Home » PDK » Kumtesë: DHUNA RECIPROKE!

Kumtesë: DHUNA RECIPROKE!

Partia Demokratike Kombëtare, gjendjen politike dhe të sigurisë, pas heqjes së Lapidarit të dëshmorëve të UCPMB-së në Preshevë, e vlerëson të rëndë dhe shqetësuese.

 

Heqja me forcë e pllakës përkujtimore të UCPMB-së, në qendër të Preshevës nga forcat e xhandarmërisë dhe demolimi i varrezave serbe në Kllokot dhe rrënimi i përmendorës partizane në Viti, dëmtojnë frymën e tolerancës dhe multikulturalizmin në Kosovë e Serbi, nxisin urrejtje ndërnacionale dhe shkaktojnë hakmarrje e revanshizma antiqytetëruese.

 

PDK, këto akte vandale i cilëson si vepra të patolerueshme nga do qofshin ato, të cilat na kujtojnë ngjarjet e marsit të vitit 2004, të cilat vënë nën flakë kisha e xhamia, varreza e memoriale, duke e veshur me imazh te keq Prishtinën e Beogradin dhe duke nxitur reagimin e ashpër të faktorëve ndërkombëtarë.

 

Skena politike shqiptare në Luginë dhe Kosovë, ka pasur të drejtë në disa raste kur ka kërkuar reciprocitet midis shqiptarëve të Luginës dhe serbëve të veriut të Kosovës, qoftë në të drejtat e tyre individuale e kolektive, në decentralizim e qeverisje, në vizitat e ndërsjella të zyrtarëve të lartë, por jo reciprocitet edhe në dhunë e vandalizma.

 

Populli shqiptar është njëri nga popujt më të vjetër në Ballkan, i përmendur për bujari, besë, trimëri e atdhedashuri. Këto vlera shqiptarët nuk i kanë fituar me vandalizëm, dhunë dhe përdhosje të vlerave kulturore të të tjerëve, thuhet mes tjerash në kumtesën e PDK-së, të nënshkruar nga lideri i saj Nexhmedin Saqipi.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch