Home » Lajme, Opinione » Kosova nuk ka qasje dhe program të qartë ndaj çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës

Kosova nuk ka qasje dhe program të qartë ndaj çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës

Nga Nehati Hyseni

Qasja e partive politike dhe qeverive të Republikës së Kosovës, edhe sot e kësaj dite, 18 pas çlirimit të saj nga Serbia dhe nëntë vjet pas shpalljes së Pavarësisë, thënë më së buti, len shumë për të dëshiruar!
Lugina e Preshevës, që përfshinë tri komuna të banuara me shqiptarë: Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, me gjithsej 1250 km2, ku nga 100.000 shqiptarë që ishin para vitit 1999, aktualisht kanë mbetur vetëm reth 60.000 shqiptarë.
Nga viti 1999, meqë mbetën nën regjimin e pamëshirshëm antishqiptar të Serbisë, gjendja e tyre është përkeqësuar në mënyrë dramatike, duke u shndërruar në komunitetin më të diskriminuar në Europë!
Kjo pjesë e Shqiptarisë, rrezikon realisht që me shpejtësi të rrufeshme të shndërrohet në “Çamëri të dytë”, duke mbetur shkret të pronave të pothuajse gjysmës së vendbanimeve dhe sidomos fshatrave, si fantazma, pa shqiptarë!
Tmerret e Luftës së vitit 1999, që Kosovës i sollën lirinë nga okupimi 97 vjeçarë nga Serbia, dmth. që nga viti 1912-1999, kurse për shqiptarët e kësaj pjese të gjeografisë kombëtare, nuk ishin të fundit.
Atyre iu deshtë që edhe një herë t’i rrokin armët në periudhën 2000-2001, për ta mbrojtur pragun e shtëpisë nga bandat, paramilitarët dhe hordhitë e shfrenuara serbo-çetnike, si dhe nga ushtria e policia serbe e çartur dhe gjakatare e Serbisë.
Por, megjithatë, mjerisht, nuk ia dolën që të shkëputen dhe të çlirohen nga Serbia dhe t’i bashkëngjiten Kosovës, që ishte dëshirë dhe ëndërr e kahmotëshme e tyre.
Këtë dëshirë dhe vullnet politik të vetin, shqiptarët e këtyre komunave, që nga viti 2000, nga ndërkombëtarët filluan të emërtohen me emërues të përbashkët: “Luginë e Preshevës”, kurse për pjesën më të madhe të shqiptarve, kjo pjesë e Shqiptarisë më me ëndje cilësohet si “Kosovë Lindore”, ata e kishin shprehur në Referendumin për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën”, të 1 dhe 2 marsit 1992.
Edhepse shqiptarët e Luginës luftuan me armë në dorë edhe pas vitit 1999, siç dihet, Marrëveshja e Konçulit e vitit 2001, nuk i solli lirinë shqiptarve të Luginës së Preshevës.
Madje ajo marrëveshje nuk u morr seriozisht nga Serbia e as nga ndërkombëtarët.
Kurse, Shqipëria, nuk miratoi asnjë Rezolutë lidhur me gjendjen e shqiptarve në Serbi, si dhe për kujdesin dhe obligimet e saj karshi zbatimit të marrëveshjeve të përmendura dhe pozitës së shqiptarve në këto dy shtete të Ballkanit.
Ndërkaq, Republika e Kosovës, me nisiativën e deputetit të LDK-së, Lutfi Haziri, në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës të 31 majit 2013 organizoi debatin, që zgjati nga ora 10:00 deri në orën 18, me pauzën për drekë. Kurse, më 6 qershor e miratoi
“Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Nr. 04-R-011, të 6 qershorit 2013:
“1. Qeveria e Republikës së Kosovës të kushtëzojë marrëdhëniet me Serbinë, me kujdesin dhe interesimin shtetëror për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë lidhur me të drejtat e tyre civile, politike dhe etnike;
2. Qeveria e Republikës së Kosovës të ketë më shumë përkujdesje dhe trajtim më të mirë për qytetarët shqiptarë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, të cilët janë shpërngulur në Kosovë duke iu garantuar të drejta të plota dhe të barabarta;
3. Qeveria e Republikës së Kosovës të hapë një zyre në Prishtinë dhe në Gjilan për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me qëllim mbrojtjen dhe përmirësimin e gjendjes
dhe atyre të cilët janë shpërngulur nga atje sipas normave ndërkombëtare;
4. Të krijohen lehtësi të qarkullimit, shkollimit, afirmimit kulturor, pajisjeve me dokumente përkatëse si dhe lehtësi tjera, duke përfshirë suspendimin e taksës diskriminuese;
5. Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkon nga institucionet ndërkombëtare dhe institucionet relevante që të liroj të burgosurit politikë duke përfshirë të ashtuquajturin
grupin e Gjilanit që janë viktima të një procesi të montuar politik;
6. Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkoj reciprocitet të plotë me të drejtat e serbëve
pakicë në veri të Kosovës;
7. Kuvendi i Republikës së Kosovë mbështet nismën e themelimit të një Universiteti Publik në gjuhën shqipe dhe fton përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të marrin nismë
ligjore;
8. Kuvendi i Republikës së Kosovë mbështet themelimin e fondit zhvillimor për Preshevë,
Bujanoc dhe Medvegjë me iniciativën e Qeverisë së Kosovës dhe në koordinim me
institucionet ndërkombëtare dhe evropiane;
9. Kuvendi i Republikës së Kosovës fton Këshillin e Evropës dhe organizatat tjera
ndërkombëtare që të angazhohen për detyrimin e Republikës së Serbisë për të respektuar të gjitha të drejtat që dalin nga Konventat ndërkombëtare;
10. Qeveria e Republikës së Kosovës të themelon grupin ndërministror për implementim që përfshin edhe vizitën e mundshme të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane dhe Ministrisë për Integrim Evropian”.
E paraqita në tërësi këtë Rezolutë, për ta “freskuar” memorien dhe për ta rikujtuar se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e mori seriozisht realizimin e saj.
Prandaj, reth 35-40mijë shqiptarët e shpërngulur nga Lugina e Preshevës në Kosovë, nuk janë regjistruar nga UNHCR dhe Qeveria e Kosovës si refugjatë, siç është vepruar me serbët e shpërngulur nga Kosova në Serbi, shumica prej të cilëve në mënyrë fiktive dhe janë të pajisur me shtetësi dhe dokumenta të Kosovës dhe të Serbisë.
Kurse, një pjesë e madhe e shqiptarve të shpërngulur nga Lugina e Preshevës në Kosovë, janë shlyer nga evidenca e Serbisë dhe nuk janë regjistruar dhe nuk janë pajisur fare me shtetësi dhe dokumenta të Kosovës.
Ata kanë vështirësi të mëdha për lëvizje dhe qarkullim të lirë, meqë janë pa dokumenta edhe sot e kësaj dite.
Kështu, ata i diskriminon pamëshirshëm Serbia, sepse nuk janë serbë!
Kurse, Kosova nuk i trajton dhe nuk i regjistron si kosovarë, meqë u kërkon dokumentat që realisht nuk ua jep atyre Serbia dhe jetojnë edhe më zi se refugjatët arabë në Europë, sa i përket kësaj problematike.
Klasa politike kosovare ka përgjegjësi të drejtëpëpërdrejtë morale, njerëzore e kombëtare para Zotit dhe para historisë, për këtë realitet makabër që nuk do ia lejonte vetes asnjë komb i civilizuar në botë!
Pasojat e kësaj neglizhence të turpshme e kriminale kemi edhe gjendjen aktuale në listat e votimit, ku serbët janë të paraqitur realisht mbi katër apo pesë fish mbi numrin real të tyre që jetojnë në Kosovë, e që figurojnë edhe në listat e votuesve serb në Kosovë dhe njëkohësisht edhe në Serbi.
Mjerisht, me këtë numër trajtohet tërë kohën edhe çështja e serbëve të Kosovës në Bruksel, për të cilët ekipi negociator i Qeverisë së Serbisë posedon dokumentacionin e plotë, që është i pranuar dhe i njohur edhe nga Unioni Europian dhe paraqet bazë dhe pikënishe fajtike në tryezën e bisedimeve Kosovë-Serbi në dialogun e Brukselit.
Kjo gjendje e papërgjegjësisë kombëtare e kriminale e palës kosovare në dialogun e Brukselit duhet ndryshuar urgjentisht, duke e shpallur Marrëveshjen e 19 prillit 2013 dhe atë të 25 gushtit 2015, si akte të turpshme, antikombëtare dhe të papranueshme.
Kurse, dialogu i Brukselit duhet ridizajnuar nga themeli, duke i trajtuar shqiptarët Luginës së Preshevës me serbët e Kosovës plotësisht të barabartë dhe sipas reciprocitetit të plotë midis tyre.
Kjo do të thotë se çështja e të drejtave të serbëve të Kosovës të trajtohet konform të drejtave që Serbia ua siguron shqiptarve të Luginës së Preshevës.
Mbase, është koha e fundit që Republika e Kosovës të ndërtoj një qasje dinjitoze ndaj çështjes së kësaj pjese të Shqiptarisë, që është në kontinuitet të plotë etnik e territorial me Republikën e Kosovës dhe sipas standardeve demokratike euro-atlantike, duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët dhe miqtë e tanë ndërkombëtarë, në krye me SHBA-të.
Kjo nuk mund të bëhet pa gapjen e Zyres së Republikës së Kosovës në Luginë të Preshevës, si dhe zyrave në Gjilan dhe në Prishtinë për shqiptarët e shpërngulur nga Lugina, që jetojnë në Kosovë.
Por, të jemi të sinqertë se një gadishmëri të plotë dhe gjithpërfshirëse, përveç tentativave “ad hoc”, të tejdukëshme dhe improvizuese të disa partive e koaliciove gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017, sa i përket trajtimit të mirëfilltë e programor të çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës, qoftë të atyre që jetojnë në Kosovë, apo në trojet e tyre shekullore në Serbi, mjerisht, edhe kësaj here, nuk kemi parë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch