Home » Opinione » Kur do ta vizitoj Isa Mustafa Luginën e Preshevës?!…

Kur do ta vizitoj Isa Mustafa Luginën e Preshevës?!…

XHAVIT ÇITAKUDo të ishte më së e domosdoshme që vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë të kushtëzohen me lejimin nga qeveria serbe që këtë ta bëjnë edhe ministra e zyrtar tjerë kosovar këtë pjesë etnike shqiptare

Shkruan: Xhavit Çitaku

Jemi dëshmitarë se pothuajse për çdo ditë ministra e zyrtar tjerë serb vizitojnë Kosovën. Ç’është edhe më keq sjellja e këtyre zyrtarëve nga Serbia po keqpërdorët në mënyrë të vrazhdë dhe kundër rregullave e ligjeve pozitive të vendit tonë. Ata jo vetëm që i takojnë serbët lokal në mjedise të ndryshme, por vetë i organizojnë tubimet dhe i mësojnë se si qytetarët duhet të reagojnë dhe të mos pranojnë në asnjë rrethanë se jetojnë e banojnë në Republikën e Kosovës. Për çdo ditë iu thonë se kjo është tokë serbe, se kjo është krahinë serbe dhe se gjithnjë Serbia do t’i mbështesë e do t’i përkrah edhe materialisht, por edhe në forma tjera. Përkundër këtyre sjelljeve antikushtetuese, qeveria jonë dhe organet tjera kompetente nuk reagojnë fare dhe kështu në heshtje tolerojnë gjithë këtë përzierje flagrante në punët e brendshme të shtetit serb në Kosovë. Zatën kjo heshtje e pakuptueshme ua ka mundësuar këtyre zyrtarëve serb që për çdo herë ta ashpërsojnë gjuhën e urrejtjes që ndiejnë ndaj shtetit të Kosovës.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës të lënë nën mëshirën e regjimit serb

Derisa  institucionet dhe organet tjera qeveritare serbiane ndër prioritetet e tyre vepruese kanë edhe gjendjen dhe pozitën e pakicës serbe në Kosovë, fatkeqësisht qeveria e jonë nuk është duke e bërë asnjë hap serioz në drejtim të ngritjes së zërit për padrejtësitë që i bëhen popullatës shqiptare në Luginën e Preshevës, e cila në mungesë të mbështetjes që do të duhej ta kishte ka zgjedhur disa veprime protestuese që po bien në vesh të shurdhër edhe të komunitetit ndërkombëtar e që është edhe më keq disa familje shqiptare edhe po shpërngulen nga trojet e tyre etnike. Gabim shumë i madh i palës kosovare ishte fillimi i dialogut me Serbinë pa e përfshirë në ato bisedime edhe Luginën e Preshevës, në të cilën jetojnë me shumë banorë shqiptar se sa që janë serb në pjesën veriore. Lëshimi i këtij rasti është një humbje e madhe për një tretman tjetërfare të komunitetit shqiptar në Luginë të Preshevës, që vështirë së do të mund të kompensohet aq lehtë në të ardhmen. Një fjalë popullore thotë se kurrë nuk është vonë, ndaj  ekipi negociator dhe qeveria e Kosovës duhet të insistojnë për një baraspeshë të të drejtave që duhet t’i gëzojnë edhe shqiptarët në atë pjesë etnike ilire e jo vetëm që të bisedohet për pakicën serbe, e cila edhe ashtu i gëzon të gjitha të drejtat që ua garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Nëse ka drejtësi ndërkombëtare atëherë ajo do të duhej t’i  garantohet edhe shqiptarëve të Luginës  së Preshevës dhe jo vetëm një komuniteti konkret, siç është rasti me serbët e Kosovës. Thënë konkretisht, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë mbetur nën mëshirën e regjimit serb, regjim ky që këtë popullatë e trajton krejt ndryshe duke mos bërë asnjë investim sado të vogël për t’ua mundësuar një jetë më të mirë ashtu siç përkujdeset për serbët lokal që jetojnë në një shtet tjetër, përkatësisht në Republikën e Kosovës.

Edhe ministrat kosovar do të duhej të vizitonin Luginën e Preshevës

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, është i pari politikan i këtij rangu që vizitoi shqiptarët e Luginës së Preshevës. Na kujtohen ato pamje të fytyrave të gëzueshme të mijëra shqiptarëve që shiheshin në ekranet televizive. Kjo vizitë iu dha shpresë e vullnet vëllazërve dhe motrave tona në atë pjesë që të qëndrojnë, punojnë e jetojnë për të ngritur një të ardhme të qëndrueshme. Mirëpo, nga Kryeministri i Kosovës asnjëherë nuk dëgjuam asnjë fjalë se ai e ka ndërmend që të marrë rrugë në drejtim të Preshevës. Nuk dëgjuam, po ashtu, asnjëherë të këtë shprehur interesimin e tij për banorët shqiptar në atë pjesë në vizitat që i bëri apo edhe në dialogun që po zhvillohet në Bruksel ku u takua edhe me Kryeministrin serb Vuçiq. Për realizimin e një vizite shumë të nevojshme dhe të mirëseardhur për banorët shqiptar , Isa Mustafa  nuk ka  kurrfarë pengese sepse ai nuk gjendet në listën e “ terroristëve” shqiptarë të orgeneve ndjekëse të të Serbisë sikurse që janë shumë figura të rëndësishme të UÇK-së, që tani kanë edhe poste të rëndësishme politike . Sigurisht se regjimi serb në fillim do të bënte përpjekje për të penguar një nismë të tillë të të parit të qeverisë së Republikës ës Kosovës, mirëpo insistimi i vazhdueshëm do të përfundonte me lejimin e vizitës në këtë tokë arbërore. Nëse eventualisht këtë do ta pengonte qeveria serbe, atëherë organet tona do të duhej që këtë masë ta aplikojë edhe për zyrtarët dhe udhëheqësit serb që pothuajse për çdo ditë vizitojnë Kosovën. Jo vetëm Isa Mustafa, por edhe ministra e zyrtar tjerë është e udhës që të vizitojnë Luginën e Preshevës në mënyrë që shqiptarët e atjeshëm të ndjehen më të sigurt. Është më së e domosdoshme që të bëhen përpjekje maksimale edhe në aspektin e ndërtimit të ndonjë objekti ekonomik nga të dy qeveritë shqiptare si dhe nga mërgata në mënyrë që fati i banorëve të kësaj ane për të qëndruar në tokën e tyre stërgjyshore të forcohet shumë më tepër se sa deri me tash. Kur ka interesim vullneti e shpresa nuk shuhen kurrë. Mbetet të shihet se sa e si do të punohet në këtë drejtim. Jashtë këtij interesimi nuk do të duhej të mbetën edhe komunat si dhe biznesmen shqiptar kudo që jetojnë, veprojnë e punojnë. Ky aktivitet është sa obligativ, po aq edhe patriotik.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch