Home » Opinione » KUR PUTHIM FLAMURIN TONË KOMBËTAR…

KUR PUTHIM FLAMURIN TONË KOMBËTAR…

-Meditim-

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

 

Të jem i sinqertë me lexuesit, mendimi për t’i shkruar këto pak radhë më lindi, kur i pashë dy fëmijë të vegjël (fotoja është më poshtë), të cilët e puthnin me aq ngrohtësi Flamurin tonë Kombëtar. Natyrshëm, në këto çaste, solla ndërmend episode dhe pamje të ngjashme. ..

Së pari, m’u kujtua fëmijëria ime, në fshatin e lindjes, Bujan të Malësisë së Gjakovës (Tropojë). Ishin vitet e para të çlirimit dhe vazhdoja shkollën fillore.  Sidomos në vjeshtë, me rastin e festave të Nëntorit, por dhe në pranverë, në ditët e pushimit, pra të dielave, shkollat e zonës sonë organizonin ekskursione massive, me nxënës e mësues. Zakonisht, ato bëheshin në “Livadhin e Turkut”, kështu quhej një lendinë e bukur, buzë lumit ujëkaltër të Valbonës. I kishte mbetur ky emër, që nga koha e pushtimit osman, pasi aty ishte vendour një repart i huaj ushtarak. Por pushtuesit nuk e patën të gjatë kohën e qendrimit aty, pasi furia e kryengritësve  të armatosur malësorë i detyroi të larghoheshin me turp. Është e njohur edhe beteja e Qafës së Palçit, në Nikaj-Mërtur, kur ata u thyen përfundimisht dhe nuk kaluan dot andej, për në malësinë dhe qytetin e Shkodrës.

Isa Boletini, i gjunjëzuar puthë Flamurin kuqezi, me shqiponjën dykrenore…(Vlorë, 28 Nëntor 2012)

Në takimet tona të bukura, shkonim të rreshtuar dhe në krye të kolonës na printe Famuri ynë Kombëtar, me shqiponjën dykrenore në mes. Kur arrinim në fushën, që përmenda më lart, nisnin garat me vrapime të ndryshme. Një ndër lojërat më të pëlqyera për ne, ishte ajo “për marrjen e Flamurit”. Ky vendosej në mesin e fushës dhe, nga të dyja anët e saj, turreshin vrapuesit, se cili do ta rrëmbente i pari atë. Sigurisht, fituesi më I shpejtë shoqërohej me duartrokitje dhe brohoritje të gëzueshme.

Por në mendje tani sjell edhe valëvitjen e Flamurit tonë Kombëtar, në betejat e njëpasnjëshme historike e heroike. Të tilla ishin ato, gjatë luftërave për pavarësi e liri, që në periudhën e ndritur të Skënderbeut dhe në kryengritjet e përgjithme antiosmane të viteve 1910-1912, të cilat na çuan natyrshëm në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, në Vlorë, më 28 Nantor 1912. Por Flamaurin tonë nuk e lëshuan nga dora shqiptarët trima as në Luftën e Vlorës dhe në betejat fitimtare për çlirim, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me këtë Flamur në ballë u përleshën me gjakatarët serbë edhe trimat e UÇK-së në Kosovë, të mbështetur nga forcat e NATO-s, deri sa ata i përzunë përgjithnjë, për  në strofkat e tyre.

Nuk ka se si të mos krenohemi ne, me Flamurin tonë, kur me të janë mbështjellur trimat e rënë në luftën për liri dhe dinjitet mbarëshqiptar. Shenjtëria dhe lavdia e Flamurit tonë Kombëtar është e prekshme kudo në jetën e shqiptarëve. Me atë në ballë, shkojnë malësorët të marrin nuset dhe në festa të tjera të gëzueshme. Flamurin tonë e shohim të valëvitet krenar në pikën më të lartë të çatisë, kur dikush ndërton një banesë ose objekt tjetër…

Nënë Tereza, lutet  për shqiptarët, para Flamurit tonë kuqezi…

Tani, ndërmend sjell edhe dy pamje aq domethënse. Njëra është fotoja e 300 lutëtarëve trima kosovarë, që kanë bë ballë  kryetrimin Isa Boletini, i cili mbërriti në Vlorën heroike, ku pritej të shpallej Pavarësia e Shqipërisë. Ai kishte pranë Ismail Qemalkin, Luigj Gurakuqin e atdhetarë tjerë. Ndrkq, e shohim të përkulet në njërin gju dhe e puthi me afsh atë Flamur, që ishte simboli më i dashur dhe më i shtrenjtë i mbarë shqiptarëve, të cilët i kishin dërguar përfaqësuesit e zgjedhur, pra delegatët,  në atë Kuvend Historik mbarëshqiptar. Ndoshta, në ato çaste solemne, Isës iu kujtua dita, kur hyri në kabinetin e kryezyrtarit të Anglisë, Eduard Grei. Mikpritësit menduan që e çarmatosën atë, pasi i thanë ta dorëzonte koburen, që e kishte në njërin xhep të tij. Ndërsa ai ua dëshmoi zyrtarëve të lartë anglezë, se nuk çarmatoset lehtë shqiptari dhe nga xhepi tjetër nxori koburen e dytë!

Me tërë ëmbëlsinë e shpirtit, vogëlushët shqiptarë puthin Flamurin tonë…

Po, sa emocionuese është për të gjithë ne, shqiparët edhe kur vështrojmë një fotografi tjetër të rrallë. Në të është fiksuar Nënë Tereza, shënjtorja jo vetëm për ne, po për mbarë njerëzimin. Para asaj Gruaje të vetme në histori, janë ngrritur më këmbë përsonalitetet më të larta shtetërore të botës, si kryeministra, presidentë, mbretër e perandorë etj. Ndërsa ne e shohim atë të përulet me shumë respekt dhe të lutet për shqiptarët,  para Flamurit tonë Kombëtar kuqezi, me shqiponjën dykrenore në mes.

Nuk dua të zgjatem në këtë meditim timin, as t’i mërzis lexuesit. Se  shumë fakte dhe episode mund të sjellë secili nga ata. Por dëshiroj t’u tërheq vëmendjen edhe një herë, duke e shikuar fotografinë e përmendur më lart. Pra, vështroni me kujdes ata dy vogëlushë, veshur me rroba të bukura popullore (të më falin prindërit e tyre, se nuk ua di emrin, por as fotografit të saj). Me çiltërsi e natyrshëmri të besueshme, ata nuk e lëshojnë nga dora Flamurin tonë Kombëtar, por e puthin dhe e ledhatojnë aq bukur atë…E, përsëri, këtu sjell ndërmend Flamurin tonë, që alpinistët shqiptarë e ngritën në majën më të lartë të Globit Tokësor. Kujtoj skenat emocionuese e krenare pë rne, kur këngëtarë e artistë dhe sportistë, fitues në veprimtari ndërkombëtare, marrin çmime dhe në ato çaste ngrihet lart Flamuri ynë  e këndohet Himni Kombëtar Shqiptar.

Pranë Flamurit tonë dhe flamujve të vendeve tjerë…

Por populli ynë, historikisht dhe në ditët e sotme, i ka nderuar dhe i respekton vendet e shtetet e tjera, pra dhe flamujt e tyre kombëtarë. Këtë gjë ne e shprehim në mënyra e forma të ndryshme. Një ndër këto, është edhe mbajtja pranë Flamurit tonë Kombëtar, në festa e ceremoni zyrtare, e  flamujve të shteteve, me të cilat kemi lidhje e bashkëpunim të mirë, që nga ata të SHBA-ve, Bashkimit Europian e tjerë. Respekti i ndërsjelltë për simbolet kombëtare është një parim bazë i politikës zyrtare të Republikës së Shqipërisë, shtet i lirë demokratik, që synon e pëpiqet të hyjë me dinjitet në Europën e Bashkuar.

Një 100-vjetor nuk është shumë, por as pak, në historinë e një populli. Po për ne shqiptarët, në të gjitha trojet tona amtare, kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme historike, me një peshë të madhe, kombëtare e ndërkombëtare. Flamuri ynë kuqezi, me shqiponjën dykrenore në mes, do të valëvitet përsëri krenar në Vlorën festive të atij Kuvendi lavdiplotë historik, ashtu si në Shqipëri dhe në Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Kosovë Lindore e në Diasporën Shqiptare, kudo ku jetojnë bijtë e bijat e Shqipërisë.

Pra, ta mbajmë me nder dhe ta ngremë sa më lart, të gjithë të bashkuar e me një qëllim, drejt përparimit dhe zhvillimit të pandalshëm, Flamurin Kombëtar Shqiptar!

Tiranë, 23 gusht 2012

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch