Home » Lajme, Vendore » KUMTESË – ME RASTIN E “HAPJES” SË DYTË TË ZYRES PER SHQIPTARËT E LUGINËS NË GJILAN

KUMTESË – ME RASTIN E “HAPJES” SË DYTË TË ZYRES PER SHQIPTARËT E LUGINËS NË GJILAN

ShQLP-LOGOËshtë kjo hera e dytë që (sot) mediat kumtuan lajmin se  Komuna e Gjilanit “e hapi Zyren për për shqiptarët e Luginës së Preshevës që jetojnë dhe punojnë në Gjilan”, e cila do të merrej me problemet e shumta të tyre. Kurse, “hera e parë” ishte më 11 mars 2014, kur ne gjithashtu ua uruam” hapjen” e saj.

Me këtë hap, kryetari Lutfi Haziri dhe komuna e Gjilanit realizuan obligimin nga “REZOLUTA PËR TË DREJTAT E SHQIPTARVE NË PRESHEVË, BUJANOC DHE MEDVEGJË”, që Kuvendi i Kosovës e miratoi në mbledhjen plenare të mbajtur më 31 maj dhe më 6 qershor 2013.

Mirëpo, mbetet enigmatike se si do të realizohet kjo Rezolutë nga KK i Gjilanit, kur dihet se Rezoluta i përcakton obligimet dhe kompetencat e Qeverisë së Kosovës, e kurrësesi të Komunës së Gjilanit, apo të Prishtinës për hapjen e Zyrave përkatëse?!

Jemi të bindur se, poqese do të ishte kompetence e komunës, Lutfi Haziri, si sponzorues i kësaj Rezolute, moti kohë do ta kishte realizuar atë.

Gjithashtu, edhe në komunën e Prishtinës ekziston disponim pozitiv për ta hapur Zyren pë shqiptarët e Luginës. Madje, dihet se Prishtina si kryeqendër e Kosovës, ka numrin më të madh edhe të shqiptarve të shpërngulur nga Lugina, si dhe hallet dhe problemet e tyre janë më të shumtë dhe më të mëdha.

Ne si Shoqatë e Qytetarëve të Luginës, me seli në Prishtinë, nuk kemi dashur që çështjen e hapjes së Zyres në Prishtinë, ta politizojmë para  dhe gjatë fushatës zgjedhore.

Prandaj, meqë nuk kemi paraqitur Listë zgjedhore dhe nuk jemi shndërruar në parti politike për pjesëmarrje në Zgjedhjet parlamentare 2014, ne kemi bërë apel që vota jonë t’u ipet atyre forcave politike të cilat premtojnë dhe garantojnë zbatimin në tërësi të Rezolutës së përmendur, e jo vetëm të njërës pikë, nga gjithsej dhjetë pika që ka.

Falemnderimet tona të veçanta shkojnë për Kryetarin e Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, i cili është treguar gjithëmonë i gatshëm dhe i interesuar jetësisht për fatin e shqiptarve të asaj pjese të gjeografisë shqiptare, që u detyruan nga regjimi antishqiptar i Serbisë t’i lëshojnë trojet e tyre stërgjyshore. Me nismën e Tij,  Kuvendi i Kosovës në mbledhjen e 31 majit 2013 kishte në rend dite çështjen e shqiptarve të Luginës së Preshevë, ku ishim ftuar edhe ne përfaqësuesit e shqiptarve të Luginës të asistonim. Kurse, më 6 qershor 2013, Kuvendi i Kosovës miratoi Rezolutën për Luginën, në njërën nga pikat kishte përcaktuar obligimin për hapjen e zyrave në Prishtinë dhe Gjilan.

Nevojat për hapjen e Zyreve në Prishtinë e Gjilan, janë të mëdha, për të përmbushur një obligim të kahëmotshëm të Kosovës për regjistrimin e refugjatëve shqiptarë nga Serbia, ashtu si e ka bërë atë regjistrim UNHCR-i me ndihmën e Qeverisë së Serbisë për serbët e shpërngulur nga Kosova. Është absurd i papranueshëm që të mos ekzistoj zyrtarisht asnjë shqiptar i shpërngulur nga Lugina, kurse figurojnë mbi 240.000 serbë, zyrtarisht të shpërngulur nga Kosova!

Gjithësesi presim që në të ardhmen, me hapjen së shpejti edhe të Zyres së Shqiptarve të Luginës në Prishtinë, që t’i rrekemi bashkarisht zgjidhjes së këtij dhe shumë problemeve të tjera.

Urojmë dhe shpresojmë që Zgjedhjet Parlamentare 2014 të prodhojnë një Qeveri të përgjegjëshme dhe të interesuar për fatin tonë,  në mënyrë që të na hapet rruga që, në bisedime me Kryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti të fitojmë mbështetjen për hapjen e Zyres për shqiptarët e Luginës në Prishtinë.

Zoti i  bekoftë shqiptarët, kudo që janë!

Prishtinë, më 28 maj 2014

Kryetari,

Nehat Hyseni

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch