Home » Lajme, Vendore » Kryeministri Thaçi dhe anëtarët tjerë të Delegacionit janë kthyer nga Aeroporti i Lubjanës për në Bruksel për të vazhduar bisedimet me delegacionin serb

Kryeministri Thaçi dhe anëtarët tjerë të Delegacionit janë kthyer nga Aeroporti i Lubjanës për në Bruksel për të vazhduar bisedimet me delegacionin serb

Prishtinë, 18 prill 2013 – Kryeministri Thaçi dhe anëtarët tjerë të Delegacionit të Kosovës, pas kërkesës së Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Baroneshës Catherine Ashton, janë kthyer nga Aeroporti i Lubjanës për në Bruksel për të vazhduar takimet në kuadër të dialogut.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe anëtarët tjerë të Delegacionit të Kosovës në dialogun ndërshtetëror për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pas kërkesës së Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Baroneshës Catherine Ashton, janë kthyer nga Aeroporti i Lubjanës për në Bruksel për të vazhduar takimet në kuadër të dialogut.

Delegacioni shtetëror i Kosovës, i udhëhequr nga Kryeministri Hashim Thaçi do të vazhdojë angazhimin për arritjen e marrëveshjes mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, në dobi të paqes dhe stabilitetit rajonal, dhe të proceseve integruese për të gjitha shtetet e rajonit.

Po ashtu edhe korrespondenti i REL nga Brukseli , Rikard Jozivijak, raportoi se dialogu do të vazhdojë nesër pasdite dhe se Baronesha Ashton për këtë arsye do të shkurtojë vizitën e saj në Ballkan. Sipas tij ajo nga Kroacia do të kthehet më herë në Bruksel.

Vazhdimin nesër të raundit të dhjetë të bisedimeve Kosovë-Serbi e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e përfaqësueses së lartë, Maja Koncijançiç.

Sipas gazetës serbe “Blic”, bashkësia e komunave serbe në Kosovë do të ketë kryetarin, nënkryetarin dhe Këshillin si dhe të drejtën që të zgjedh komandantin e policisë rajonale dhe komandantët lokalë të katër komunave në veri dhe në jug, kudo që serbët përbëjnë shumicën. Këto janë elementet kryesore të marrëveshjes e cila do të harmonizohet nesër me delegacionin e Prishtinës, shkruan portali i gazetës serbe “Blic”.
Kryeministri serb Ivica Dacic dhe zv/kryeministri Aleksandar Vucic kanë udhëtuar sonte në Bruksel, pasi që, sipas burimeve të gazetës serbe, ata kanë marrë garanci se kërkesa kontestuese për përkrahjen e anëtarësimit të Kosovës në OKB do të ndryshohet.

Vazhdimi i dialogut është paraparë që zyrtarisht të fillojë në mesditë, kurse takimit trelateral në të cilin do të ndërmjetësojë baronesha Ashton, do t’i paraprijë takimi i paradites i delegacionit serb me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Andres Fogh Rasmussen.

Në këtë takim Rasmussen do të prezantojë garanci për sigurinë e serbëve në Kosovë, respektivisht atë se ushtria e ardhshme e Kosovës nuk do të vendoset në kufirin me Serbinë.

Ndërsa përbërja e Policisë së Kosovës në të ardhmen do të jetë në proporcion me përbërjen nacionale në komuna të caktuara.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch