Home » Lajme, Ndërkombëtare » Kroacia, vendi i 28-të anëtar i Bashkimit Evropian

Kroacia, vendi i 28-të anëtar i Bashkimit Evropian

Në mesnatë, Kroacia do të bëhet vendi i 28-të anëtar i Bashkimit Evropian. Ngjarja ndodh gati dy dekada pas fundit të luftës së Kroacisë për pavarësi nga ish-Jugosllavia dhe pas disa vitesh reforma.

Vendi prej 4.4 milionë banorësh, bëhet shteti i dytë ish-jugosllav që i bashkohet BE-së, pas Sllovenisë, e cila është anëtarësuar në vitin 2004. Festa, e cila do të ndiqet nga personalitete të shumta evropiane, në mesin e tyre edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri, Hashim Thaçi, do të mbahet sonte në qendër të Zagrebit.

Presidentja Jahjaga ka përgëzuar në emër të saj dhe të popullit të Kosovës Kroacinë për këtë suskes historik dhe ka theksuar se pranimi i Kroacisë në Bashkimin Evropian është meritë e popullit të Kroacisë dhe e institucioneve të vendit.

Jahjaga tha se anëtarësimi i Kroacisë do të përshpejtojë integrimin e pjesës tjetër të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, që do të jetë një vlerë e shtuar për Bashkimin dhe një garanci e prosperitetit, stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon.

”Duke pasur parasysh të kaluarën e vështirë nëpër të cilën kemi kaluar si rajon, vendet e Ballkanit Perëndimor e konsiderojnë pranimin në bashkimin e kombeve të lira si një garanci se ne do të ndërtojmë shoqëri të qytetarëve të lirë dhe të barabartë, me sundim të rendit dhe ligjit dhe shtetet tona t’i shndërrojmë në vende demokratike të mundësive të mëdha”, tha Presidentja Jahjaga.
(RTK)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch