Home » Kulturë » KUSH I PËRKRAHË TALENTET E REJA, MERITON MIRËNJOHJE

KUSH I PËRKRAHË TALENTET E REJA, MERITON MIRËNJOHJE

(Në Muzeun  Historik Kombëtar të kryeqytetit, përurohen disa libra)

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

Nuk ishte hera e parë, që poeti e shkrimtari Pilo Zyba na thërriste në një takim “urgjent”. Duke e ditur se ai është një ndër nxitësit dhe përkrahësit e vazhdueshëm të krijuesve të rinj në letërsi, sidomos në poezi, menjëherë shpejtuam për në lokalin “Ufo”, në qendër të Tiranës. Isha unë, bashkë me publicistët dhe shkrimtarët Bardhyl Xhama e Pandeli Koçi. Pilua i kudogjendur, erdhi aty i shoqëruar me poeten e re, Belantina Venari. Paksa e skuqur në fytyrë dhe plot emocione, ajo na e dhuroi librin e parë të saj me poezi, “Engjëll i thyer”.

Por Pilua e kishte çantën e mbushur edhe me libra të tjerë. Prandaj miqësisht na kërkoi bashkëpunim që, së bashku, të organizonim përurimin e tyre, në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëetar, në Tiranë, ku do të vinin edhe miq nga Peja e Kosovës. Se, tashmë, “ia kishte marrë dorën” kësaj pune. Para një viti ai erdhi posaçërisht nga Athina dhe u mor me përurimin e librave të rinj të poetëve Dëshira Haxhi, Anila Dahriu e Saimir Hide. Pata kënaqësinë që të flisja, në atë takim mbresëlënës, për librin me poezi të Dëshirës dhe më pas të publikoja mendime rreth tij.

x   x   x

Dhe ja, përsëri P.Zyba na mblodhi në një sallë të Muzeut Kombëtar, ku me librat e tij u bëri shoqëri edhe poeteve të reja, D.Haxhi e B.Venari. Kështu, ai përuroi një libër të përbashkët, “Tingëllimat e shpirtit”, me Angjelina (Enxhi) Krasniqin-Bardhaj, nga Peja e Kosovës, por dhe libra të tjerë me autorësinë e vet: “Troja e trojeve të mia (poezi, poema e balada për Kosovën)  e “Lirikat e pyllit”.

Po, për të arritur deri në përurime të tilla,  miku ynë Pilo ua lexon vjershat  krijueseve të reja, u bën vërejtje dashamirëse për to dhe pastaj ua redakton e i ndihmon që t’i publikojnë në vëllime të veçanta. “Strehë” kryesore e tyre është bërë Shtëpia Botuese “Ada”, në Tiranë.

Këtë tubim përurues e hapi poeti i njohur Pandeli Koçi. Pastaj folën për krijimtarinë e këtyre autorëve: Sejdi Berisha, Murat Gecaj,Prend Buzhala, Bardhyl Xhama e Pilo Zyba. Gjithashtu, u ndoqën me interes nga të pranishmit recitimet e disa poezive të bukura, nga artistët Margarita Xhepa e Agim Xheku, si dhe nga vetë autorët krijues: E.Krasniqi, P.Zyba e B.Venari.

x  x  x

Megjithëse nuk ishin në “listën përuruese” të librave sot, dëshiroj të përgëzoj dhe të uroj edhe disa krijuese dhe botuese të  tjera të reja. Ndër to, janë: Enlelejda Kondi (ma banim në Francë), Shadije Hotnjani (me banim në Gjermani), Anila Dahriu (me banim në Itali); Vojsava Nelo, Alketa Dervishaj e Venka Capa (me banim në Tiranë), Zyrafete Kryeziu-Manaj (me banim në Suedi) e të tjera. Vëreni, se pothuajse të gjithë krijuesit janë femra dhe kjo gjë dëshmon për shpirtin e tyre të butë e të ndjeshëm, që u shpërthen përmes vargjeve të tyre të frymëzuara.

Duke shprehur nderim e respekt për punën dhe përkushtimin e të gjitha këtyre krijueseve, veçanërisht e uroj për librin e parë, autoren Belantina Venari, “Engjëll i thyer”, ku janë 81 poezi. Duke i lexuar ato, vetë lexuesi do të jetë dëshmitar  i talentit të saj. Me këtë  rast, sigurisht, e përgazoj  sinqerisht nga zemra edhe Dëshira Haxhin, për librin e saj të tretë me poezi, “Protuberanzat e shpirtit”.

x   x   x

Tani, unë ju pyes: Po më tej, vallë, ku do ta gjejmë Pilo Zybën? Nuk besoj të jetë “sekret” profesional dhe as të ma marrë ai për të keq, që po u tregoj se pikërisht nesër në mëngjes do të niset nga Tirana, bashkë me kolegë të tjerë dhe do të përfundojë në  qytetin e bukur dhe historik të Pejës.

Atje, në prani të lexuesve e krijuesve të atij qyteti dhe familjarëve të Angjelina Krasniqit-Bardhaj, do të paraqesë libra të tij dhe atë të kësaj poetje, “Tingëllimat e shpirtit”, që e ka së bashku me Pilon dhe të cilin e përuroi sot para kolegëve e lexuesve  kryeqytetas,  e shoqëruar me disa kolegë e miq nga Kosova.

Tiranë, 3 qershor 2012

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch