Home » Kulturë » KOZETA ZAVALANI: PËR TRI FESTA, NA MBLODHI NË MINISTRINË E KULTURËS…

KOZETA ZAVALANI: PËR TRI FESTA, NA MBLODHI NË MINISTRINË E KULTURËS…

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

 

Kozeta salla-2

Kozeta, duke përshëndetur…

1.

Shpesh herë, më ka rënë rasti që të ndodhem në mjediset e Ministrisë së Kulturës dhe të marr pjesë në veprimtari të ndryshme, si për përurimin e librave të autorëve, në poezi ose prozë dhe në festa të përvjetorëve të tyre. Por është hera e parë, që isha në tri festa njëherësh,  të një kolegu ose miku krijues. Kjo ndodhi pikërisht sot, kur aty na ftoi e na mbodhi Kozeta Zavalani. Siç e dinë të gjithë, ishte festa e bukur e 8 Marsit, e nënave e motrave tona. Por e veçanta tjetër u kuptua nga ne, kur znj.Irena Toçi, drejtoreshë e SHB “Toena”, e cila e çeli këtë veprimtari, na njoftoi se Kozeta kishte ditëlindjen (8 mars 1958). Ndërsa, kësaj feste i shtohej edhe përurimi i romanit të ri të saj, me titullin intersant e grishës, “Ankthi”.

Në këto tri gëzime dhe ngjarje mbrësëlënëse, kishin ardhur të ftuar nga Tirana, Korça,  Durrësi e Kukësi, por edhe nga Kosova. Ishin poetë, shkrimtarë e krijues të tjerë, kolegë, miq e dshamirë të Kozeta Zavalanit dhe familjarë të saj. Ata ndoqën me interes e kureshtje  shfaqjen e një dokumetari modest, i cili fliste për jetën e saj, që nga fëmijëria e shkollimi, për krijimtarinë letrare e publicistike dhe veprimtarinë e larmishme shoqërore, brenda e jashtë vendit, për gratë dhe vajzat tona. Ky dokumetar ishte përgatitur me pasion e kujdes, nga Perikli Shuli dhe djali i saj, Migel Zavalani. Kanë qenë edhe këto arsyet, se përse ajo është shpallur një ndër gratë e shquara të Botës, për vitin 2007.

Kozeta salla

Pamje nga salla, ku u zhvillua veprimtaria…

Siç ndodhë zakonisht, në të tilla raste, e morën fjalën disa veta. Kështu, e uruan Kozetën dhe folën për librin e ri të saj “Ankthi”, Entela Miloti, e cila ka bërë hyrjen dhe redaktori, Mihallaq Qilleri. Me këtë rast, nënvizuan temën interesante, që ka zgjedhur autorja, frymëzimin me të cilin është shkruar ky roman, si dhe gjuhën artistike e skalitjen e personazheve etj. U dëgjuan me dëshirë nga të pranishmit edhe disa pjesë të tij, që u lexuan në këtë pëurim.

Po kështu, në këtë tubim festiv, e përshëndetën Kozetën e folën rreth jetës letrare e publicistike dhe për veprimtarinë e palodhur shoqërore të saj, Suzana Rexhepi, Flutura Maçi, Katerina Mirollari etj. Në shenjë mirënjohjeje dhe respoekti për të, asaj i dhanë buqeta me lule të freskëta, libra e dhurata të ndryshme.

Në mbyllje të këtyre tri festave mbresëlënëse për pjesëmarrësit, kolegia e mikja K. Zavalani i falënderoi përzemërsisht gjithë të pranishmit, bëri fotografi dhe i kaloi disa çaste bashkë me ta, në koktejin e shtruar me këtë rast.

2.

Natyrshëm, lexuesi dëshiron të dijë diçka më shumë, sidomos, për krijimtarinë letrare të Kozeta Zavalanit. Tashmë, emri i saj është bërë mjaft i njohur, përmes shtypi të shkruar e atij elektronik, sidomos në Shqipëri e Kosovë e trojet tjera amtare, por dhe në disa faqe Interneti. Kur e sheh skedarin e Bilbliotekës Kombëtare, në Tiranë, direkt në mjediset e saj  ose online, lexon titujt e librave, që ajo ka shkruar e botuar. Ja, po përmendim disa nga ata: “Gra, që më kanë frymëzuar”-biseda (Tiranë, 2001 e ribotim 2001), “Gjysmëbota”-mbresa, biografi, intervista”(Tiranë, 2008), “Shtegtarë”-poezi(Tiranë, 2010), “Porta e shpirtit”-poezi (Tiranë, 2012) e “Frymëmarrje fëmërore”(publicistikë). Ka botuar edhe në gjuhën angleze dhe ka bërë redaktime librash, të kolegeve e mikeve krijuese.

Kozeta libri-1

Kopertinat e para të dy librave, me autore K.Zavalanin

Me rëndësi është të shënojmë këtu se Kozeta, kohë më parë,  ka qenë mjaft e njohur për shikuesit e Televizionit Shqiptar. Ndërsa, në vitet e fundit jep ndihmesën e çmuar  me botimin e revistës “Stina për ndryshim”, në faqet e të cilës shkruajnë gratë e vajzat tona ose flitet posaçërisht për ato.

…Në mbyllje të këtyre pak radhëve, e urojmë nga zemra kolegen e miken  Kozeta Zavalani, që të këtë jetëgjatësi e shëndet të mirë, begati e krijimtari sa më të bollshme e cilësore, gëzime e lumturi familjare dhe për vazhdimin e veprimtarisë së njohur e të palodhur, në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare.

Tiranë, 8 Mars 2014

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch