Home » Sport » Kush është De Biazi, trajneri në pankinën Kuq e zi

Kush është De Biazi, trajneri në pankinën Kuq e zi

Italiani 55-vjeçar Xhovani De Biazi dje është zyrtarizuar në stolin e Shqipërisë. Të hënën trajneri i ri i kuqezinjve prezantohet përpara mediave

 

Nga Andi Matraxhiu

Shqipëria më në fund e ka trajnerin e ri. Sot (dje) zëdhënësi për shtyp i Federatës Shqiptare të Futbollit, Lirim Zalla, ka zyrtarizuar Xhovani De Biazin trajner të ri përfaqësueses kuqezi. Ish-trajneri i Modenës, Torinos dhe Breshias ka pranuar detyrën e re për të marrë në dorë fatet e Shqipërisë. Kontrata e tij është me një afat 2-vjeçar. Ditën e hënë De Biazi do të bëjë edhe prezantimin zyrtar dhe më pas edhe një konferencë për shtyp me mediat e ndryshme.

Kjo është hera e dytë që italiani do të drejtojë një skuadër jashtë vendit të tij. Më parë ka punuar në Spanjë, tek skuadra e Levantes (2007-08), e cila ka përfunduar jo në mënyrën e duhur për faj të situatës së keqe financiare asokohe në klubin spanjoll. Puna e De Biazit mund të nisë nga miqësorja e 29 shkurtit përballë Gjeorgjisë në transfertë.

Shqipëria duhet të nis përgatitjet për eliminatoret e ardhshme të Botërorit 2014, që do të zhvillohet në Brazil. Në Grupin E, veç kombëtares sonë, bëjnë pjesë edhe Norvegjia, Sllovenia, Zvicra, Qipro dhe Islanda. Në eliminatoret Euro 2012, Shqipëria e drejtuar nga ish-trajneri Josip Kuzhe ka marrë 9 pikë, duke e renditur e parafundit në Grupin D.

Deklarata

Pas zyrtarizimit të De Biazit në krye të përfaqësueses së Shqipërisë, për mediat vendase De Biazi ka lëshuar një deklaratë të konservuar: “Duhet të ruaj gjithçka nga deklaratat e mia. S’mund të flas më shumë deri në takimin tim dhe zyrtarimin e ditës së hënë. Mund të them vetëm që është një zgjedhje dhe vlerësim shumë i kujdesshëm nga ana ime për sa u takon ofertave të mbërritura.

Detyra e trajnerit në një përfaqësuese është ajo që prisja prej kohësh, dua vetëm të bëj një punë të mirë në eliminatoret e botërorit të ardhshëm. Sigurisht që kam pasur edhe oferta të tjera nga jashtë Italisë. Njëra mund të them se bëhej fjalë për shuma të mira financiare, por i kisha dhënë fjalën time më parë presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka,”- citon De Biazi në prononcimin e tij të shkurtër.

Tratativat

Pak kohë më pare, në Milano të Italisë, presidenti Armand Duka është takuar me disa trajnerë italianë, kandidatë për pankinën kuqezi. Midis tyre edhe i sapoemëruari De Biazi. Berreta, Karbone dhe disa të tjerë kanë qenë pjesë e diskutimeve. Ndërkohë që kur dukej se Benito Karbone ishte në “pole-position”, De Biazi ka avancuar dhe flitej se ishte gjetur akordi përfundimtarë. Njeriu që bëri të mundur këtë tratativë ishte menaxheri i mirënjohur Sokol Haxhia.

 

Pavarësisht heshtjes së FSHF-së, mediat italiane e dhanë një sinjal të tillë. Ndërkohë që vetëm sot (dje) palët kanë zyrtarizuar gjithçka. Flitet për një pagesë rreth 200 mijë euro në vit, edhe pse aspektet financiare mbahen “top-secret” nga të gjitha anët. I çuditshëm duket akordi, edhe pse është bërë tashmë zyrtar.

 

Asnjë komunikatë nuk ka bërë të ditur shtetit dhe vendin në të cilin është hedhur firma. Të gjitha rrugët të çojnë në një hamendësim që firma e trajnerit italian të ketë mbërritur me anë të e-mail-it, ku palët kanë zgjidhur edhe pretendimet e klauzolat e njëra-tjetrës. Gjithsesi, e rëndësishme është që tashmë De Biazi është zyrtarisht trajner i Shqipërisë.

 Karriera

Xhovani De Biazi e ka filluar karrierën e tij si trajner më 1992 në skuadrën e C2-shit, Vasteze. Debutimi i tij në Serinë A të kampionatit italian daton në sezonin 2002-2003 me Modenën, për të vazhduar më pas me Breshian, Torinon dhe disa muaj me Udinezen më 2009. Por trajneri italian, tashmë pjesë e Shqipërisë, ka pasur një të kaluar të shkurtër në Spanjë, tek skuadra e Levantes më 2007. Kjo është hera e parë që De Biazi do të drejtojë një përfaqësuese.

Kursi

Kohët e fundit, trajneri Xhovani De Biaai ka zhvilluar një kurs nën urdhrat e trajnerit francez të Arsenalit në Agli, Arsen Venger. Në këtë specializim tekniku aktual i Shqipërisë ka fituar një eksperiencë të konsiderueshme, duke zgjeruar njohuritë e tij për fushën e trajningut. Ndërkohë që së fundmi italiani i pankinës kuqezi ka pasur edhe një “aventurë” si komentator në kanale televizive të vendit të tij.

Stafi

Mbase ditën e hënë trajneri italian Xhovani De Biazi mund të bëjë të ditur edhe stafin e tij të ri. Flitet se mund të mbërrijnë nga Italia njerëz të zgjedhur të trajnerit të sapoemëruar. Ndërkohë që gjërat pritet të zyrtarizohen ditën e hënë, gjatë prezantimit dhe konferencës së tij për shtyp me mediat shqiptare.

 

Shtëpia, e njëjta e Josip Kuzhes?

Veç pikave të tjera të kontratës së trajnerit të ri të Shqipërisë, Xhovani De Biazi, një nga hallkat plotësuese është edhe shtëpia në të cilën do të banojë trajneri italian, i cili mund të afrojë edhe familjen e tij në Shqipëri. De Biazi është i martuar dhe ka edhe një vajzë me bashkëshorten e tij. Federata Shqiptare e Futbollit është ende në kontratë me shtëpinë e mbajtur më parë nga trajnerit Josip Kuzhe.

Kroati banonte në një zonë të “Rrugës së Elbasanit”, pranë shtëpisë së Kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Mendohet se në fillim trajnerit italian do t’i prezanohet ky apartament për të jetuar, më pas nëse italiani do të ketë tjetër dëshirë, do t’i paraqiten të tjera ambiente për të banuar. Gjithsesi, kjo hallkë është një nga më të thjeshtat pas mbërritjes së italianit në vendin tonë.

 

Fobia “Dosena” në përfaqësuesen kuqezi

Në vitin 2002, trajneri i parë i huaj në epokën “Duka” ka qenë pikërisht italiani Xhuzepe Dosena, i cili e drejtoi Shqipërinë në dy ndeshje. Takimi i parë ishte ai i humbur në Rusi, ndërkohë që pas barazimit ndaj Zvicrës në “Qemal Stafa” 1-1 (gol i Muratit për tanët), trajneri italian është zhdukur nga Shqipëria pa lënë gjurmë. Dosena erdhi në radhët e Shqipërisë si asistent i kombëtares së Paraguait. Pas “arratisjes” nga Shqipëria, ai u bashkua me skuadrën Al-Ittihad të Arabisë Saudite.

Kjo histori ka lënë një shije të hidhur tek ambienti i gjërë sportiv në Shqipëri, por pa dyshim që nuk ka asnjë lidhje me ardhjen në krye së pankinës kuqezi të Xhovani De Biazit, i cili ka një “aventurë” të gjatë përpara, e gjitha për t’u parë e zbuluar deri në fund. Le të shpresojmë që italiani i radhës të jetë i hajrit për kombëtaren e Shqipërisë dhe eliminatoret e ardhshme të na dërgojnë sa më lart në tabelën e klasifikimit, për të shpresuar në ëndrrën e madh “kualifikim”.

CV

Emri:              Xhovani                           Mbiemri:        De Biazi

Vendlindja:   Sarmede (Itali)        Datëlindja:    16-06-1956

 Karriera

1992/93         Varteze          (C2)

1993/96         Karpi              (C1)

1996/97         Kozenca         (B)

1997/98         Spal                (C2)

1998/99         Spal                (C1)

1999/2001     Modena          (C1)

2001/02         Modena          (B)

2002-2003     Modena          (A)

2003-2005     Breshia           (A)

2005/06         Torino                        (B)

2006/07         Torino                        (A)

2007               Levante          (A)

2008-2009     Torino                        (A)

2009               Udineze         (A)

One Response

  1. Sladkaa thotë:

    Besniku thoteb:nje talent i shaqur i cili ka nje agresivitet te nje bokseri klasik. kam degjuar disa here per kete sportiste.Besi, Mitrovice

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch