Home » Lajme, Opinione » “Kthesë historike” në qeverisjen e Komunës së Preshevës

“Kthesë historike” në qeverisjen e Komunës së Preshevës

Shkruan: Nehat Hyseni

Në qeverisjen lokale të Komunës së Preshevës, e sidomos në kreun e saj, u bë një “kthesë historike” me zgjedhjen e një femre shqiptare në postin më të lartë dhe më të respektuar komunal.

Kjo kthesë politike u shkaktua nga prishja e koalicionit qeverisës APN-PVD, që u tregua si jodemokratik, meqë u dëshmua se ishte një qeverisje autokratike, korruptive, abuzive, dhe jofunksionale, dhe u krijua mazhoranca e re qeverisëse: PVD-PDSH (fraksioni)-BDL-UDSH.

Në seancën e Kuvendit Komunal të Preshevës, të mbajtur më 10 mars 2017, ky ndryshim politik radikal, që nga mediat u cilësua madje si “historik”, mori bekimin dhe miratimin e shumicës së asambleistëve komunalë dhe u zyrtarizua.

Këto risi konsistojnë në faktin se në kreun qeverisës të komunës së Preshevës erdhi ekonomistja e diplomuar dhe profesoresha e  shquar e Gjimnazit “Skënderbeu”, zonja Ardita Sinani.

Ky ndryshim në kreun e qeverisjes komunale paraqet njëkohësisht edhe kthesë radikale, madje historike.

Sepse, kjo zonjë e nderuar na vjen nga një familje me tradita të sakrificës sublime me shekuj për kauzën kombëtare shqiptare, është familje me nam dhe me vlera të larta patriotike e intelektuale.

Jeta prej jetimi e gjyshit Limon (Aslllan) Stanecit ka qenë tejet e vështirë, meqë babain e tij Sinanin, si kryetar komune të Zhegrës, e vranë në pabesi.

Limon Staneci, ka qenë Nën Perfekt i Prefekturës së Gjilanit, si dhe sekretar i komunës së Preshevës në “kohën e Shipnisë” më 13 shtator 1944, kurse Adem Kamberi ishte kryetar komune dhe Prof. Ibrahim Kelmendi, komandant i njësive vullnetare të mbrojtjes, që ishte në vijën e frontit “Te Shina” (Hekurudha).

Si një shqiptar të madh dhe patriot me nam, regjimi i atëhershëm i Nikolla Pashiqit e dënoi me dënimin kapital:

Dënim me vdekje – Pushkatim!

Ekzektumit të tij Limon Staneci i shpëton mrekullisht falë trimërisë dhe burrërisë së tij epike, por dhe shokëve, miqëve e dashamirëve të shumtë të tij.

Por, populli thotë se “dardha nën dardhë pikë”!

Prandaj, nga kjo familje me histori të madhërishme dhe të njohur për traditat patriotike e kombëtare, në gjirin e vet lindi e shkolloi magjistrin e parë të ekonomisë dhe Kryeshefin për Ekonomi e Financa të komunës së Preshevës, Mr. Sinan Sinanin, i cili ishte autori apo hartuesi i planit të parë zhvillimor në historinë e Preshevës.

Ai humbi jetën tragjikisht në udhëtimin e tij zyrtar me trenin Paris-Athinë, në Stallaq, në shtator tê vitit 1979., duke i shkaktuar dhëmbje e pikëllim të pafund për këtë humbje të madhe familjes, Preshevën dhe mbarë Shqiptarisë, për këtë kolos të dijes e burrërisë

Motra e tij Lirije Sinani-Hana, si arsimtare shumë e dashur e imja dhe e gjeneratës tonë, na kujtohet për përkushtimin dhe devotshmërinë e pashoq ndaj arsimit dhe nxënësve.

Më kujtohen si sot se me çfarë entuziazmi i pritnim orët e mësimit të biologjisë me arsimtaren tonë shumë të dashur, madje të adhuruar, Lirijen.

Ajo, me demonstrimin e eksperimenteve biologjike në klasë, psh me prerje të krapit, bretkocës. etj. mbi tavolinën e arsimtarit, në kushtet e klasës na i demonstronte të gjitha organe veç e veç, sikur një profesoreshë universitare e anatomisë apo kirurgjisë, e lëndëve të tjera të biologjisë. Kurse neve nxënësve na ishte tepër lehtë, madje argëtuese t’i mësonim njësitë mësimore, të cilat kurrë nuk i  harruam në jetë.

Lirije Hana u martua në familjen gjakovare Hana, me nam për heroizëm e sakrifica kombëtare anembanë shqiptarisë. Kontributi i saj për kauzën kombëtare është i njihur në kuadër të LDK-së, si aktiviste e mirënjohur e radhëve të para, si këshilltare në Asamblenë Komunale të Prishtinës në katër mandate dhe në aktivitetin e palodhshëm të vijës politike të Presidentit Historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës.

Kurse, djali i vogël i Limon Stanecit, profesori Agim Sinani, është i mirënjohur si profesor i përkushtuar i gjuhës dhe letêrsisë shqipe, si atdhetar i flakët dhe i devotshëm i kauzës kombëtare shqiptare dhe si mik e shok i sinqertë.

Bashkëshorti i zonjës Arditë, Kastriot Sinani, ashtu si gjyshi i tij Limon Staneci, u rrit jetim, meqë babai i tij Sinani humbi jetën në tragjedinë e përmendur dhe e la shumë të vogël.

Kastrioti gëzon autoritet të madh si ekspert i lartë i informatikës, që dha kontribut të madh në RTV Presheva, si dhe në botimin e revistave e gazetave, si dhe të librave të shumtë.

Meritat e tij janë të mëdha, si baba i  devotshëm e si bashkëshort shembullor, në krijimin e hapsirës dhe mundësive për angazhimin e zonjës Sinani në politikë.

Pra, familja Sinani është e njohur anembanë Shqiptarisë për vlerat kombëtare dhe për kontributin e sakrificat sublime për të drejtat dhe liritë kombëtare e njerëzore të shqiptarve në Luginën e Preshevës dhe në Anamoravën e Republikës së Kosovës.

Por, nuk përfundon këtu historia e lavdishme e krenare e kësaj familje shqiptare.

Jo, jo! Përkundrazi!

Pikërisht, këtu fillon një etapë e re, ose “qershia mbi tortë” apo kulmi i lavdisë dhe namit të kësaj familje të nderuar!

Me zgjedhjen e zonjës Ardita Sinani si kryetare të Degës së PVD-së në dhjetor të vitit 2015, ajo ishte e para femër në mbarë Shqiptarinë dhe në rajon në këtë post të lart partiak.

Pas zgjedhjeve lokale të 24 marsit 2016, zonja Sinani u zgjodh kryetare e Kuvendit Komunal të Preshevës, duke qenë e para femër në këtë post të lart në historinë e Preshevës, të Luginës dhe në rajon.

Por, me zgjedhje e zonjës Ardita Sinani Kryetare të Komunës së Preshevës, në mars të vitit 2017, ajo njëkohësisht është e vetmja kryetare e komunës edhe në tërë Republikën e Serbisë!

Kjo kthesë politike në kreun qeverisës të komunës së Preshevës ka bërë jehonë shumë të madhe miratimi e mirëkuptimi në opinionin e gjërë rajonal e gjithëshqiptar, meqë e nderuara zonja Sinani është edhe e para kryetare në tërë historinë e kësaj komune, si dhe në Luginën e Preshevës! Njëkohësisht, zonja Sinani është edhe kryetarja më e re në moshë në historinë e kësaj komune dhe në rajon, si dhe aktualisht është edhe e vetmja kryetare komune në tërë Serbinë dhe ndër të rallat në mbarë Shqiptarinë!

Disa media me renome, madje zonjën Ardita Sinani e cilësuan si “Hillary Clinton e Luginës së Preshevës!

Kjo  i bënë nderë dhe që të ndihen krenarë të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe më gjërë.

Rëndësi të jashtëzakonëshme ka Mesazhi politik që ipet me këtë rast botës së civilizuar demokratike euro-atlantike, te miqtë tanë nderkombëtarë në krye me BE-në dhe SHBA-në.

Shpresojmë që ky mesazh kuptimplotë, mbase, të arrij edhe tek ata që gruan shqiptare me kokëfortësi e fanatizëm mesjetar ngulin këmbë që ta përjashtojnë nga jeta politike e kulturore duke e mbuluar me ferexhe dhe duke e mbyllur në burgun shtëpiak, e që tani u hoqën nga kreu i qeverisjes komunale të Preshevës dhe u çuan aty ku realisht e kanë vendin këto forca regresive e fanatike, të cilat me arrogancë dhe agresivitet të paparë na imponuan radikalizmin dhe ekstremizmin islam, duke krijuar rrëmujë nëpër xhamia dhe në politikë.

Jemi thellësisht të bindur, pa asnjë dyshim se ka vlera shumë të mëdha civilizuese e emancipuese europiane e botërore, në përfshierjen dinjitoze të gruas, e në rastin tonë të nënës shqiptare, në politikë dhe vendimmarrje.

Pra, zonja Ardita Sinani ka shënuar majat më të larta të suksesit politik të femrës shqiptare në komunën e Preshevës, në Luginë, dhe  ndër të rallat në mbarë Shqiptarinë, duke nderuar kështu familjen, Luginën e Preshevës dhe të gjithë shqiptarët, kudo që janë.

Zoti e bekoftë familjen Sinani, Komunën e Preshevës, Luginën e Preshevës dhe mbarë Shqiptarinë!

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch