Home » Opinione » Kosova në votime të parakohëshme

Kosova në votime të parakohëshme

Përshtypje udhëtimi

Para gjashte javësh të dy partitë më të mëdha në Kosovë, PDK dhe LDK ia arritën ta shpërndajnë parlamentin para përfundimit normal të mandatit të vet. Qëllimi: krijimi i një raporti të ri forcash që do mundësonte një vendimmarrje më të fortë. Madje u caktua data 8 qershor për zgjedhjet e reja të parakohëshme gjë që nuk u ujdiste së pari partive më të vogla, pasi ato kërkonin më shumë kohë për fushatë. Nga ana tjetër, të gjitha partitë në eufori deklaronin fitore…

Prishtin rrethi

Prishtina me 8 qershor 2014

Kështu bashkë me time shoqe, si shtetas edhe të Kosovës, udhëtuam për atje të dielën e votimeve.  Qendra jonë ishte në Babushin e Muhaxherëve, sikurse edhe më parë. Por në stacionin e autobuzëve në Prishtinë nuk po lëvizte asnjë autobus për shkollën 9-vjeçare “Faik Konica”. Na shpëtoi im kushëri, Besimi, si gjithnjë, i cili erdhi me makinën e vet dhe të birin, Laurentin. Atmosferë e qetë si përherë në Babush, moti i kthjellët, pak ngrohtë. Gjetëm emrat tonë në listë, morëm fletvotimin dhe shënuam në kabinën e fshehtë. Por, ndonëse emrat e partive ishin të qarta në anën e majtë, ato të kandidatëve të parapëlqyer sipas partisë përkatëse  ishin zevëndësuar me numra. Kishe të drejtë të shënoje deri në pesë prej tyre. Por nuk e dinim korespondencën kandidat- numër, prandaj shënuam vetëm partinë dhe votuam.

Babushi i Muhaxhereve para shkolle

Para shkolles Faik Konica, Babushi i Muhaxhereve

 

Që andej, Besimi na shoqëroi për në Gllavicë, fshatin tim të lindjes. Për atje kaluam nga Gadimja e Poshtëme, një fshat i madh, ku ndodhet edhe Shpella e famshme e mermerit. E zbuluar rastësisht nga një fshatar që nxirrte gurë për vete në vitin 1967, kjo shpellë është vizituar deri tani nga një numër bukur i amdh turistësh vendas e të huaj megjithë investimet e pakta në të. Por Besimi më tha se shpella është mbyllur nga shteti përkohësisht pasi zbuluesi i isaj po mëton ta përvetësojë dhe t’i marrë vetë të ardhurat…Diçka e papranueshme natyrisht që do marrë zgjidhje shpejt.

Në  hyrje të Gllavicës na ra në sy një xhami në ndërtim. Ishte me disa kupola të vogla. Nuk ka pasur më parë, pasi vetë fshati ka qenë me pak shtëpi.  Vizituam kushëririn tim, Shemsiun, që ka ngritur dy shtëpi të reja të bukura në mes të një kopshti plot gjelbërim. Kisha qenë aty para një viti, kur nipi, Gjergji, ishte fare i vogël. Tani ai bridhte nëpër kopësht dhe ishte bërë shumë i bukur. Shemsiu është profesor universiteti, por punon edhe vetë në kopësht dhe arë, bashkë me të shoqen, ish mësuese

Gjergji Reçica

Gjergji Reçica

Patjetër duhet të takonim edhe familjen e Besimit  në Çellopek, një fshat tjetër i këndëshëm, jo shumë larg.  Në hyrje të fshatit është ngritur një shkollë amerikane për fëmijë. E vizitova, ndonëse ishte ditë pushimi. Aty do niste shkollën Laurenti në shtator. Jo larg është edhe gjimnazi turk “Mehmet Akif” që sikurse të ngjashmit e tij në Shqipëri, ka dëshmuar deri tani për seriozitet e cilësi.

Kolegji amerikan

Kolegji amerikan

Në shtëpinë e Besimit na priste i ati, Faiku, me nusen dhe vajzën e Besimit. Ata kanë krijuar një mjedis shumë të rehatshëm për vete, falë punës së palodhur. Uji dhe energjia elektrike nuk mungon kurrë, kopshti dhe ara japin prodhime gjithëfarësh. Atëkohë erdhi edhe kushëriri tjetër, Dalipi, me banim në Shkup, që sapo kishte votuar edhe ai. U bashkua me ne.

Ne shtepine e Faik Hoxhes

Ne shtepine e Faik Hoxhes

Na telefonoi Behadini, miku nga Shtimja i cili na ftoi për një kafe. Do vinin edhe drejtues të komunës së Lipjanit, Fitimi e Heseti. Kaluam kështu një orë në terasën e “SuperViva-s” mbi një godinë të re që mbizotëron pejzazhin e qytetit në zhvillim të pandërprerë. E pyeta nënkryetarin e Komunës, Fitimin, si ka dalë bilanci i 100 ditëve të para pas zgjedhjeve vendore me 2 dhjetor. Kemi arritur, m’u përgjigj ai, t’i pakësojmë shpenzimet administrative rreth 32 %, pra kemi zvoluar të keqen që na ka prekur më parë..Sigurisht nuk është e lehtë të drejtosh me një buxhet të kufizuar, me një një borxh të bartur, me aq shumë problem që kanë njerëzit..

Nje kafe te Super Viva

Nje kafe te Super Viva

Më kish ngelur “peng” një vizitë në Janjevë, vendlindjen e At Shtjefën Gjeçovit, ku është çelur edhe shkolla e parë shqipe në Kosovë. Besimi ma plotësoi këtë kërkesë, aq më tepër që atje ka njerëzit e të shoqes, që po na shoqëronte gjithashtu. Ne Kosovë rrugët janë të shumta dhe të japin mundësinë të arrish një objekt nga disa drejtime. Kaluam për në Janjevë në disa fshatra të banuar më shumë nga serbë si Dobratini etj, pranë fushave të gjera me grurë dhe gjelbërimit të dukshëm kudo. Janjeva ndodhej në një grykë kodrinore, mund të them strategjike, me lagjet në shpate kodrash, rrugë të kalldrëmta, shtëpi me arkitekturë të larmishme. Më kujtonte disa lagje të Prizrenit rrëzë kalasë. Por Janjeva ka edhe element të tjerë ngjashmërie me Prizrenin. Aty banojnë shqiptarë të feve të ndryshme (Sunitë, bektashinj, katolikë) si dhe serbë. Dikur ka pasur edhe kroatë.

Kaluam pranë “Metalac-it” ndërmarrjes së madhe metalike të dikurshme me 2000 punëtorë, që tani ishte mbyllur, por ndërtesa pothuaj nuk ishte dëmtuar fare. Ja dhe shkolla në majë të kodrës, por nuk kishim kohë të vinim deri atje, po ashtu as të shihnim shtëpinë muze të Gjeçovit. Ishte kohë zgjedhjesh, kishte shumë njeërz, vetura. Ndalëm pak në shtëpinë e miqve të Besimit, ku i zoti, një burrë shtatlart me fest ë bardhë na bëri muhabet. Dikur kishte punuar në Gjermani bashkë me të birin, tani merreshin me punë këtu. Kishin edhe shumë toka.

Duke dalë nga Janjeva nëpërmjet një rrugë tjetër, Dalipi na propozoi të ndaleshim te kompleksi turistik “Ania” i ngritur disa vite më parë. Ishte një mrekulli. Nuk them “oazë” sepse rreth e qark ka gjelbërim, por një vend rilaksimi për qindra banorë edhe nga Prishtina që ndodhet 10 km larg. Bukurinë ia shtonte edhe moti i shkëlqyer atë ditë.

Kompleksi Ania

“Kompleksi Ania”

Do ktheheshim për Prishtinë nëpërmjet Graçanicës. Nuk kisha kaluar më parë as aty. Pamë dhjetëra shtëpi të reja të bukura me arkitekturë të njëjtë, të ndërtuara nga qeveria e Kosovës për serbët e shpërngulur. Më duket se ka dhënë ndihmesë edhe qeveria e Shqipërisë.

Graçanica

Graçanica

Një mur i lartë dhe tepër i gjatë rrethonte pronën e Manastirit të njohur tashmë, që sikurse dhjetëra të ngjashëm në tërë Kosovën siguron prona bukur të mëdha në bazë të marrëveshjes së Ahtisaarit dhe u shërben aq pak serbëve..i rrethuar gjithnjë me mister për shqiptarët jashtë tij.

Graçanica Muri rrethues i Manastirit

Muri rrethues i Manastirit te Graçnices

Në Çagllavicë u kthyem për në bllokun e ri rezidencial “Qendresa” ku ka ndërtuar një vilë kushëriri im, Rakipi. Atje kam qenë shpesh por ime shoqe vinte për herë të parë. Takuam Rakipin me të shoqen, Taipen gjithnjë mikpritës, por nuk mund të rrinim gjatë pasi duhet ta kapnim autobuzin “Kei Reisen” të orës 15-30. Besimi me të shoqen dhe Dalipin u kthyen në Çellopek ndërsa Rakipi na shoqëroi për në stacionin e autobuzëve të Prishtinës.

Bëra disa telefonata te miq të tjerë, si shkrimtari dhe profesori Sali Bashota, të cilit do t’i botohet së shpejti një vëllim me poezi  të tija përkthyer në Esperanto; vëllau Adem i cili atë ditë do takohej më shumë bashkëvujtës ende gjallë në burgjet jugosllave; profesori Agim Zajmi që po kujdeset për enciklopedinë e re të Kosovës ku është një vend edhe për tim atë. Por ajo që më gëzoi ishte fakti që arrita të lidhem nëpërmjet Behadinit, më drejtorin e gjimnazit “Sami Frashëri”, ish Normalja e Kosovës gjatë viteve 1941-1944. Tre vjet më pare, me rastin e 70- vjetorit, ky gjimnaz kishte shpërndarë “Mirënjohje” për ish mësimdhënësit në atë periudhë, përfshi edhe tim atë. U interesova edhe për ish drejtorin atëhere, prof. Ahmet Latif Gashin dhe të birin, Luan Gashin.   Kishte Mirënjohje edh për ata por drejtoria nuk dinte ku t’i dorëzonte. E mora përsipër nëpërmjet Behadinit sikurse edhe për Mirënjohjen e Abdurrahim Buzës dhe ndonjë tjetri ,si Filip Ndocaj pasi pasardhësit e tyre janë në Tiranë. Shpresojmë të gjejmë edhe familjarët e Ernest Koliqit, Vasil Andonit, Xhavit Serreqit, Ali Hashorvës, Rauf Zajmit, Adem Bazhdarit, Kolë Parubit, Lirak Dodbibajt e Miftar Spahisë, që ende qendrojnë në sirtëret e drejtorisë së asaj shkolle.

Behadini më tha se kjo shkollë do ndahet në dy dy shkolla me profile natyrorë dhe shoqërorë këtë shtator. Pra njëra syresh ka nevojë për një emër. Është një rast shumë i mirë që ajo të marrë emrin e prof. Ahmet Latif Gashit, ish drejtorit të saj nga Prishtina por që ka punuar e jetuar në Tiranë që nga viti 1912, që ka drejtuar shumë vjet Normalen e Elbasanit, ka dhënë mësim në Institutin Femror në Tiranë, ka qenë antar i National Geographic, pasi është autor i Hartës së parë Etnike të shqiptarëve. Behadini më siguroi që do bëjë çmos që kjo të realizohet, gjë që do gëzonte jo vetëm fëmijët e profesorit të nderuar.

Kështu kaloi edhe një ditë në Kosovë plot takime dhe përshtypje.

Bardhyl Selimi, qershor 2014

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch