kah Prishtina”, ka thënë ai.

 

Për fundin e mbikëqyrjes kanë folur edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, presidentja Atifete Jahjaga, kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe kryeministri Hashim Thaçi.

 

“Kosova me sukses po e përmbyll fazën e mbikëqyrjes së pavarësisë së saj, që tregon se institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës janë të përkushtuar dhe të përgjegjshëm t’i kryejnë të gjitha obligimet në funksionimin e shtetit në të gjitha segmentet e punës dhe jetës”, tha presidentja Jahjaga.

 

Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi tha se me përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës po fillon një kapitull i ri. “Ndonëse progres i madh është shënuar dhe kemi bërë shumë hapa përpara, Kosova e vitit 2012 nuk është ende Kosova e ëndrrave tona. Nuk është ende Kosova që duam t’ua lëmë trashëgimi fëmijëve tanë’, tha Thaçi.

 

Ndryshe, më 2 shkurt 2007, Maty Ahtisaari pas disa muaj bisedimesh ia dorëzoi draftin e parë të propozimit të tij Prishtinës dhe Beogradit, duke konsideruar këtë si propozim kompromisi.

 

Plani i tij parashikonte të miratohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndërsa parashikonte që Kosova të pavarësohet, por do të mbikëqyret në një fazë të caktuar nga bashkësia ndërkombëtare.

 

Planin e tij Ahtisaari ia dorëzoi sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara më 26 mars 2007, me rekomandimin që Kosova të fitojë një pavarësi të mbikëqyrur. Plani u mbështet nga Prishtina, por u kundërshtua dhe vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi./albinfo.ch/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch