Home » Lajme » Kronika e zezë: STUHIA POLARE DHE NDËRGJEGJJA SHQIPTARE!

Kronika e zezë: STUHIA POLARE DHE NDËRGJEGJJA SHQIPTARE!

Malësia e Bujanocit


STUHIA POLARE DHE NDËRGJEGJJA SHQIPTARE!

 

Ditët e acarta të dimrit, me një stuhi polare të tipit Siberian, kanë bllokuar të gjitha rrugët, që shpien për në Malësinë e Bujanocit.

Me dhjetëra familje janë izoluar me javë dhe jeta e tyre është në rrezik. Trashësia e borës dhe reshjet intensive, kanë ngritur ortekët, që arrijnë lartësinë deri në dy metra. Në këto zona të thellë malore për shkak motit të keq, këto familje kanë ngelur edhe pa rrymë elektrike, pa rezerva ushqimore dhe pa ndihmën e pushtetarëve.

Shtabi i emergjencës në Komunën e Bujanocit ka dhënë alarmin për gjendjen e vështirë të malësorëve në këtë mot të egër, që ka përfshirë këto zona malore, por konkretisht asgjë nuk është bërë për t’i ndihmuar këta malësorë.

 

Trishtim njerëzor

 

Bora dhe mjerimi në këto familje kanë zënë vend dhe për ditë e më shumë po ua nxirosin jetën. Me shpresë se edhe këtë mjerim dhe trishtim njerëzor do ta kalojnë ashtu siç i kanë kaluar edhe dimrat e para 30 vjetëve, nuk ngurrojnë ta thonë se ka më keq. Kur thonë kështu aludojnë tek tragjedia e Restelicës së Dragashit, kur orteku i vdekjes solli tragjedinë natyrore në familjet e tyre, duke mbjell vdekjen e nëntë anëtarëve të tyre familjarë, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë.

Këta malësorë të goditur nga qielli me të reshura të dendura dhe stuhi të egra dhe nga toka të shqetësuar nga prania e forcave të shumta të xhandarmërisë e cila përdorë teknologji termovizive në zonën tokësore të sigurisë, pa përjashtuar edhe ulërimën e shtazëve të egra, të cilat në këtë acar bëhen edhe më të rrezikshëm për jetën e banorëve të këtyre zonave kufitare.

 

Kafet dhe llafet

 

Çarshia e Bujanocit vazhdon të flas dhe të komentoj tragjedinë e Restelicës dhe harron se tragjedi të ngjashme mund të ndodhin edhe në periferi të kësaj komune.

Restorantet dhe kafiteritë janë të mbushur plot aktivistë të partive politike, sektorit joqeveritarë, të cilët japin analiza dhe komente se Lugina e Preshevës mund të faktorizohet te Beogradi zyrtar nëse janë unik dhe aktiv në zgjedhjet e reja lokale dhe parlamentare, të cilat do të ndodhin jo më larg se dy muaj.

Shumë debate të nxitura nëpër dreka pune, nuk përjashtohet mundësia e e të qenit të shqiptarëve pjesë e qeverisë së re serbe. Në një organizim të mirëfilltë të subjekteve politikë shqiptare të Luginës së Preshevës, thuhet në këto debate, do të jenë të sigurta dy ulëse në Parlamentin e ri serb. “Është koha që politikanët tanë njëherë e përgjithmonë t’i lënë anash inatet dhe ndasitë dhe të punojnë për një të mirë të përgjithshme”, thuhet në komente nga se me dy deputetë Lugina do të jetë më afër Beogradit e faktorizuar. Harrojnë këta debatues se Lugina dikur kishte dy deputetë preshevarë në Parlamentin e serbë dhe vetë ata e dinë dhe klasa politike shqiptare që ishte në pushtet aso kohe se çfarë fituan, me siç thotë populli: “Të trashtë e Sylës!”.

 

Dielli alegorik

 

Nëpër restorantet e kafenetë tonë luksoze, deri sa vazhdojnë debatet e nxehta, në këtë dimër kaq të ftohtë, për pushtet lokal dhe qendror, ku shpenzohen me qindra mijëra euro, rrugët tona vuajnë për krip e zhavorr e dhjetëra fshatra mbeten të izoluara me javë të tëra. Kështu e ka politika jonë e pamëshirshme për pushtet dhe ndërgjegjja e shoqërisë sonë, e cila është strukur si ariu në shpellë dhe pret “diellin alegorik” me shpresë se do të bëhet mire, pas shkrirjes së borës dhe falë votës së lirë demokratike!

Nga Tërnoci PRESS

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch