Home » Opinione » Kosova Sekulare -Perspektiva Europiane

Kosova Sekulare -Perspektiva Europiane

Çfarë është lidhja mes së sekulares si kategori dhe teori e dijes dhe sekularizmit si doktrinë politike? Duke i parë lëvizjet e ndryshme fetare në botë në kohët e sotme, rritjet e tyre, ato janë paralajmërim se feja edhe në botën moderne është prezente. Shteti modern është “bashkësi e paramenduar, e cila ia mundëson paraqitjen e dy vetive të paramenduara moderne. E para që shteti modern është shtet horizontal, shtet i qasjes direkte dhe e dyta që ajo është e themeluar në kohën moderne, kohën homogjene sekulare” (Benedikt Anderson).

 

Sekularizmi është një doktrinë politike e cila ka lindur në Evropën dhe Amerikën moderne, si imponim i kohës të largimit të institucioneve fetare nga shteti. Sekularizmi është tërheqës në mënyrë intelektuale, por është edhe ajo që shteti modern nuk mund të jetë pa te. Sot sekularizmi i ka kundërshtarët e tij në botë e posaçërisht në Lindjen e Mesme duke e hedhur si diçka specifike të Perëndimit (Religion & Media, Stanford Ca, University Press). Edhe Greqia, si shtet në BE, është kundërshtare e madhe e sekulares. Evropa i ka do problemet pazgjidhura me Greqinë, përkundër premtimeve të saja që në kohën e Simitisit (ish-kryeministër grek).

 

Sekularizmi, që principi themelor i tij kulmon në kërkesën e përmirësimit të jetës së njeriut vetëm me të mira materiale, lindi në Evropë në kohën kur marrëdhëniet e shkencës dhe fesë filluan të shikohen si opozitim i mprehtë. Sekularja thelbon në përvojën e jetës dhe të mirat e jetës. Duke qenë se matematika, fizika, kimia dhe biologjia janë shkenca“sekulare”, atëherë në të njëjtën linjë të sekularizmit shkencor duhet të ndërtohet edhe shoqëria shtetërore. Franca, shtet shumë fortë i centralizuar, ku edhe shteti edhe populli janë sekularë, në Britani shumica e popullatës jofetare, kurse ne Amerikë shumica e popullit është lehtë fetar, por shteti federal është sekular.

 

Feja është gjithmonë e pranishme në Britani dhe Amerikë, por edhe pse sekularizmi i këtyre tre shteteve ka shumëçka të përbashkët, karakteri i modernes imagjinare dallon. Ekuivalenti francez i sekulares është laikja (laicizmi). Laicizmi fort qëndron në atë të ndarjes dhe mospërzierjes totale të fesë në shoqëri dhe politikë. Pra çka është ideja e sekularizmit? Në një shoqëri me ndryshime fetare ajo i lejon njerëzve që të kenë më shumë arsye për përkrahje të etikës sekulare (Robert Worth: “Nation Defines Itself by Its Evil Enemies”). Përkundër tolerancës fetare, secila fe mundohet të mbisundojë mbi tjetrën. A mundet sekularizmi të garantojë paqe, të cilën paqe e ka siguruar në historinë e hershme të Evropës dhe Amerikës? Në Kosovë, PO. Dhe, është e domosdoshme.

 

Një pyetje që hindusët ia bëjnë vetes – Pse ne jemi sekularë? Shembull për të mësuar është India, e cila e ka një kushtetutë sekulare dhe një histori të shkëlqyer, si dhe demokraci liberale e cila funksionon në mënyrën më mbresëlënëse. Pa marrë parasysh rrënjët fetare dhe religjionin bashkëkohor, Amerika e ka modelin e Kushtetutës sekulare, me modelin e saj amerikan. Ky model i ndërlidh dimensionet morale dhe politike (Serzh Halimi: Liberal Dogma Shipwecked). Ndërsa, Kliford Geertz pyet: “A nuk është sekularizmi koncept universal, që mund të shtrihet në tërë botën moderne?”. Edhe pse sociologët, politologët dhe historianët shkruajnë për sekularizmin, ai prapë mbetet në një debat të ashpër në Lindjen e Mesme dhe në Greqi. A është i nevojshëm për njerëzimin botëror principi racional, i cili kërkon largimin ose së paku frenimin e zjarrit fetar, ndjenjën e zjarrtë fetare si një burim i rrezikshëm i jo tolerancës (AbdelVahab Al Mesiri, Damask 2002).

 

Sekularizmi, si doktrinë politike si dhe doktrinë e mënyrës së udhëheqjes, e ka fillin në shoqëritë liberale të shekullit 19-të dhe fjalën “sekularizëm” e jetësuan mendimtarët e rinj të lirë të nxitur nga pasojat e mosbesimit të nxitur nga armiqësia ndërfetare e shoqërisë, si dhe e parashikuan rindërtimin e shoqërisë nëpërmjet ligjvënies. Edhe sot koncepti sekular i përtakon dhe i përbashkon sjelljen, dijen dhe ndjeshmërinë në jetën moderne.

 

Sekularizmi e ka kuptimin qendror si diçka moderne. Janë tri elemente të kësaj teze të cilat janë thelbësore për zhvillimin e modernes (Casanova):

– Rritja e diferencimit struktural të hapësirës shoqërore ku si rezultat e ka largimin e fesë nga politika, ekonomia, shkenca, shkolla, etj.

– Përkufizimi e fesë në brendinë e sferës së saj.

– Largimi i domethënies fetare si shtetformuese dhe ndërhyrja e saj në shoqëri.

 

Kjo e forcon tezën e sekulares ashtu që shoqëria moderne duhet të jetë sekulare, e për të qenë sekulare ajo duhet fenë ta vendosë në një hapësirë pa politikë. Me fjalë tjera, përkufizimi i fesë në brendi të sferës së saj është kuptimi i sekulares dhe që politika nëpërmjet ligjeve të ketë ndikim më të madh në jetë dhe privatësi. “Sekularizmi e ka shprehur në fillim kalimin e jetës nga ajo fetare në atë të ligjit, pra kalimin e pronave, patundshmërive në duart e laikëve që do të thotë kalim i pronës nga duart e kishës në duart i privatëve e me te në lëvizjet e tregut” (Geschichtliche Grudbegriefe, Brunner, Conze, Koselleck, Stuttgart).

 

Njerëzimi zotëron me natyrën dhe çdo njeri e paramendon individualitetin e tij që e rregullon shteti-kombi. Rilindja bashkëkohore islamike (as-sahwa – zgjimi) shprehet si një formë e kriptonacionalizmit (nacionalizmit të fshehur) dhe në mënyrën më lehtë të shpjegueshme “nacionalizmit kulturor” që në mënyrën më të mirë mund të merret si nacionalizmi i botës myslimane. Motivet e islamit dhe nacionalizmit arab janë “kundërshtimi” ndaj Perëndimit. Ideologjia e nacionalizmit arab është thirrja në “gëzhojën islamike” dhe përtëritjen e ndjenjave me ndjeshmërinë popullore. Shkurt, feja është ajo që e specifikon dhe mundohet të zë vendin e saj në shoqërinë arabe. Nacionalizmit arab i intereson shndërrimi i pandërprerë material dhe moral i popullatave të tëra. Me projektin e tyre “shtet-fe” i jepet shija nacionaliste e islamizmit. Në Perëndim mendohet që sekularizmi është pjesë përbërëse e çelësit të modernizimit, kurse në botën arabe ai konsiderohet i papëlqyer për shoqëritë si diçka e pakapshme dhe e huaj. Derisa në Evropë zhvillimi i të drejtës ndërkombëtare fillon me ndikimin e ndërsjellët komb shtet, në botën arabe e kërkojnë politizimin e fesë dhe nuk janë të bindur në fuqinë e shtetit (?), dhe nuk duan që lëvizjet e tyre të mbesin çështje e besimit individual e personal.

 

Roli i shtetit sekular në drejtimin apo largimin nga grindjet fetare, bëjnë që islamistët ta politizojnë fenë dhe ta kërkojnë pushtetin e shtetit, mu për shkak se sekularizmi i lejon disa gjëra e disa jo. Shteti sekular iu garanton besimtarëve besimin e tyre dhe praktikimin e fesë pa pengesa dhe kokëçarje deri atëherë kur shihet se feja bëhet rrezik për pushtetin e ligjin.

 

Shtrohet pyetja: A mund të na kërcënojnë, neve në Kosovë, lëvizjet islamiste? PO. Lëvizjet islamiste janë në vete nacionalizëm arab, ne jemi larg tyre dhe asgjë nuk na tangenton. Por ne duhet të mendojmë më thellë si shoqëri e porsakrijuar në forcimin e Kosovës si shtet sekular, në mënyrë që tradita jonë fetare të nderohet e të mos bëhet rrezik për ndërhyrjen e fesë në ekonomi, politikë, shkencë e arsim..

Pse levizjet e skajshme islamike në Kosovë?

”Një lëvizje e rreptë e Islamit po tërheq besimtarët anembanë Kosovës. Rritja e saj është sfiduese ndaj traditave dhe aspiratave të një shoqërie që është përkufizuar më pak nga besimi Islam dhe më fort nga etniciteti shqiptar dhe pro-amerikanizmi.

 

Të padëgjuar deri në vitin 1999, konservativët dhe fanatikët fetarë janë një grup i vogël, por që po del gjithnjë e më shumë në pah, me ndjekës në gjithë qytetet e mëdha dhe në disa nga pjesët më të varfra të fshatrave.Islami ka patur një lloj ringjallje në Kosovë në vitet e pasluftës.

Zyrtarë të sigurisë i thanë Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) që format më të rrepta të besimit kishin zënë rrënjë pas luftës, duke ndjekur fluksin e organizatave islamike të ndihmave dhe shkollimin e klerikëve vendas në vendet arabe.Të intervistuar nën kushte anonimiteti, zyrtarë të sigurisë thanë se ata besojnë së deri në 50 000 njerëz në vend, kanë filluar të ndjekin forma më konservative të Islamit.

 

Nuk ka mënyrë të pavarur të konfirmohet kjo shifër, që përfaqëson një pjesë të vogël të popullsisë së përgjithshme në Kosovë, e llogaritur të jetë rreth 1.8 milion banorë.

 

Rritja e konservativëve i ka alarmuar kosovarët sekularistë si dhe klerikët e rrymës më të moderuar Islame. Megjithatë, konservatorët gjithashtu ankohen se kundërshtarët e tyre shumë lehtë të gjithë – dhe gabimisht – i akuzojnë ata për lidhje me ekstremistët e dhunshëm.”( gazeta jnk)

 

Jemi të vegjel si komb të bartim mbi supet tone të gjitha këto rryma  të cilat fryejnë nëpër botë. Ne nuk kemi nevojë të jemi stafetë bartëse e ndonjë ekstremizmi. Ne kemi nevojë për punë , shkollim dhe perspektivë europiane. Ne duhet të jemi dhe mbetemi shtet sekular me musliman dhe të krishterë të” lehtë.”.

 

Fahri Xharra

25.12.12

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch