Home » Sport » Kostner – definitivisht trajner i Shqipërisë

Kostner – definitivisht trajner i Shqipërisë

Gjermani 59-vjeçar Lorenz Günter Köstner do të mbërrijë të enjten në Tiranë, ku pritet të jetojë dy vitet e ardhshme

Lorenz Günter Köstner do të jetë trajneri i huaj i radhës që do të drejtojë kombëtaren shqiptare. Gjermani 59-vjeçar, i cili ka qenë në krye të disa skuadrave në Bundesligë gjatë karrierës së tij, ka pranuar ofertën e Dukës dhe pritet të hedhë të zezën mbi të bardhë sapo të mbërrijë të enjten në Shqipërim, transmeton gazeta sportive SportiShqiptar.

Trajneri në fjalë ka biseduar me Dukën për kushtet e kontratës, madje menaxheri i tij gjendet në Tiranë, për të rënë dakord për të gjitha detajet. E pra, Armand Dukës, presidentit të FSHF-së, i janë dashur vetëm disa ditë për të gjetur trajnerin e kombëtares, pas refuzimit të Besnik Hasit.

Kontratë 2-vjeçare Köstner do ta drejtojë Shqipërinë të paktën dy vitet e ardhshme. Presidenti Duka ka qenë kategorik për kohëzgjatjen e kontratës, por duke i lënë një hapësirë rinovimi në rast se do të ketë sukses. Gjermani 59-vjeçar do përfitojë 400 mijë euro për fushatën e ardhshme eliminatore, e cila nis në vjeshtë të 2012-s. Nuk dihet nëse Köstner do të jetë në stol për miqësoren e dytë të muajit nëntor, me Maqedoninë në Prilep, por është e sigurt që ndaj Azerbajxhanit do të qëndrojë në tribunë.

Jetë prej shqiptari Burime pranë FSHF-së njoftuan mbrëmë se ndërkohë që Köstner po darkonte në Gjermani me Felix Magath, trajnerin e parë të Wolfsburgut, menaxheri i tij po përcaktoonte detajet e kontratës. Përveç 400 mijë eurove që do të përfitojë si pagë për dy vitet e ardhshme, FSHF duhet t’i sigurojë një apartament në Tiranë si dhe një veturë për t’i mundësuar lëvizjen.

Në të vërtetë, FSHF e ka gati apartamentin që kishte marrë me qira për Josip Kuzhen në një zonë shumë mirë, në pallatin ku jeton Kryeministri Berisha. Gjithsesi, i mbetet gjermanit të vendosë nëse do të marrë ose jo të njëjtën banesë. Kjo do të thotë se Köstner, sikurse paraardhësi i tij, do të jetojë gjithë kohën në vendin tonë, për t’u ambientuar me futbollin shqiptar dhe me mentalitetin tonë.

Trajneri i 6-të i huaj Lorenz Günter Köstner do të jetë trajneri i 6-të i huaj që drejton përfaqësuesen e Shqipërisë gjatë epokës “Duka”. I pari ishte Giussepe Dosena, i cili qëndroi vetëm 2 muaj gjysmë në krye të kuqezinjve nga 1 korriku deri më 10 shtator të vitit 2002.

Pasues i italianit, gjermani Hans Peter Briegel, është trajneri i huaj me jetëgjatë në krye të Shqipërisë, pasi i ka drejtuar kuqezinjtë në dy edicione në vitet 2002-2006. Fushatën eliminatore të Euro 2008-ës e ka drejtuar Otto Bariç, ndërsa Ari Haan nuk arriti ta përfundonte fushatën pasuese për Botërorin 2010. Josip Kuzhe mori drejtimin e Shqipërisë në maj të 2009-ës, për ta mbyllur para pak javësh.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch