Home » Intervistë » Kurti: Janari intensiv, Qeveria ose shkarkohet ose rrëzohet

Kurti: Janari intensiv, Qeveria ose shkarkohet ose rrëzohet

Albin KURTIIntervistë për Kosovapress

Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se si u shkarkua Jabllanoviqi, ashtu do të shkarkohet edhe kryeministri Isa Mustafa. Kurse, propozimin për t’u bërë Hashim Thaçi president, Kurti e sheh si një çmenduri që vështirë se do të ndodhë nëse kemi parasysh kohën intensive që do ta përbëjë janari i këtij viti.

I përmbledh me një kronologji të gjitha ngjarjet që ndodhen në vitin 2015. Shkarkimin e Jabllanoviqit e quan sukses të protestave dhe presionit që u bë përmes këtyre protestave. Për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili gjendet në arrest shtëpiak, viti 2015 ishte shumë i vështirë për qytetarët e Republikës së Kosovës, meqenëse u shtrenjtuan çmimet dhe nuk pati punësime ashtu siç u premtua.

Kurti thotë se kishte manipulime edhe me Trepçën, e cila edhe sot e kësaj dite ka mbetur e ngujuar, përkatësisht e okupuar në veriun e Kosovës. Kurtit në këtë intervistë për KosovaPress, nuk i iku as Gjykata Speciale, për të cilën thotë se deputetët e kaluan nën presion, trysni.

E së fundmi opozita e përbërë prej Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës, nisën kundërshtimin e një procesi tjetër që do të nënshkruhej në Bruksel, për krijimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe. Për Kurtin, por edhe për dy partitë e tjera opozitare, në Kosovë po krijohet një republikë sërpska dhe këtë fuqishëm e kundërshtuan për tre muaj rresht në Kuvendin e Kosovës, me gaz lotsjellës dhe protesta.

Protesta të tilla do të nisin edhe në vitin 2016, pasi që Asociacioni i Komunave Serbe që për opozitën e bashkuar është ‘Zajednicë’, u vërtetua edhe me një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese. Ai vendim po i jep krah opozitës që të vazhdojë ta kundërshtojë deri në tërheqjen e nënshkrimit, ose edhe të rëzimit të qeverisë.

Kurti është i bindur se kjo opozitë e bashkuar, e cila nuk po ua mbush syrin Qeverisë do ta ë shpejt atë.

Kurti: Në Kosovë po lind demokracia parlamentare

“Opozita e bashkuar është një fenomen shumë interesant. Besoj se këtu një kontribut të veçantë ka dhënë Lëvizja Vetëvendosje, e cila duke qenë në pozitë prijëse e ka bashkuar opozitën. Ju të gjithë e mbani mend se si koalicioni AKR – PDK, në mandatin e katërt të legjislaturës së Kosovës në kohën e pasluftës, ishte një koalicion shumë i brishtë por ja që qëndronte. Ndërkohë që ky koalicion i madh PDK–LDK nuk po qëndron dot.

Arsyeja për këtë është se tash Vetëvendosja është opozita e parë. Në mandatin e kaluar ne kemi qenë gjithnjë në një situatë shumë të vështirë, meqenëse midis PDK-së si parti në pushtet në një shtet të kapur për shkak të tyre, dhe, Vetëvendosjes si opozitë e vërtetë, e kishim LDK-në e cila bënte opozitë për temat dhe në kohën kur kjo i konvenonte pushtetit, kur pushteti ia lejonte një gjë të tillë.

Tash që Vetëvendosje është opozita prijëse është bashkuar opozita. Nuk kemi pasur këso dukuri në Kosovën e pasluftës. Kemi pasur kur janë të bashkuar në pozitë. Në një qeverisje të gjerë të koalicioneve të të tri partive, apo katër partive, mirëpo nuk kemi pasur opozitë të bashkuar.

Unë besoj që kjo është dëshmi se në Kosovën e pavarur po lind demokracia parlamentare dhe jam i bindur që opozita e bashkuar duke qenë gjithnjë e më shumë opozitare dhe gjithnjë e më shumë e bashkuar do të bëjë ndryshime të mëdha në vitin e të cilit po hyjmë”, thotë Kurti.

Pas vendimit të Kushtetueses, sipas deputetit Albin Kurti nuk i ka mbetur asgjë tjetër pos zgjedhjeve. Por ai nuk e thotë se edhe në zgjedhje Vetëvendosje do të jetë e bashkuar me AAK dhe Nismën.

Kurti: Nuk ka opsion tjetër

“Tash pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nuk na ka mbetur gjë tjetër veç se të shkojmë në zgjedhjet e reja parlamentare. Për këto dy tema ne jemi bashkë si opozitë e bashkuar. Është e mundshme që do të jemi bashkë në një listë zgjedhore, mirëpo, unë nuk mund ta paralajmëroj një gjë të tillë e aq më pak ta konstatoj për shkak se është tepër herët. Dhe kjo është një çështje që u takon ta vendosin krerët e tri subjekteve opozitare dhe strukturave udhëheqëse përkatëse”, thotë Kurti.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kurti mendon se kësaj klase politike i ka ardhë fundi dhe duhet të ndërrohet komplet. Por në këtë klasë politike ka edhe njerëz qëi përkasin opozitës së bashkuar si Ramush Haradinaj i AAK-së dhe Fatmir Limaj i Nismës, persona këta që dikur ishin në qeverisje.

Por tash Kurti i arsyeton Haradinajn dhe Limajn.

Kurti: Opozita e bashkuar është një mundësi e re

“Unë besoj që roli dhe funksioni i njerëzve në politikë varet më shumë prej proceseve në të cilat ndodhen, prej pozitave në të cilat janë në një organizëm të caktuar, sesa prej karaktereve subjektive e individuale të tyre. Nuk po them se ne nuk kemi dallime, se sigurisht që kemi. Nuk po them se nuk kemi probleme nga e kaluara, se sigurisht se kemi.

Por besoj se ajo çfarë kemi përpara është shumë më e rëndësishme jo vetëm për neve si opozitë e bashkuar por para se gjithash e mbi të gjitha për Republikën e Kosovës dhe për popullin e saj. Qeveria aktuale është një fakt i keq, opozita e bashkuar është një mundësi e re dhe jam i bindur se kjo mundësi e re do të forcohet dhe do të zgjerohet, do të thellohet në sfidat gjithnjë më të mëdha që na presin në vitin 2016.

Sfida këto që ne nuk i konsiderojmë vështirësi të pakalueshme, përkundrazi i konsiderojmë pengesa në tejkalimin e së cilave ne do të kalitemi gjithnjë e më shumë”, thotë Kurti për KosovaPress.

Rëzimi i Qeverisë është një arsye që do të nxjerrin në rrugë sërish opozitën e bashkuar, madje shumë shpejt. Kjo formë kundërshtimi do të organizohet më 9 janar. Masiviteti që do të mbretërojë në këtë ditë do të jetë mjaftueshëm për t’i dhënë një mesazh pozitës që të jap dorëheqje.

Kurti thotë se protesta do të jetë paqësore dhe nuk do të jetë e vetmja që do të organizohet për këtë fillimvit. Ato nuk do ndalen deri në rrëzimin e kësaj qeverie.

Kurti: Si u shkarkua Jabllanoviqi, ashtu do të shkarkohet edhe Mustafa

“Natyrisht nëse nuk ka dorëheqje do të ketë rëzim, por gjithsesi është më mirë që të ketë dorëheqje se sa rëzim. Ne nuk i kemi caktuar ende datat e protestave të tjera në vijim, mirëpo ashtu siç është e sigurt kjo protestë, ashtu do të jetë e sigurt se do të ketë edhe pas nëntë janarit…  Jo. Ne nuk përdorim dhunë. Ne jemi aty të paarmatosur.

Janë policia e cila paraqet një lloj eskadroni të nëpunësve të padrejtësisë dhe dhunës, gjithnjë në shërbim të regjimit, ajo e cila po përdor dhunë ndaj protestuesve. Në vitin 2015 kështu ishte, dhe, uroj që mos të jetë edhe në vitin 2016.

Ne nuk do ta rëzojmë me dhunë këtë qeveri, por me trysninë civile të popullit të Kosovës. Mustafa pati thënë se nuk do ta shkarkojë as Jabllanoviqin, mirëpo e dimë shumë mirë se kjo ndodhi. Për më shumë se një muaj e mbronte Jabllanoviqin, mirëpo në fund u detyrua që ta shkarkojë. Dhe këtë gjë që dikur e bëri me Jabllanoviqin në shkurtin e kaluar, në fillimvitin e 2016-të do të duhet ta bëjë me vetveten e tij. Ashtu siç e shkarkoi Jabllanoviqin do ta shkarkojë edhe vetveten. Për shkak se trysnia civile e popullit të Kosovës paqësore dhe e padhunshme do të jetë edhe masive dhe e pandalshme”, thotë Kurti.

Po ai nuk e konfirmon se a do të jetë i pranishëm në këto protesta, pasi deri më 6 janar ai pret përgjigjen nga Gjykata, në po të njëjtën ditë kur e ka edhe seancën gjyqësore.

Pas kësaj seance, Kurti thotë se në bashkëpunim me kryetarin e VV-së, Visar Ymerin dhe liderët tjerë opozitarë do të marrin vendimin e duhur.

Kurti e ripërsërit se “Zajednica” ka vdekur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Këtë vendim e komentoi edhe sekretari i shtetit Amerikan John Kerry, por që sipas Kurtit, as Kerry nuk e përkrah këtë “Zajednicë”.

Kurti: Ta përkrahësh “Zajednicën” është ta përkrahësh Beogradin

“Gjykata e kapur Kushtetuese e ka parë se sa e keqe është “Zajednica” dhe ka qenë e domosdoshme që praktikisht ta anulojë atë në 23 nene të Kushtetutës që ajo i shkel me secilën prej shtatë kapitujve të saj. Unë e kam përcjellë edhe konferencën për shtyp të sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, i cili praktikisht e pranoi që “Zajednica” është kompromis i madh sepse tha që liderët tuaj janë shumë të guximshëm. Kanë treguar lidership.

D.m.th. me vet faktin që thoshte kanë treguar lidership, tregon se kanë bërë koncesione të mëdha dhe ai tha që “ne nuk përkrahim marrëveshje të cilat janë të dëmshme për integritetin territorial, sovranitetin dhe ardhmërinë e Kosovës” dhe pas këtij aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese praktikisht i bie që sekretari amerikan John Kerry, nuk e përkrah “Zajednicën”. Të vetmit që e përkrahin “Zajednicën” janë Beogradi, andaj sot ta përkrahësh “Zajednicën” do të thotë ta përkrahësh Beogradin.

Prandaj, është absurd ky qëndrimi i Mustafës por, unë besoj që në frymën e asaj çka ka thënë sekretari Kerry do të duhej që ca lidership madje shumë më shumë lidership të tregojnë zyrtarët e Serbisë duke bërë koncesione të drejta karshi Kosovës, e jo Kosova duke bërë koncesione të padrejta karshi Serbisë.

E di që nuk do të jetë lehtë, mirëpo, siç thotë një mik i imi “e keqja po e bënë të veten mirëpo, edhe ne po e bëjmë tonën”. Opozita e bashkuar është më e vendosur, më punëtore dhe më e bashkuar si asnjëherë më parë”, thotë tutje Kurti.

Ai ka dhënë edhe arsyet se pse Bashkimi Evropian insiston në krijimin e Asociacionit.

Kurti: BE-ja s’mund ta ndalë “Zajednicën” nëse atë e duan Mustafa dhe Thaçi

“Ka një insistim të Bashkimit Evropian që të vazhdohet me krijimin e Asociacionit të komunave serbe. Besoj se kjo vjen për shkak se ata ishin ndërmjetësuesit dhe është në interes të ndërmjetësuesit që të dëshmojë sukses, ndonëse është më e rëndësishme se sa i drejtë është ai sukses.

Por, këtu nuk është e çuditshme që insiston Bashkimi Evropian edhe për një arsye tjetër. Për shkak se Bashkimi Evropian nuk mund ta trajtojë Serbinë më keq sesa Kosova. Kur Mustafa dhe Thaçi thonë se duhet të vazhdojë ‘Zajednica’ tash Bashkimi Evropian nuk mund të dalë më patriot për Republikën e Kosovës sesa vetë krerët qeveritare të Kosovës.

Pra, në momentin që Mustafa dhe Thaçi insistojnë në shpërblimin e Serbisë, Bashkimi Evropian veçsa i bashkohet atyre. Në këtë rast nuk është që BE-ja po i prin Mustafës dhe Thaçit. Kur është çështja e Serbisë dhe tendencës për ringjalljen e ‘Zajednicës’ janë këta të dy që po i prijnë BE-së.

BE-ja nuk ka pësuar masakra dhe gjenocid e as shtypje politike dhe shfrytëzim ekonomik prej Serbisë, jemi ne që kemi përjetuar një gjë të tillë. D.m.th jemi ne viktimat e Serbisë. E kur përfaqësuesit kryesor të viktimave të Serbisë janë të gatshëm që Serbisë të ia japin ‘Zajednicën’ në Kosovë, Bashkimi Evropian ndodhet para aktit të kryer dhe kësisoj i bashkohet këtij duetit Mustafa-Thaçi.

Edhe njëherë po them se nyja neuralgjike janë këta dy persona të cilët në vitin e ri 2016 janë politikanë tepër të vjetër për të qenë në skenën politike”, thotë Kurti.

Kurti ndalet edhe te marrëveshja e LDK-së me PDK-në, ku parashihet që Hashim Thaçi të bëhet president, duke thënë se ai nuk e meriton por as nuk i takon që të bëhet president i Republikës së Kosovës.

Kurti: Thaçi nuk e meriton të jetë president

“Besoj se data kur duhet të zgjidhet presidenti i ri i Kosovës është bukur e largët kur kemi parasysh kohën intensive që do ta përbëjë janarin e vitit të ardhshëm. Unë tash nuk do të them se çfarë do të bëjë Lëvizja Vetëvendosje dhe opozita e bashkuar kur të vijë ajo ditë por, kur të vijmë tek ajo urë do ta kalojmë edhe atë.

Unë besoj që Thaçi as nuk e meriton, e as nuk i takon që të bëhet president i Republikës së Kosovës. Ai ka bërë mjaftueshëm dëme si kryeministër dhe si ministër i Punëve të Jashtme, që tash mos të ndodh çmenduria e ardhshme duke e propozuar atë për president”, thotë Kurti për KosovaPress.

Ai shtoi se brenda koalicionit qeveritar ka personalitete të mira por jo nga ata që vijnë në Kuvend dhe përkrahin ‘Zajednicën’, duke u ankuar për tymin e gazit lotsjellës të opozitës së bashkuar, ndërkohë që i fryjnë zjarrit të Serbisë të quajtur ‘Zajednicë’.

 

Dardan Hoti

 

 

 

 

Intervistë për gazetën ‘Epoka e Re’

 

 

“Epoka e re”: Z. Kurti Kosova kaloi një vit me plot sfida dhe përballje si asnjëherë më parë mes pozitës dhe opozitës. Ndodhën arrestime të deputetëve të opozitës. A mendoni se edhe 2016-ta do të jetë një vit i sfidave apo ky vit do të sjellë ndryshime?

Kurti: Konsensusi i koalicionit PDK-LDK-Srpska është moçal që ia sjell malarjen popullit të Kosovës. Ballafaqimi me ta bëhet lume që rrjedh prej qytetarësh duke ua shpëtuar atyre edhe jetën edhe Republikën. Viti 2015 ishte vit i opozitës së bashkuar, prej 3 shkurtit kur u shkarkua Jabllanoviqi e deri më 23 dhjetor kur vdiq ‘Zajednica’.

Me protesta brenda e jashtë Kuvendit u kritikua e u kundërshtua, u denoncua e u kontestua ‘Zajednica’, derisa edhe vetë Gjykata e kapur Kushtetuese shpalli vdekjen e saj. Viti 2015 ishte përgatitje për vitin 2016. Viti 2016 do të nise me pamundësimin e ringjalljes së ‘Zajednicës’ me të cilën kjo qeveri e ka lidhur fatin e vet.

Viti 2016 do të nis me mbrojtjen e rreth 9.000 hektarëve tokë të Kosovës të cilat qeveria ka pranuar t’ia dhurojë Malit të Zi. Ne nuk kemi as tokë për të falur dhe as shtet për të gjymtuar. Ne kemi Republikë për të mbrojtur dhe qeveri për ta rrëzuar.

Detyra para nesh është e vështirë mirëpo me nder e kënaqësi e kemi pranuar atë.

 

“Epoka e re”: Tri partitë opozitare kanë nisur përgatitjet për protestën e 9 janarit. Çka synon opozita përmes kësaj proteste?

Kurti: Opozita e bashkuar e synon atë që e thotë: mbrojtjen e Republikës së Kosovës nga tradhtarët që kanë bërë ‘Zajednicë’ me Serbinë kurse Malit të Zi ia bënë peshqesh 9.000 hektarë. Kjo qeveri kuislinge duhet të shkojë. Ajo i ka dy rrugë: dorëheqjen ose rrëzimin. Ne themi që më mirë ajo të dorëhiqet sesa të rrëzohet. Dhe, më mirë qysh nesër, sesa atje dikur pasnesër.

Me dy partitë tjera opozitare AAK dhe Nisma jemi të vendosur që të mos ndalemi për synimin që na ka bashkuar. Të shtunën, më 9 janar, do të bëjmë grumbullim paqësor fillestar te Biblioteka Kombëtare dhe Universitare në orën 14:00, mandej kemi marsh paqësor nëpër rrugën ‘Nëna Tereze’, për ta mbajtur në fund protestën paqësore te sheshi ‘Skënderbeu’ para ndërtesës së qeverisë.

Protesta e së shtunës është protestë për demokraci dhe sovranitet në shtetin e Kosovës, për drejtësi liri për qytetarët e Kosovës.

 

“Epoka e re”: Ju jeni në arrest shtëpiak deri më 17 shkurt, në  një datë që ka domethënie – është përvjetori i pavarësisë së Kosovës, por edhe arrestimi i juaj ndodhi më 28 Nëntor, edhe kjo një datë që ka domethënie për të gjithë shqiptarët. Kjo është një rastësi, sepse në opinion është folur se ka qenë plani i juaj që të arrestoheni më 28 Nëntor dhe lirimi i juaj do të ndodhë më 17 shkurt?

 

Kurti: Sa më shumë që veprojnë policia, prokuroria dhe gjyqësia kundër opozitës aq më shumë duket mosveprimi i tyre ndaj korrupsionit qeveritar, kriminelëve serbë të luftës, krimit të organizuar dhe strukturave shtetërore paralele të Serbisë.

Kur ne themi se Kosova është shtet i kapur atëherë ne pikë së pari mendojmë në kapjen e policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit. Arrestimi im me 28 nëntor u bë për shkak të atyre që më arrestuan, pra për shkak të Policisë së Kosovës. Ata nuk më patën arrestuar në protestën e 18 nëntorit edhe pse më panë aty. Ata më patën liruar tri orë pas kidnapimit me 12 tetor.

 

Pra, Policia e Kosovës duhet të përgjigjet pse vendosën të më arrestojnë pikërisht me 28 nëntor madje duke përdorur edhe njësitet anti-terror. Në fjalimin tim me 28 nëntor nuk ka pasur asnjë thirrje për dhunë a terror që ata t’i mobilizojnë ato forca kundër meje mu në festën kombëtare të 28 nëntorit.

Qartazi, policët e Kosovës, prej kordoneve të tyre në seancat e Kuvendit e deri te mësymja ndaj neve aktivistëve e deputetëve opozitarë, nuk janë as policë të Kosovës dhe as mekanizëm shtetëror por truproja të qeverisë dhe bandë e regjimit. Ndërkaq, me datën 17 dhjetor, derisa unë isha në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc (Dyz), Gjykatësi i Gjykatës Themelore, Beqir Kalludra, ma vazhdoi paraburgimin edhe për dy muaj, pra deri më 17 shkurt 2016.  Nuk e di pse ai u ngut të ma vazhdojë paraburgimin me 17 dhjetor, përderisa paraburgimi i atëherëshëm vlente deri më 28 dhjetor!?

Dhe, nuk e di pse këtë nuk e bëri me 16 apo 18 dhjetor por pikërisht me 17 dhjetor dhe, për pasojë, ky paraburgim përfundon më 17 shkurt 2016, në përvjetorin e tetë të shpalljes së pavarësisë?! Rrjedhimisht, në pyetjen tuaj duhet të përgjigjet Policia e Kosovës (dhe kryeministri e ministri i brendshëm sepse, pa dijeninë e tyre, nuk besoj të jenë përdorur forcat elitare anti-terror kundër meje), si dhe Gjykata Themelore, përkatësisht gjykatësi Beqir Kalludra.

 

 

“Epoka e re”: A do të merrni pjesë në protestën e 9 janarit?

Kurti: Se çka është më mirë dhe më e dobishme të bëj, e vlerësoj më vonë dhe bashkë me strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si dhe në koordinim me opozitën e bashkuar në përgjithësi. Jetojmë në një kohë intensive. Një ditë në muajin janar të këtij viti mund të vlejë sa një vit në kohëra të tjera.

 

 

“Epoka e re”: Pse qytetarët kanë arsye që t’i përgjigjen kësaj proteste, pasi Gjykata Kushtetuese ka dhënë një aktgjykim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, po ashtu Qeveria ka bërë me dije se do të jetë e gatshme për të formuar një komision për demarkacionin, ku do t’i dërgonte edhe opozita përfaqësuesit e saj.

Edhe pas kësaj, mendoni se duhet të protestohet?

Kurti: Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka konstatuar se asnjëri prej shtatë kapitujve të Marrëveshjes Mustafa-Vuçiq të 25 gushtit 2015 nuk është në përputhje me kushtetutën dhe se janë shkelur gjithsej 23 nene të Kushtetutës. Prandaj, aktgjykimi i këtillë shënon vdekjen e ‘Zajednicës’. ‘Zajednica’ ka vdekur, mirëpo kjo qeveri po aspiron ta ringjallë ‘Zajednicën’ kundërkushtetuese porsi një zombi.

Kjo është arsyeja pse kjo qeveri duhet të bie. Ajo nuk e pranon gabimin dhe ajo nuk ndjen as pendesë dhe as keqardhje. Arsyeja tjetër pse kjo qeveri duhet të shkojë është insistimi i saj në Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Nuk e shkarkuan Komisionin përkatës dhe tash premtojnë komisione të reja ndërkohë që i gëzohen cilido deklarim ndërkombëtar që përkrah humbjen e 9.000 hektarëve të Kosovës.

Shumë saktë e ka thënë Prof. Zejnullah Gruda: ‘Problemi i demarkacionit s’është problem i pronave private, por i ndarjes së sovraniteteve.’

Natyrisht, që ka edhe pafund arsye të tjera në fushën e drejtësisë, sigurisë dhe atë socio-ekonomike që u thonë qytetarëve se kjo qeveri duhet të shkojë. Dhe, të gjitha këto arsye janë më së të mjaftueshme që qytetarët masivisht të dalin në protestën e 9 janarit, pa dallim moshe a gjinie, pa dallim rajoni a partie.

 

“Epoka e re”: Çka nëse protesta e 9 janarit nuk e largon këtë qeverisje? Cila do të jetë rruga tjetër e opozitës, zgjedhjet e parakohshme apo një qeveri teknike-kalimtare?

Kurti: Nuk mund të fitojë autoritarizmi mbi demokracinë, arbitrariteti mbi kushtetushmërinë, uzurpimi mbi sovranitetin. S’ka rrugë tjetër. 9 janari është protesta e parë që do të vazhdojë për aq sa do të jetë e nevojshme. Pra, deri në largimin e kësaj qeverie represive e shfrytëzuese përbrenda shtetit dhe koncesioniste e kapitulluese ndaj shteteve tjera jashtë.

Durimit të qytetarëve po i vie fundi. Pra, kësaj qeverie po i vie fundi. Ne nuk kemi nevojë për edhe një qeveri tjetër kalimtare sepse qeveria Thaçi-Mustafa është qeveri kalimtare. Pas largimit të kësaj qeverie e cila është kuislinge politikisht dhe compradore ekonomikisht duhet të shkojmë menjëherë në zgjedhje të reja parlamentare.

Nuk mund të ketë republikë përderisa interesat private ndodhen mbi të mirën publike. Pra, nuk mund të ketë Republikë të Kosovës përderisa kjo qeveri është mbi Kosovën.

 

“Epoka e re”: Z. Kurti a mund të shkojnë në një listë të përbashkët LV-ja, AAK-ja dhe Nisma? Sa do të ishin gjasat që këto parti së bashku të dalin fitimtare në zgjedhjet, kurdo që vendosen ato të mbahen?

Kurti: Është e mundshme, por ende është herët të flitet për këtë çështje. Tash për tash ne jemi të përqendruar te pjesëmarrja qytetare në protesta e jo te parashikimet elektorale. Opozita e bashkuar duhet të fitojë duke e larguar këtë qeveri para çfarëdo fitoreje tjetër, qoftë ajo edhe elektorale.

 

Mundësia e fitores sonë në vitin 2016 në të cilin porsa hymë është shumë reale. E mbani mend qysh në vitet e shkuara shpesh na thuhej se jemi ende të vegjël krahasuar me PDK e LDK. Mirëpo, viti që shkoi ishte viti i fuqizimit tonë si asnjëherë më parë. Në vitin e kaluar Lëvizja jonë ishte subjekti që përcaktonte diskursin publik e politik në Kosovë dhe ishim aktivë çdo orë të secilës ditë.

Mund të themi që viti 2015 e dëshmoi fjalën e urtë popullore se ‘i vogli rritet, kurse i rrituri plaket’. Pikërisht kjo ka ndodhur, Lëvizja jonë është rritur, ndërsa PDK e LDK janë plakur. Dhe, këta dy pleq u bënë bashkë kundër këtij të riu të rritur. Rezultati i kësaj ndeshjeje dihet. Koha e dëshmon.

 

 

“Epoka e re”: Koalicioni qeverisës PDK-LDK, në prill do të bëjë përpjekje të zgjedh kandidatin për president, në këtë rast z. Thaçi, ashtu si e kanë ata marrëveshjen. Me këtë rrjedhë të situatës politike që ka vazhduar a do të mundet PDK-LDK ta zgjedhin Thaçin president?

Kurti: Prilli është aq larg dhe ky regjim është kaq i dobët saqë qysh tash muaji prill ngjan si një prill i thyer. Mustafa dëshiron ta zgjedhë Thaçin për president të Kosovës në mënyrë që ai për vete të mbetet kryeministër. Mirëpo, sa deputetë të LDK-së do ta ndjeknin atë në këtë aventurë personale mund të mos e marrim vesh kurrë, për shkak se shumëçka tregon se qeveria e tij do të bie më herët.

Merreni me mend se çfarë i bëri Mustafa LDK-së: para një viti ua kërkoi votën deputetëve të LDK-së për Kadri Veselin kryeparlamentar ndërsa tash po ua kërkon votën për Thaçin President! I ka mbetur vetëm edhe ta marrë librezën e PDK-së tani që po e arrin moshën e pensionimit.

 

 

1)      Në ç’kushte një forcë politike shqiptare në 2015 është e detyruar të përdorë vezët apo gazin lotsjellës si mjete komunikimi?

 

Ekziston një ndarje konceptuale dhe parimore mes asaj politike që kërkon t’i japë forcë së drejtës, dhe asaj që vepron duke i dhënë të drejtë forcës. Një politikë e cila e forcëon të drejtën është ajo që vepron në terrenin e përballjes së argumentëve dhe ideve. Por fatkeqësisht në Kosovë përballemi me një botëkuptim cinik nga ana e pushtetit. Mesazhi që vjen nga pushteti është vazhdimisht i njëjti, ata na thonë se të drejtë ka i forti.

 

Në kushtet kur imponohet prej pushtetarëve një diktaturë e forcës, atëherë fjalët, frazat, argumentët e opozitës apo edhe të qytetarëve e humbasin vlerën. Valenca e fjalës politike është pozitive vetëm për sa kohë ajo është e barabartë me aktin, pra për sa kohë ka një impakt të matshëm. Përndryshe, të thuash të vërtetën kur pushteti nuk dëgjon, e shumëzon vlerën e fjalës me zero.

Pra, fjala e argumenti në kushtet e një pushteti që vepron me diktat e me forcë, shndërrohen në llafe.

 

Mendoj se në momentet delikate që po kalon Kosova, momente të cilat mund ta dërgojnë atë drejt një të ardhmeje të paqartë me krijimin brenda saj të një strukture parashtetërore ngjashëm me Bosnjën, nuk mund të mjaftohemi me llafe. Jetojmë në vendin më të varfër në Evropë, me qeveritarët më të korruptuar, ndërkohë që edhe në aspektin e politikës së jashtme, sovraniteti po rrënohet dhe po kthehemi në një shtet disfunksional. Në të tilla raste, ka nevojë për veprime.

 

Si veprim të parë, e bëmë një peticion, me mbi 205.000 nënshkrime. Kemi organizuar protesta qytetare nëpër sheshe të qyteteve. Por nga qeveria nuk ka patur asnjë reagim pozitiv, ata janë treguar të mbyllur për çdo argumentim të opozitës. Ndërkombëtarët po ashtu nuk treguan ndonjë vëmendje për kauzën tonë, sepse Kosova në perspektivën ndërkombëtare është një vend fare i vogël e i parëndësishëm. Por për ne është atdheu i vetëm, e nuk mund të lejojmë që ky atdhe të përdoret si monedhë për kusuritje.

Vezët dhe gazi lotsjellës ishin veprim i detyruar për ne, me të cilin arritëm vëmendjen e ndërkombëtarëve, mediave, faktorëve të ndryshëm qytetarë e institucionalë vendorë. Pra gazi lotsjellës, në mënyrë paradoksale, shërbeu për t’ua hapur sytë të tjerëve, për t’i bërë ta shohin më qartë situatën tonë e për t’i bërë të dëgjojnë argumentet tanë.

 

Efektet kanë qenë të matshme dhe pozitive. Pas protestave tona në Kuvend e jashtë tij, presidentja e dërgoi një pyetje në Gjykatën Kushtetuese. Dhe para dy javësh kjo Gjykatë konstatoi se marrëveshja kundër së cilës ne protestojmë, shkelte plot 23 nene të Kushtetutës së Kosovës. Pra, ne kemi patur të drejtë të protestojmë. E meqenëse qeveria po këmbëngul në vazhdimin e të njëjtit projekt, pavarësisht nënshkrimit të marrëveshjes antikushtetuese, ne jemi të detyruar të vazhdojmë me protesta.

Është rast i ngjashëm me atë që ndodhi në Shqipëri, kur Gjykata Kushtetuese, pas protestave qytetare e opozitare, e shpalli antikushtetuese marrëveshjen për kufirin detar me Greqinë. Nëse qeveria e atëhershme do të këmbëngulte në zbatimin e marrëveshjes pavarësisht vendimit të Kushtetueses, sigurisht që qytetarët do të vazhdonin me protesta.

 

 

 

2)      Ju jeni të bindur se pushtetarët në Kosovë nuk punojnë për interesat e popullit të Kosovës. Mendoni se është vërtetë kështu, apo pushteti në Kosovë është i detyruar të bëjë kompromise të diktuara nga komuniteti ndërkombëtar?

 

Pushtetarët e Kosovës i kanë dy karakteristika të përbashkëta me njëri-tjetrin. Janë të varfër për nga dija dhe nderi. Si pasojë nuk mund të thuhet se udhëhiqen nga ndonjë ide, apo që kanë ndonjë vizion politik. Duke qenë të padijshëm e të pandershëm, ata janë korruptuar me kohë. Korrupsioni i tyre fillimisht ka qenë banal, në formë të uzurpimit dhe të vjedhjes direkte. Me kalimin e kohës ky korrupsion është sofistikuar dhe ka futur në valle edhe përfaqësues ndërkombëtarë.

Në Kosovë janë publikuar edhe në media aferat korruptive që lidhin ish-ambasadorin amerikan C. Dell me kontratën e shumëpërfolur të autostradës Prishtinë – Morinë, ashtu siç janë botuar edhe aferat korruptive të EULEX-it.

Pra, rrënjët e korrupsionit janë futur thellë tashmë, dhe shpesh korrupsioni shfaqet në publik si kompromis.

 

Pushtetarët në Kosovë, duke qenë të gjithë me dosje, janë nën kërcënimin direkt të ndërkombëtarëve. Për pasojë, qasja e tyre ndaj kërkesave që vijnë kryesisht prej Brukselit, është në masë të madhe servile. Brukseli shërben si ndërmjetës mes Beogradit e Prishtinës. Por ndërkohë që Beogradi i paraqet kërkesat e veta të artikuluara qartë, Prishtina nuk dërgon asnjë kërkesë.

Vazhdimisht kemi pyetur qeverinë të na i tregojë kërkesat që delegacioni i Kosovës i paraqet në Bruksel dhe strategjinë e tyre, por kurrë nuk i kemi parë ato. Shkurt, pushtetarët e Kosovës shkojnë në Bruksel vetëm për të pranuar. Ndërsa serbët shkojnë si një shtet i vërtetë, me synime, me strategji e kërkesa, dhe duket qartë se 16 vite pas luftës, ata po i arrijnë synimet e tyre në Kosovë.

 

 

3)      Pse në politikën mbarëshqiptare është i vështirë dialogu mes palëve politike, por sidomos konsultimi i popullit për vëndimmarrje të rëndësishme? Për shembull Tsipras në Greqi, pyeti grekët në lidhje me vendime të rëndësishme që kishin të bënin me marrëdhëniet me Bashkimin Europian dhe pastaj vendosi. Pse në Shqipëri dhe në Kosovë pushtetet tona të të gjitha kohërave, injorojnë hapur lypjen e një mendimi popullor për çështje të rëndësishme?

 

Duke qenë skajshmërisht servilë ndaj ndërkombëtarëve, e duke qenë të shantazhuar e me dosje prej së shkuarës së tyre kriminale e të tashmes së tyre korruptive, qeveritarëve tanë nuk iu mbetet rrugë tjetër, veçse të shtypin sa më ashpërsisht çdo lloj lëvizje të pakënaqësisë popullore e qytetare.

 

Në Kosovë psh. referendumet janë të ndaluara. Janë vetë pushtetarët ata që kanë frikë nga referendumet, ashtu siç kanë frikë nga protestat e nga çdo shprehje e një vullneti qytetar të drejtpërdrejtë.

 

E vetmja “demokraci” që ata pranojnë, është ajo elektorale – e cila është shndërruar në një treg të imazheve. Në zgjedhje paraqiten disa parti, si në një supermarket. Të vetmet dallime janë të ambalazhit, e jo të përmbajtjes. Kësisoj kemi kaluar në një krizë të përfaqësimit. Deputetë milionerë, familjarët e të cilëve menaxhojnë biznese të mëdha, fëmijët e të cilëve studiojnë në universitete të huaja, e të cilët vetë i marrin nga 5-6 rroga nëpër borde, universitete, ministri etj. këta pretendojnë se përfaqësojnë një popull të stërvarfëruar, të papunë, të paarsimuar, të cilit po i largohen të rinjtë me qindra mijëra, drejt emigracionit të paligjshëm.

 

I vetmi subjekt që e prish këtë ekuacion të “demokracisë së supermarketit” është Lëvizja VETËVENDOSJE!. Ne jemi subjekti që bashkon shtresën e mesme me atë të varfër, në kërkim të një kohezioni social që lejon shprehjen e demokracisë në forma të ndryshme e kreative, e jo thjesht si një hipostazë e formalizuar juridike e proceduriale.

 

Për këtë arsye pushteti i partive e sheh Lëvizjen VETËVENDOSJE! si armiken më të madhe. Ata duan stabilitetin dhe status quo-në, sepse kjo është rehatia e levërdia e tyre. Lëvizja do të sillte paqartësi në të ardhmen e tyre dhe dritë qartësuese për të ardhmen e popullit. Që të kthjellohet, uji duhet të lëvizë, thotë populli. E ne do ta lëvizim ujin e ndenjur të pushtetit në Kosovë, do ta trazojmë, deri sa të kullohet.

 

4)      A besoni se ne shqiptarët e kësaj kohe jemi të vetëdijshëm dhe po punojmë drejt për çështjet tona?

 

Nuk më pëlqejnë përgjithësimet dhe nuk jam në gjendje të bëj të tilla. Mendoj se teknologjia e informacionit sigurisht që e lehtëson informimin, dhe ne përpiqemi të jemi kreativë në përdorimin e teknologjisë së re për të komunikuar me sa më shumë njerëz.

 

Por nga ana tjetër, teknologjia si mjet është gjithnjë e më shumë e zotëruar nga pushtetet. Shumë media, sidomos ato jotradicionale, portalet etj. duke vepruar në një mënyrë joetike, thjeshtojnë, dekontekstualizojnë, reduktojnë fjalët në imazh etj. dhe shpeshherë edhe shpifin, mashtrojnë apo keqinformojnë. Në kushtet e shumëfishimit të menjëhershëm që ofron rrjeti, mund të lindin paranoja, frika, apo edhe linçimi. Ndërsa efekti i përditshëm që prodhohet prej ekspozimit ndaj menjëhershmërisë së imponuar të lajmit, është hutimi.

Ndoshta kjo bën që disa njerëz ta kenë më të vështirë të përqendrohen, lexojnë më pak, më shkurt e shpesh më cekët, dhe kjo redukton edhe aftësitë e tyre për të reflektuar, për të imagjinuar e për të menduar kritikisht. E një situatë e tillë është tepër e leverdisshme për pushtetet. Nuk guxoj as ta imagjinoj se ç’do të kishte bërë një Goebels me mjete të tilla në dispozicion.

 

Për të ardhur te pyetja juaj, mendoj se jetojmë në një nga periudhat kur sistemi arsimor është në situatë të mjerueshme, përgjithësisht ndër shqiptarët. Kështu që vetëdija nuk mund të jetë në nivelin e duhur. Por secila gjeneratë i ka sfidat e veta, sfida e gjeneratës sonë është të punojmë në këto kushte, pa u dorëzuar, të përpiqemi të mos e humbim rrugën në supermarketin e imazheve të zbrazëta, dhe të përpiqemi të ngremë një vetëdije qytetare dhe një mendim kritik, sa më gjerë e sa më thellë.

 

5)      Cilat konsideroni sot çështje jetësore për shqiptarët dhe si na shikoni të pozicionuar në Rajon mes fqinjëve dhe në Evropë?

 

Çështje jetësore për shqiptarët mbetet bashkimi, së pari i Kosovës me Shqipërinë. Të qenit të ndarë nuk na ka ndihmuar, përkundrazi na ka penguar. Jemi shtete të vogla të një kombi të mesëm për nga madhësia në botë, dhe ndarja prodhon reduktim në kapacitetet tona për të pasur ekonomi e ekologji, kulturë e shkencë, siguri e mbrojtje, energji e prodhim, demokraci e drejtësi. Jam i vetëdijshëm që ka shumë njerëz të gatshëm të numërojnë problemet që paraqet rruga deri te Bashkimi.

Por, po të isha ironik, do të mund të thosha se secili projekt që vërtet ia vlen, ka kostot edhe problemet e veta deri sa të zbatohet. Asgjë e mirë nuk do të vijë ndonjëherë në formë dhurate.

 

Në rajon, si të ndarë jetojmë nëpër minishtete. Qoftë si territor, si demografi, si volum ekonomik, si kapacitet për siguri, si prodhim material a shpirtëror, jemi shumë më të vegjël krahasuar me Serbinë, Greqinë, Bullgarinë, apo edhe Kroacinë. Të qenit shumë më të vegjël se fqinjët është problem në vetvete, meqenëse shumë shpesh këta fqinjë nuk po i kufizojnë apetitet e tyre të cilat ndonjëherë janë për territor, por më shpesh janë për hegjemoni tregtare e infrastrukturore, dhe i shprehin aspiratat e tyre hegjemonike edhe në terrenin ndërkombëtar, ku vazhdimisht kanë kapacitete më të forta edhe diplomatike, siç e dëshmoi edhe rasti i fundit ku Serbia mbërriti të pengonte anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

 

Sa i përket politikave të sigurisë, Kosova nuk ka ushtri të sajën, për shkak të paaftësisë së qeveritarëve të vet. Shqipëria është në NATO, dhe kjo sigurisht është një faktor pozitiv për ne. Por edhe ushtria e Shqipërisë është e vogël edhe e pakrahasueshme me ato të fqinjëve të lartpërmendur. Dikush mund të thotë se të qenit pjesë e NATO-s e bën të panevojshëm investimin në ushtri, mirëpo po të shohim raste nga rajoni, ndër të cilët më tipiku është ai mes Turqisë dhe Greqisë që janë të dy anëtarë të NATO-s, kuptojmë se politikat e sigurisë e të mbrojtjes nuk janë kaq të thjeshta.

Pastaj, Nato nuk ka armatim të vetin. I gjithë armatimi i NATO-s është ai i shteteve anëtare që e vënë atë në dispozicion.

 

6)      A keni ju personalisht sot pika të rëndësishme referimi dhe konsultimi mes kokave të mençura shqiptare?

 

Unë jetoj brenda shoqërisë sonë, si gjithë shqiptarët e tjerë. Ka shumë njerëz që kanë dhënë kontribute me vlerë në fusha të ndryshme, dhe kanë lënë impakt të pamohueshëm edhe gjerësisht në shoqëri. Ndonjëherë njerëzit priren që për shkak të kontradiktave politike apo ideologjike të mohojnë kontributin e këtyre figurave sa kohë këta janë gjallë, dhe t’i vlerësojnë ata vetëm pas vdekjes.

Por unë nuk e shoh veten pjesë të këtij nihilizmi vleror. Një pjesë të figurave që i vlerësoj shumë, të letërsisë, artit, shkencës, politikës e rezistencës i njoh personalisht dhe përpiqem të ndërtoj një raport të respektit, edhe në rastet kur kemi mospajtime. Nuk do të përmend këtu emra, sepse nuk dëshiroj t’i mbetem borxh askujt prej tyre, e njëkohësisht nuk dëshiroj t’i përdor emrat e tyre për kapital politik.

Ata e dinë se cilët janë, sepse janë të cituar në shkrimet tona, në aktivitetet tona politike, apo edhe në jetën tonë prej aktivistësh.

 

7)      Personalisht besoj shumë te dashuria dhe mirëkuptimi si forma dialogu dhe mundësi rritjeje individuale e më tej kolektive, ju dhe Vetëvendosja i mendoni këto?

 

Më vjen mirë për besimet që keni. Sigurisht, është e rrallë sot të gjesh dikë që thotë se nuk beson tek dashuria e mirëkuptimi, pasi në një mënyrë këto janë vlera të gjithëpropaganduara. Vetëm ndonjë vëzhgues i rreptë i njerëzimit, ndonjë Emil Cioran, ndonjë Ferdinand Celine është në gjendje të shpërfaqë se si shumë shpesh përtej asaj që pretendohet qëndron zbrazëtia dhe cinizmi më i thellë.

 

So, nëse dikush i përcjell spektaklet televizive, këngët pop, apo edhe reklamat nëpër billborde, shumë shpesh ato flasin për dashuri e për mirëkuptim. Por sa më shumë flitet për to, aq më të vetmuar njerëzit që në varfërinë e përditshme po edukohen ta shohin njëri-tjetrin si konkurrent në luftën për mbijetesë.

 

Kësaj ne si Lëvizje i kundërvihemi duke e ndërtuar një terren të ri të solidaritetit, politik e shoqëror. Fillimisht ky terren është ishullor, është vetëm brenda organizatës. Por solidariteti herët a vonë duhet të bëhet pjesë e shoqërisë. Çdo skenar tjetër, është humbje e shpresës.

 

Në aspektin e problemeve që ne kemi me fqinjët apo marrëdhëniet tona me vende të tjera, duhet patur parasysh se marrëdhëniet ndërkombëtare është më e saktë të përkufizohen si marrëdhënie racionale politike, të udhëhequra nga parime universale, nga reciprociteti, nga interesa, e jo nga ndjenja. Sepse ky është përkufizimi dominant, e nëse ne do t’i kundërviheshim këtij përkufizimi dominant duke i parë marrëdhëniet ndërkombëtare si dashuri apo si ndjenjë, do të rrezikonim që të ishim të vetmit që i shohim ashtu.

 

8)      Në vitet e globalizimit dhe të rrëzimit të kufijve mos duhet dhe një këndvështrim i ri ndaj serbëve dhe Serbisë? Ndoshta një bashkëpunim më tepër pragmatist, kulturor, ekonomik, pa humbur identitetin dhe dinjitetin tonë, sigurisht.

 

Nëse jetojmë në kohën e rrëzimit të kufijve, a mos duhet të na shpjegojë dikush se pse në Kosovë po pretendohet të ngrihen kufij të rinj, etnikë, të cilët e ndajnë komunitetin serb në Kosovë përfundimisht prej shumicës? Apo, pse Mali i Zi dëshiron të marrë prej Kosovës mbi 8200 hektarë në Dukagjin? Apo pse Greqia pretendon të arrijë një marrëveshje sa më të leverdisshme për demarkacionin e kufirit ujor me Shqipërinë? Apo pse, fundi i fundit, Serbia ende këmbëngul që Kosova është pjesë e saj?

Unë mendoj, siç thashë më lart, se kemi të bëjmë me një prej momenteve ideologjike. Sa më shumë propagandohet për dashurinë, aq më shumë ka vetmi, pamundësi komunikimi, individualizëm e egocentrizëm. Sa më shumë flitet për rrëzimin e kufijve, aq më shumë mure ngrihen nëpër botë.

Sot po flitet për mure që ndajnë SHBA-të nga Meksika, ndërkohë që telat me gjemba tashmë ndajnë Hungarinë prej Serbisë, për të mbajtur jashtë refugjatët e luftës dhe emigrantët. Brenda në Bashkimin Evropian ende ka diskutime të pazgjidhura për kufijtë, si ato mes Kroacisë e Sllovenisë, e dhjetra të tjera.

 

Në fakt, i vetmi mur që ka rënë ka qenë ai që ndante dy Gjermanitë kundër vullnetit popullor. Ai është muri që duam të më dhe ne, muri që ndan Shqipërinë e Kosovën në një mënyrë arbitrare e kundër çdo vullneti popullor.

 

Sa i përket këndvështrimit ndaj serbëve dhe Serbisë, nuk është e udhës t’i njësojmë këto të dyja. Këndvështrimi ndaj Serbisë duhet të jetë një këndvështrim ndaj një shteti që ka përgjegjësi historike e aktuale, që ka politika e institucione me impakt të qartë, të matshëm e të vlerësueshëm.

Ndërsa këndvështrimi ndaj serbëve nuk mund të jetë përgjithësues. Mes tyre ka individë që kanë bërë krime lufte, apo që kanë mbështetur luftën, ashtu siç ka edhe individë që i janë kundërvënë luftës dhe që i kanë kritikuar qeveritë shovene. Pra nuk mund të kemi një këndvështrim përgjithësues duke i shtënë të gjithë në një thes.

 

Sa i përket Serbisë, mirë është që të jemi realistë. Ç’do të thotë normalizim i marrëdhënieve me një shtet që pretendon se Kosova është pjesë e tij, dhe që nuk njeh e as nuk kërkon falje për krimet e luftës? Kjo është normalizim i një marrëdhënieje të padrejtë dhe joreciproke. Pra është normalizim i pabarazisë dhe i padrejtësisë. Ne jemi për normalizim vetëm kur Serbia të sillet normalisht ndaj Kosovës.

Si fillim, Serbia duhet të njohë Kosovën, duhet të njohë krimet e luftës, të kërkojë falje për to, të dënojë kriminelët, të dëmshpërblejë viktimat, e t’i kthejë Kosovës një sërë sendesh e dokumentesh të vjedhura. Përndryshe, si mund të flasim për normalizim? A mundet dikush t’ju vjedhë shtëpinë me dhunë, e një ditë më vonë t’ju thotë se plaçkën nuk do t’jua kthejë e as falje nuk do t’ju kërkojë, por mirë është të pajtoheni?

 

9)      Si i konsideroni zhvillimet politike dhe në Tiranë? A ka Kosova vëmendjen dhe sinqeritetin në marrëdhëniet me Tiranën?

 

Politikat në Tiranë e Prishtinë kanë inflacion të menaxhimeve ditore e javore duke spikatur kështu më shumë qëndrueshmërinë e qeverive sesa ndryshimin e vendit. Tirana e Prishtina duhet ta mendojnë e zhvillojnë kombin shqiptar në shekullin XXI që mund të jetë ca më i lehtë sesa shekulli XX por s’ka garanci për këtë gjë.

Lidhur me vëmendjen dhe sinqeritetin e Kosovës ndaj Tiranës, mund të them se i gjeni të dyja këto te populli dhe asnjërën te koniuktura udhëheqëse. Fundja, shqiptarët të cilët si individë përfitojnë më së shumti nga të qenit të ndarë të shqiptarëve si kolektivitet janë ata shqiptarë që janë në pushtet ose afër tij, kurse më së shumti humbin qytetarët e thjeshtë shqiptarë. Zaten, kur të bashkohemi na rritet ekonomia dhe siguria porse na zvogëlohen ofiqet për ministra e kryeministra. Kosova si popull pret shumë më tepër nga Tirana.

 

10)    Aktualisht ndodheni në arrest shtëpiak pas burgut të sigurisë së lartë, si e shihni ju të ardhmen e politikës mbarëshqiptare dhe tuajën personalisht?

 

Në Ballkanin Perëndimor, ende të paintegruar në Bashkimin Evropian, janë gjashtë shtete: Bosnja, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Serbia. Dhe, katër fuqi të mëdha: ShBA-të, Gjermania, Rusia dhe Turqia. Në BE nuk duket se do të anëtarësohet ndonjë shtet i ri edhe për afër një dekadë.

Jetojmë në kohëra interesante, për të mos thënë vendimtare. Nganjëherë më duket se kush e parashikon vitin 2025 e ka kollaj mandej edhe me parashikimin e vitit 2050. Politika mbarëshqiptare duhet t’i përqendrojë të gjitha pasuritë dhe energjitë e kombit tonë në ekonominë, sigurinë dhe arsimin e shqiptarëve.

Në këto tri shtylla i jep idetë, angazhimin dhe kontributin e saj edhe Lëvizja VETËVENDOSJE!. Lëvizja jonë betejat më të rëndësishme i ka para vetes e jo pas. Aty jam e do jem edhe unë.

 

 

Intervistë për gazetën “Shekulli”

 

 

1 – Situata politike në Kosovë vijon të jetë e rënduar, ndërsa skenat e dhunës kanë dalë jashtë kufijve të Kuvendit. Pas disa muajsh beteje, jo vetëm politike, kundër marrëveshjeve me Beogradin, si e vlerësoni gjendjen në Kosovë?

 

Beteja ka qenë vetëm politike. Duhet kuptuar se nuk jemi kundër secilës marrëveshje në parim. Por jemi kundër këtyre dy marrëveshjeve pa parime, të cilat na i ka ofruar qeveria e Kosovës në 25 e 26 gusht 2015, pa na njoftuar më përpara, pa e përfshirë opozitën, pa e pyetur Kuvendin, pa i informuar qytetarët.

Pra, duke e shkelur demokracinë me të dyja këmbët. Në këtë rast, kur kemi një qeveri që vepron si në autokraci, sigurisht që kemi qenë dhe jemi të detyruar të reagojmë. Të mos harrojmë se bëhet fjalë për marrëveshje që krijojnë një të ardhme të pasigurt për të gjithë ne, madje edhe për fëmijët e tanishëm e ata që ende nuk kanë lindur në Kosovë, pasi asisoj vendosen premisat e një para-shteti në Kosovë, ngjashëm me atë që ka ndodhur në Bosnjë, e që u vulos me marrëveshjen e Dejtonit.

Dhe Bosnja nuk është realitet aspak i këndshëm.

Gjendja në Kosovë, pas aksionit opozitar në kuvend dhe dhjetëra tubimeve e protestave në qytete, si dhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që tregoi se marrëveshja e nënshkruar nga qeveria i shkel plot 23 nene të Kushtetutës së Kosovës, është e polarizuar. Mbështetja për opozitën është shumë e lartë, edhe këtë e tregoi pjesëmarrja në protestën e 9 janarit, që ishte protesta më e madhe e zhvilluar ndonjëherë në Kosovën e pasluftës.

Tashmë qeveria, përballë vendimit të Gjykatës Kushtetuese e përballë indinjatës së popullit e cila vjen në rritje, nuk ka rrugë tjetër përveçse të dorëhiqet e thërrasë zgjedhje. Vetëm zgjedhjet e reja do të mund të prodhonin një rrugëdalje prej krizës politike që kjo qeveri e ka prodhuar vetë. Nëse qeveria këmbëngul të mos i thërrasë zgjedhjet, atëherë shumë shpejt protestat do të vazhdojnë.

 

2 – Ka akuza publike ndaj jush si nxitës të dhunës. A ndjeheni përgjegjës se po frymëzoni një valë dhune të papërshtatshme për një vend europian?

 

Po të shihnit protestat e zhvilluara javën që shkoi në Bruksel, ku bujqit e fermerët e shtynë policinë me traktorë, apo po të ndiqnit protestat e ndryshme që kurrë nuk ndalen anekënd Bashkimit Europian, ndoshta nuk do të mendonit se në Kosovë po ndodh diçka e papërshtatshme për një vend evropian.

Vendet ku opozita e populli heshtin, ulin kokën edhe binden çfarëdo që të ndodhë, këto nuk janë vende europiane e as demokratike.

Sa për dhunën, në asnjë moment opozita e qytetarët protestues nuk kanë ushtruar dhunë. Pasi qeveria na i solli marrëveshjet e nënshkruara jodemokratikisht e pa-transparencë (ky është akti i parë i dhunës që qeveria ushtroi mbi ne), neve u organizuam në peticion. Besoj pajtoheni se peticioni është mjet demokratik.

U nënshkrua nga mbi 205.000 qytetarë. Qeveria në vend se të përgjigjej ndaj kërkesave të peticionit, i mbylli sytë e veshët dhe nisi të ofendonte qytetarët që e kishin nënshkruar peticionin duke thënë se ata ishin injorantë e se nuk dinin çfarë kishin nënshkruar.

Pas kësaj, qeveria filloi të tallej edhe me opozitën në Kuvend, kur tha se “do të raportonte” mbi marrëveshjet tashmë të bëra, por nuk do t’i sillte ato në Kuvend për ratifikim. Dihet se Kuvendi nuk është organ këshillëdhënës, por organ vendimmarrës. Arroganca e kësaj qeverie dhe e forcave parlamentare që e mbështetin atë, na detyroi të veprojmë për të ndërprerë seancat parlamentare.

Nuk mund të ketë normalizim institucional kur kryeministri fillon e sillet si monark.

Për më tepër, këto marrëveshje ishin antikushtetuese, dhe këtë e tha edhe Gjykata Kushtetuese. Një kryeministër i cili vepron pa marrë parasysh opozitën, qytetarët e Kuvendin në kundërshtim me Kushtetutën e tij, është duke bërë grusht shteti institucional. E veprim më të dhunshëm se ky nuk ka në një republikë.

Ky është veprimi që vërtet do të mund të quhej i papërputhshëm me vendet europiane, pasi në Europë ka rreth 50 vjet që nuk ndodh një grusht shteti institucional, që në kohën kur kolonelët e morën pushtetin në Greqi.

Megjithë vendimin e Kushtetuteses kryeministri këmbëngul se do t’i zbatojë marrëveshjet. Ne organizuam një protestë paqësore. Por besoj, pas gjithë sjelljeve arrogante të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, është i mirëkuptueshëm mllefi i qytetarëve, të cilët dolën si kurrë më parë masivisht në protestë. Madje, ky mllef do të vijë duke u rritur nëse qeveria nuk i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme.

 

3 – Mijëra qytetarë të Kosovës shikojnë te Albin Kurti një lider të gatshëm të martirizohet. Juve ju pëlqen roli i martirit? Pëlqeni më tepër të bëni martirin apo politikanin?

 

Nuk e di se nga dalin këto perceptime për mijëra qytetarë të Kosovës që “shohin martirin”. Me sa di unë kjo fjalë është përdorur nga Ben Blushi, e jo nga mijëra qytetarë të Kosovës.

Për më tepër, nuk ka si t’i pëlqejë dikujt “roli i martirit”, sepse martiri nuk është rol por shenjë. Unë i kuptoj ata që bëjnë ngatërrime të tilla konceptuale dhe synimet e tyre për ta paraqitur Lëvizjen VETËVENDOSJE! si një forcë politike jo-racionale, bazuar mbi ndonjë vizion thuajse religjioz. Këta njerëz luajnë me frikën që liberalët kanë prej çdo njeriu që është gati të sakrifikojë shumë për një çështje. Por, nuk e bëjnë dallimin prej çështjes në çështje.

Çështja e Republikës së Kosovës, beteja për këtë Republikë, është betejë ekzistenciale për ne, sepse nuk kemi atdhe tjetër. E si në çdo betejë ekzistenciale, marrim pjesë me gjithë ekzistencën tonë. Beteja të tilla ekzistenciale ka patur shumë, dhe historia e Europës moderne nis tek një e tillë, tek beteja e rezistencës antifashiste.

Ne në Kosovë jemi duke i rezistuar një fashizmi të një lloji modern, po bëjmë edhe ne rezistencën tonë. Nuk ka zgjidhje përveçse t’i rezistosh fashizmit.

 

4 – Keni menduar ndonjëherë gjatë muajve të fundit, veçanërisht gjatë kohës në burg, për t’i thënë “stop” gjithçkaje dhe për të ndryshuar kurs, duke kërkuar dialog?

 

Ne kemi kërkuar dialog për katër muaj. Kërkesa jonë që marrëveshja të tërhiqet është pikërisht kërkesë për dialog. Sepse dialog mund të kishte vetëm po të tërhiqej marrëveshja. Dialogu post-festum nuk është më parlamentar, as politik. Dialogu pas aktit të kryer është “muhabet” apo “llaf”, pra si i tillë nuk ka vlerë.

Prandaj ne kërkuam që marrëveshjet të tërhiqeshin, për t’u rikthyer në normalitet parlamentar.

Por qeveria nuk pranoi. Tani kemi një vendim të Kushtetueses që thotë se marrëveshjet e nënshkruara nga qeveria janë 23 herë në kundërshtim me Kushtetutën. Në çdo vend të botës kjo do të shkaktonte zgjedhje, pasi shkelja e Kushtetutës është krimi më i rëndë që mund të bëjë një qeveri. Të dialogosh me kriminelë nuk është parim demokratik, e as ligjor. Në këtë moment, duhet folur për zgjedhje, e pastaj për dialog.

 

5 – Sa mundësi reale mendoni se ka për të zhvilluar një dialog mes qeverisë dhe opozitës? Apo gjithçka është e mbyllur dhe në pritje të anulimit të marrëveshjeve?

 

Përveç asaj që thashë më parë duhet theksuar që ndarja politike në Kosovë nuk është, thjesht, ndarje pozitë-opozitë por ndarje për e kundër aspiratave të Serbisë e Malit të Zi që na marrin shtetësi e territor të Republikës sonë. Pra, para pyetjes se a je me pozitën apo opozitën kemi pyetjen tjetër themelore: a je për ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë dhe demarkacionin me Malin e Zi? Siç dihet qeveria e ka kryer pa ne edhe dialogun edhe marrëveshjet me Serbinë e Malin e Zi dhe nga një pozicion i aktit tashmë të kryer na ofronte neve dialog për kafe!

Nuk mund të ketë dialog të qeverisë me opozitën pasi që ajo ka bërë marrëveshje anti-kushtetuese me Serbinë. Kjo qeveri nuk mund të bëjë marrëveshje e paqe edhe me Serbinë edhe me opozitën.

 

6 – A ka Albin Kurti një ëndërr për Kosovën? Si do ta vizatoje atë pas 1 viti dhe pas 10 vjetësh?

 

Nëse në qeveri është Lëvizja VETËVENDOSJE! pas një viti do të kishte filluar hetimi i figurave të rëndësishme të politikës që kanë bërë miliona duke plaçkitur Kosovën në 16 vite. Po ashtu, do të fillonte hetimi i proceseve të mëdha të privatizimeve, që kanë qenë të shoqëruara nga afera korruptive.

Në të njëjtën kohë do të kishte filluar një politikë e jashtme aktive për mbështetjen e krijimit të Ushtrisë së Kosovës, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik në sektorë strategjikë me vende që i konsiderojmë aleatë, prej SHBA-ve e BE-së.

Po ashtu, do të kishte nisur një koordinim i gjerë dhe përafrim praktikash institucionale me Shqipërinë si dhe krijim i mekanizmave të përbashkët.

Megjithatë, një vit është shumë pak për të ndryshuar jetën e përditshme, sidomos në një vend kaq të varfër sa i yni.

Në dhjetë vjet do të kishin ndryshuar shumë gjëra. Për t’i përshkruar këto në një intervistë është vështirë, por do t’i këshilloja të interesuarit të lexonin një libër, që është Alternativa Qeverisëse e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e cila gjendet edhe online. Alternativa jonë Qeverisëse përbëhet prej 20 kapitujve të organizuar në tri shtylla:

Shteti i së Drejtës,

Shteti Zhvillimor dhe

Shteti Social.

Në dhjetë vjet jam i sigurt se gjithçka do të kishte ndryshuar, për shqiptarët në Ballkan, për Kosovën, ekonominë, mirëqenien sociale, arsimin, shëndetësinë e sigurinë. Njerëzit e mirë i kemi, specialistët po ashtu, të cilët më përpara kanë ditur të zhvillojnë industri, ekonomi e shërbime.

Thjesht duhet ndryshuar rruga, pasi po ecim në një rrugë të gabuar, e cila është provuar botërisht se shkakton krizë e rrënim, siç është neoliberalizmi.

 

7 – Hashim Thaçi po vijon rrugën e tij drejt Presidencës së Kosovës. Cili do të jetë reagimi i “Vetëvendosje”-s?

 

Nëse figura e presidentit duhet të jetë unifikuese, nuk ka njeri që do ta luante më keq këtë rol sesa Hashim Thaçi. E kuptojmë se atij i duhet presidenca që të shpëtojë prej gjykatave ndërkombëtare si ajo e EULEX-it apo tentativa për Gjykatën Speciale për UÇK-në.

Mirëpo, vetë Thaçi u shërbeu tërë kohën këtyre burokratëve ndërkombëtarë që padrejtësisht balancojnë fajet e përgjegjësitë e krimeve të luftës në Ballkan, kurse pikërisht ne të VETËVENDOSJE!-s i kundërshtuam ato!

Do të përpiqemi ta ndalim atë që ju e quani “rruga” e tij drejt presidencës. Nuk na duhet edhe një kriminel me pushtet, por një pushtet i dekriminalizuar. Me protestat masive që tashmë kanë nisur, do të kemi zgjedhje parlamentare para se të vijë momenti i zgjedhjes së presidentit.

 

Elton METAJ, kryeredaktor

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch