Home » Opinione » Kosova në pritje të “zarfit”?

Kosova në pritje të “zarfit”?

Nehat Hyseni1Shkruan: Nehat Hyseni

Ngërçi politik aktual, që është shkaktuar për shkak të pretendimit të PDK-së se është parti fituese e zgjedhjeve të jashtëzakonëshme parlamentare të 8 qershorit 2014, meqë  koalicioni parazgjedhor i saj me disa parti, ka arritur që t’i fitoj gjithsej 37 deputetë, dmth. reth 30%, ose më pak se 1/3 e 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Si parti e parë, PDK-së i takon e drejta që e para të propozoj kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës dhe të nominohet si mandatare për formimin e Qeverisë së re.
Mirëpo, pasi që asnjëra parti politike shqiptare nuk pranoi të bashkëqeverisë me PDK-në, ato formuan Koalicionin paszgjedhor “anti PDK”. Kështu, kjo parti nuk mundi të krijoj mazhorancë qeverisëse, meqë nuk arriti kurrësesi t’i siguroj 61 deputetë, si minimum i domosdoshëm për ta fituar pushtetin.
Por, sherri i PDK-së, si hakmarrje ndaj partive tjera shqiptare filloi ta ngrisë kryet, duke vënë në lojë fillimisht Presidenten, e cila kërkoi “sqarim” nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës lidhur me atë se cila është partia fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit dhe rrjedhimisht, cilës parti apo grupim politik i takon e drejta për ta propozuar kryeparlamentarin dhe nominimi për mandatar të formimit të Qeverisë së re.
Ky ishte gabim i madh i Presidentes, meqë ajo me këtë gjest u rrjeshtua publikisht kundër Koalicionit paszgjedhor LANV dhe në favor të PDK-së, meqë dihej apriori vendimi i Kushtetueses, ku disa gjyqëtarë janë militantë fanatikë të PDK-së, të cilët madje nuk hezituan të jenë pjesë e fushatës parazgjedhore të PDK-së për zgjedhjet e jashtëzakonëshme parlamentare të 8 qershorit 2014.
Humbja e paanësisë midis palëve nga Presidentja ishte shkelje e obligimeve Kushtetuese të sajë për të siguruar unitetin e popullit dhe shkaktoi pezëm dhe mllef tek shumica e popullit të Kosovës, meqë në sytë e tyre e humbi besueshmërinë dhe kredibilitetin për të qenë e denjë për postin që ushtron.
Prandaj, takimi tek Presidentja i palëve rivale PDK dhe Koalicionit LANV, që po përflitet si opsion i mundshëm  për daljen nga ngërçi politik aktual, nendoj se nuk është i preferueshëm dhe, për shkaqet e përmendura të humbjes së paanësisë së Presidentes, nuk do të mund të ofroj zgjidhjen e duhur.

Sepse, tek e fundit, aty nuk do të ndahej drejtësi, por vetëm do të shfrytëzohej takimi si “shteg jodemokratik” i zhvendosjes së debatit  nga Kuvendi i Kosovës, ku realisht edhe e ka vendin në çdo vend me demokraci të zhvilluar parlamentare.
Parmamentit i është mbyllur goja nga deputetja Brovina, e cila e ka bllokuar fare debatin, duke mos lejuar fare të debatohet aty.
Mbledhja e 18 shtatorit ishte e shkurtër jashtëzakonisht shumë, madje në disa media u tha se mund të hyjë në Librin e rekordeve të Ginisit, për kohëzgjatjen më të shkurtër të mbledhjes, e cila zgjati gjithsej 7 (shtatë) minuta!
Marrëveshja eventuale nga takimi tek Presidentja do të paraqiste akt jodemokratik dhe kompromis me demokracinë parlamentare në favor të autokracisë dhe oligarkisë politike të Kosovës.
Ajo marrëveshje eventuale do të imponohen si mbrojtje e PDK-së kundrejtë Koalicionit LANV që e ka shumicën në Kuvendin e Kosovës.
Prandaj, nuk bëhet fjalë fare për marrëveshje këtu, por është fjala për pazarllëqe dhe për imponim të kompromisit ndaj PDK-së, duke e bërë pjesë të bashkëqeverisjes.
Ky pretendim i PDK-së dhe kryeministrit në largim, Hashim Thaçit është e pamundur të arrihet në Kuvendin e Kosovës, meqë nuk i ka numrat e mjaftueshëm për këtë, prandaj edhe po e instrumentaluzon Kushtetuesen dhe Presidenten për arritjen e pretendimeve të veta politike.
Unë do të apeloja që të mos krijojmë precedent negativ, që do të na dëmtoj në hapërimin e shtetndërtimit tonë në baza të forta të demokracisë së mirëfilltë parlamentare, duke vendosur në bazë të shumicës parlamentare.
Ashtu vepron bota me demokraci të zhvilluar  ku vendimmarrja nuk korruptohet dhe devijohet nga marrëveshjet joparimore dhe pazarllëqet e ndryshme.
Duhet të mos harrojmë se Kosova është projekt i demokracive të zhvilluara europiane dhe të SHBA-së dhe mendoj se do të gabonim rëndë sikur të mos e ndiqnim rrugën e tyre të demokracisë së papenguar e pakorruptuar parlamentare, si model i çmuar edhe për ne.
Prandaj, zgjidhja e ngërçit politik aktual duhet gjetur me debat demokratik në Kuvendin e Kosovës dhe me vendimmarrje demokratike në bazë të shumicës, si parim bazë dhe elementar i demokracive të zhvilluara.
Çdo rrugëzgjidhje tjetër do të jipte efekte afatshkurtëra, por me pasoja serioze dhe afatgjata për shtetndërtimin dhe demokracinë e mirëfilltë parlamentare tek ne në të ardhmen.
Zhagitja e pafund e bllokadës mund t’i nxisē miqtë tanē ndërkombëtarë nga BE dhe SHBA-të që të na “sugjerojnë” kompromis, me dhënien e “propozimeve nga zarfi”, që realisht nuk do të na bënte nderë aspak, meqë do ta komprometonte aftësinë tonë për shtetndërtim dhe demokraci të mirëfilltë parlamentare. Kuptohet se “propozimet” e tilla eventuale, askush nuk do të mund t’i refuzonte.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch