Home » Lajme » Kurti: bashkimi kombëtar nuk është në kundërshtim as me Bashkimin Evropian, as me Organizatën e Kombeve të Bashkuara

Kurti: bashkimi kombëtar nuk është në kundërshtim as me Bashkimin Evropian, as me Organizatën e Kombeve të Bashkuara

Prishtinë, 27 gusht – Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar mbrëmë në Prishtinë, në një ambient të hapur, Programin politik për alternativën qeverisëse.

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti tha se kalimi i parë nga Manifesti Politik, tek Programi Politik, ka qenë kalim prej konceptit dhe frymës së Vetëvendosjes tek organizimi politik i Lëvizjes. Ndërkaq i dyti, nga Programi Politik tek Alternativa Qeverisëse, është kalim prej organizatës politike të Lëvizjes tek vizioni ynë qeverisës, për një shtet të ri, që nënkupton transformim të shtetit aktual. “Po them transformim të shtetit dhe jo vetëm reformim të institucionit dhe sistemit, sepse ndryshimet që i duhen Kosovës dhe që i duam ne janë të thella dhe të gjera”, tha ai.

“Ne, – shtoi ai – kemi nevojë për një Republikë të re, për një shtet të ri, që na e shpëton Republikën si të tillë. Shteti i Kosovës sot e ka emrin negociatë, e ka mbiemrin neoliberalizëm. Pra emri i shtetit të Kosovës sot është NN. Kosova është bërë një shtet pa emër, është bërë një shtet anonim dhe duke qenë i këtillë nga Republika nuk ka mbetur pothuajse as shkronja R”.

Lëvizja që drejton Kurti synon të bëjë atë që shteti ynë të mos jetë anonim, të mos jetë shtet NN , por t’ia kthejë subjektivitetin, identitetin dhe zhvillimin dhe përparimin.

Duke folur për vizionin për një shtet të ri të Kosovës, Kurti tha se në këtë Alternativë Qeverisëse ata shohin “transformimin e shtetit si ndërrim të karakterit dhe të orientimit politik të shtetit tone”.

“Kjo do të thotë se duhet të kalojmë nga shteti për privatizim, tek shteti për prodhim, nga shteti për korrupsion tek shteti për drejtësi, nga shteti për privilegje tek shteti për barazi, nga shteti për pazaret me Serbinë që na e ndajnë Kosovën, në shtetin për bisedime me Shqipërinë që na bashkojnë me të”.

Sipas Kurtit, neoliberalizmi po i bankroton shtetet në hemisferën perëndimore. “Nga Detroiti në Michigan e deri tek Greqia këtu në Ballkan. Teksa Kosova importon mallra të ndryshme nga e gjithë bota, ne kemi importuar vetëm një model nga bota : Neoliberalizmin”!

Lëvizja Vetëvendosje me këtë Alternativë Qeverisëse e bën të qartë se populli ynë, shoqëria jonë, kombi ynë, ka nevojë për sa më shumë integrime kombëtare. Por integrimet kombëtare ata nuk i shohin si zëvendësim për bashkimin kombëtar, por si rrugëtim drejt tij.

“Ngjashëm, bashkimi kombëtar nuk është në kundërshtim as me Bashkimin Evropian, as me Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por njëkohësisht këto të dyja nuk mund ta zëvendësojnë të parën. Pra, nuk mund të themi se bashkohemi në New York, apo bashkohemi në Bruksel, përderisa jemi një komb autokton, të cilit edhe vullneti edhe interesi ia thotë që duhet të bashkohet”, tha Kurti.

Bashkimi Kombëtar i shqiptarëve, tha Kurti, nuk është për inat të askujt tjetër dhe nuk është kundër ndokujt tjetër. Ai nuk është bashkim kundër serbëve, por është për hir të vetes sonë, dhe se janë të bindur se është koha e fundit që shtetit të Kosovës.,

“Kur po them që shteti që po duam ta transformojmë, Republika e re, bashkimi kombëtar, nuk janë kundër askujt tjetër, kjo do të thotë që nuk janë kundër pakicave në Kosovë, përfshirë atë serbe, sepse në Alternativën Qeverisëse tonë, ne e themi qartë dhe saktë që mendojmë të kemi një shoqëri të integruar, që vjen sërish nëpërmjet barazisë dhe zhvillimit, nëpërmjet punësimit dhe prodhimit dhe nëpërmjet sundimit të ligjit që bëhet sundim i së drejtës”, tha mes tjerash Kurti.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch