Home » Opinione » Kosovë – fundtetori 2013

Kosovë – fundtetori 2013

Kishim në plan të kalonim një javë sërish në banjat “Nëna Naile” të Kllokotit, por me qenëse zgjedhjet
vendore atje zhvilloheshin më 3 nëntor, ku do votoja si unë ashtu edhe ime shoqe, qytetare e re e
shtetit më të ri evropian, shkuam atje pikërisht në ditët e fundit të tetorit.
Udhëtimi, si gjithnjë vitet e fundit, është i lehtë dhe i këndëshëm me autobuzin e “Kei Reisen” që niset
ora 6 prapa Muzeut Historik Kombëtar. Në Prishtinë pajtuam një taksi që na çoi drejt e te hyrja e llixhave
rreth orës 11. Zumë një dhomë në katin e katërt, kryem vizitën paraprake te mjeku i shërbimit dhe
nisëm trajtimin në mencë. Pasdite frekuentuam pishinën dhe në mbremje, si zakonisht, pimë nga një çaj
në bar-kafenë e madhe në katin e dytë. Pastaj ndoqëm “X-faktor-in” në TV kabllor. Me ne erdhi
edhe Muka, kushërira e Vjollcës kështu që unë vetë isha pak më i “lirë” të merresha me leximet,
telefonatat dhe takimet e mia..Bisedova me bacën Adem, më Rakipin, më Hajrushin, Enverin,
Behadinin, Shqipen, Skënderin, Jahinë.
Të nesërmen nisëm normalisht ciklin e terapive.
Miku im nga Shtimja, Behadini, më njoftoi se në darkë bëhej në Ferizaj një promovim libri dhe
më pyeti në se kisha dëshirë të merrja pjesë. Pranova me kënaqësi, aq më tepër se, me këtë
rast, do takohesha me disa kushërinj e miq të tjerë. Njoftova Hajrushin, drejtor i shkollës teknike
në Lipjan që të më sillte disa libra për Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, po kështu do vepronte
edhe Banushi dhe Ruzhdiu, autori i librit që do promovohej. Do vinte edhe Enveri dhe ndonjë
mik tjetër.
Autobuzi i linjës Gjilan- Ferizaj kalonte në Kllokot çdo 15 minuta. Pashë në autobus shumë
vajza e djem të rinj që me sa duket ndiqnin shkollat në Gjilan dhe tani ktheheshin nëpër shtëpitë
e tyre në Pozhoran Ramjan e gjetkë. Në Ferizaj më priste Behadini bashkë me Banushin. U
ulëm në një kafe përballë Teatrit të qytetit ku pimë një çaj. Rrugët e ndriçuara, me shumë
dyqane me mallra gjithfarësh të Ferizajt gumëzhinin edhe nga lëvizja e veturave dhe
kamionçinave me të rinj me flamuj që bënin thirrje për të votuar partinë e tyre. Ishin gjithsej 103
parti që garonin për 38 komuna! M’u kujtua situata parazgjedhore në Tiranë e mbarë
Shqipërinë..
Salla e teatrit ishte mbushur plot me veteranë të luftës, miq dhe dashamirës të autorit Ruzhdi
Jashari, i cili kishte qëmtuar dhe mbledhur me dhjetëra dokumente të pushetit serb në Kosovë
gjatë viteve 90, sidomos për periudhën 98-99. Në to kishte urdhëresa, deklarata, porosi,
vendime, etj lidhur me mobilizimin e serbëve vendorë në ushtri e polici, me arrestimet eventuale,
me përdhunimet, vrasjet, burgosjet, deportimet, etj, të gjitha me emra konkretë.
Ishin dokumente që kishin mbetur pa u asgjësuar ose pa u tërhequr gjatje ngutjes së ushtrisë
dhe policisë serbe për t’u larguar pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Sigurisht, ato
janë vetëm “maja e ajsbergut’ e pirgut të dokumenteve të tilla që dëshmojnë gjëmën e madhe
që i ndodhi popullit tonë atje, në atë kohë. Gjithashtu, ato vlejnë si material burimor studimi,
prandaj edhe u vlerësuan nga të pranishmit.

Një aktor i teatrit drejtoi me shumë mjeshtëri tërë zhvillimin e promovimit, ku pas fjalës së autorit
Ruzhdi Jashari, redaktorit Elmi Reçica, (kushëri imi), recenzentëve Nedin Abazi (doktorit të
shkencave, që dikur mbante mjekër dhe automatik dhe që u takua me Hollbrukun në malet e
Kosovës gjatë luftës) e Kemajl Ademi dhe autoriteteve vendore, të ftuarit Shukri Buja, ish
komandant i zonës së Nerodimes, Berat Luzha, Nehat Mustafa etj, u bë shpërndarja me
ceremoni e një sasie librash përfaqësuesve të organizatave të veteranëve nga tërë Kosova. Në
fund pati një koktejl në hotelin e ri modern “Orchide” ku pata rastin të njihem më shumë miq të
rinj.
Enver Zhinipotoku të nesërmen do operohej në Shkup për një masë tumorale në fyt, atë natë
kishte ardhë nga fshati për një ampulë në farmaci dhe për të më takuar mua. Operacioni,
sikurse më tha pas ca ditësh, kishte dalë me sukses. Hajrush Stublla nga Lipjani solli dhjetë
kopje të librit botuar me rastin e 10- vjetorit të shkollës teknike “Adem Gllavica” të Lipjanit, për ta
dorëzuar në BK- Tiranë dhe shkollën e mesme hoteleri-Turizëm, në Tiranë me të cilën ka
marrëdhënie binjakëzimi.
Behadini me Banushin më kthyen më veturë në Kllokot.
Të nesërmen pasdreke u takova me drejtuesin e këtij kompleksi llixhash, z.Sabri MaxhuniNovosella të cilit i dhurova disa libra të mij. Ai, më pare, më kishte dhuruar librat e tij. Këtë radhë
më dha botimin e dytë të “Rezistenca kosovare midis dy zjarresh” dhe dy libra të tjerë të rinj.
Është interesante jeta e këtij njeriu midis biznesit, politikës dhe publicistikës! Sabriu ka një qasje
origjinale ndaj problemeve me të cilat është ndeshur kombi ynë. Ideja kryesore e tij është
përpjekja për t’i afruar shqiptarët me fuqitë demokratike perëndimore, të cilat historikisht i kanë
mbështetur ata, fillimisht duke krijuar shtetin e pavarur londinez e mandej edhe Kosovën e
pavarur. Çdo veprim kundër ndërkombëtarëve (kupto perëndimorët) duhet shmangur, mëson ai,
përndryshe do biem sërish nën zgjedhën e sllavo-grekëve!
Disa ditë më pas, erdhën të më takojnë Behadini, Ruzhdiu, Banushi dhe Enveri. Banushi me
solli katër libra për BK- Tiranë dhe një libër të ri të tij “Degë të një trungu”. Në librat e parë në dy
vëllime ai pasqyron historikun e arsimit në zonën e Shtimes, shoqëruar me dokumente zyrtare,
biografi mësuesish, shkollash etj. Kur i shikon ato libra, mendon se po lexon për një vend të
madh, aq voluminozë dhe përgjithsues ato janë. Në fakt, vendin e bëjnë të madh njerëzit! E
pata zili këtë autor!
Në librin e dytë ai flet për gjenealogjinë e trungut të vet familiar, sërish me hollësi, me sasi dhe
cilësi, duke zbatuar një metodë të mirëfillte shkencore historike. Kam parë disa libra të
ngjashëm botuar në Shqipëri por asnjëri syresh nuk ia kalon kësaj monografie të Banushit, që
ka ligjëruar për pedagogji dhe ka qenë drejtues arsimi për shumë vjet.
Bashkërisht diskutuam gjatë për problemet të ndryshme të Kosovës e Shqipërisë sot. E pyeta
Ruzhdiun, i cili është aktualisht Drejtor i Agjensisë së Mbrojtjes së të Dhënave në Prishtinë,
përse shqiptarët që kanë qenë viktima të luftës së fundit nuk paraqesin ankesa në gjykatë për
krimet e luftës sikurse këtë e bëjnë me të drejtë ose pa të drejtë (qoftë edhe për një kotec
pulash të dëmtuar) bashkëqytetarët e tyre serbë. Është e vërtetë, pohoi Ruzhdiu, megjithëse

unë personalisht kam paraqitur pranë autoriteteve gjyqësore dosje të tëra me dokumente faktike
për krimet, si psh për Reçakun.
Pas disa ditësh, më telefonoi Fetiu nga Presheva, i cili erdhi të shtunën së bashku me të
shoqen. Ai më solli kopje të reja të librave të axhës së vet, Ibrahim Kelmendi, luftëtar dhe
historian i rezistencës shqiptare. Biseduam ngrohtësisht bukur gjatë në bar-kafenë e hotelit tonë.
Shqetësimi i tij është jeta ende e varfër kulturore në Preshevë. Aio dëshironte të organizohej
atje një promovim libri, (janë p.sh. dy libra për protoilirët dhe mitet ilire të axhës së vet, Ibrahim
Kelmendit, vdekur në Australi më 1979) një ekspeditë arkeologjike etj, pasi nën pushtetin serb,
krahina ka mbetur tepër pas. Por nuk gjen mbështetje te institucionet që mund të ndihmonin në
këtë rast, përkatësisht dy akademitë tona shkencore. E, pra, Presheva ka qenë dhe është
shtyllë e Kosovës!
Të dielën ishte jo vetëm ditë pushimi por edhe një ditë feste- ishin zgjedhjet vendore. Gjatë tërë
javës në biseda me pushues në llixhë tema e zgjedhjeve zinte vend të rëndësishëm. Tashmë
edhe shqiptarët në Kosovë po interesohen se kush do t’i drejtojë për katër vitet e ardhëshme,
pasi po e kuptojnë që zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia varet shumë edhe nga drejtuesit.
Rreth orës 10, erdhi Besimi me të birin, Laurentin dhe na mori në veturën e vet. Shkuam në
Babushin e Muhaxhëve ku ishte qendra e votimit edhe për ne. Nuk kishte shumë njerëz,
mbaruam punë shpejt. Që andej shkuam në Gjelbërim (fshati Çellopek) i Besimit për të bërë një
vizitë. Aty shkoj gjithnjë me dëshirë, pasi gjej mikpritje dhe ngrohtësi. U takuam me Faikun, të
atin e Besimit, të shoqen dhe vajzën. Pimë kafe, hëngrëm ëmbëlsirë dhe fruta të kopshtit, bëmë
fotografi. Duke u larguar, takuam në rrugë Dalipin, kushëririn nga Shkupi që kishte ardhë edhe
ai, për zgjedhjet. Besimi na shoqëroi deri në Kllokot.
Mbrëmja kaloi si gjithnjë me hare. Sot, për fat, edhe Vjollca, ime shoqe, ishte me humor më të
mirë, pasi kaloi ca ditë me rrufë.
Të hënën, pasi kryem terapitë dhe hëngrëm drake, dolëm te stacioni i autobuzit ku një taksi na
çoi në Ferizaj. Aty, pas pak, Vjollca me Mukën hipën në autobuzin për Prizren, pasi do ndalonin
në Kukës te Nadirja, motra e Vjollcës, ndërsa unë në autobuzin për Prishtinë, nga ku do
kthehesha për Tiranë me “Kei-Reisen”. Koha edhe sot mbajti e mirë, udhëtimi shkoi mbarë. Nga
që kisha ngarkesë të madhe më libra, kur mbërrita në Tiranë, i lashë ato te roja e “Varietesë” së
Tiranës për t’i marrë pas pak me biçikletë.
Kështu kaloi kjo javë e këndëshme pushimi kurativ.
Bardhyl Selimi, 6 nëntor 2013

Ne sallen e teatrit te Ferizaj

Gjate promovimit te librit te Ruzhdi Jasharit
Pamje nga hoteli ne Kllokot
Ne oborrin e hotelit

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch