Home » Opinione » Kushtetuesja ta zhbllokoj bllokadën institucionale!

Kushtetuesja ta zhbllokoj bllokadën institucionale!

Nehat HyseniShkruan: Nehat Hyseni

 

Pritjet tona nga seanca Kushtetuesja janë për zhbllokimin e bllokadës institucionale të Kosovës me pezullimin e Vendimit të saj të përkohshëm, me të cilin e vendosë gjendjen “zero” dhe pezullimin e zgjedhjes së Isa Mustafës kryetar dhe dy nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.

Andaj, ashtu si shumica e qytetarëve të Kosovës, edhe unë me shumë interesim e përcolla sot, më 21 gusht, seancën  dëgjimore të Kushtetueses lidhur  me kërkesën e PDK-së për anulimin e mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovë të 17 korrikut 2014, si dhe kërkesën e koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosja, për anulimin e kërkesës së PDK-së.

Kjo seancë dëgjimore ishte organizuar mirë dhe ishte efikase në procedim dhe zgjati shkurt, gjithsej një orë e njëzet minuta.

 

Paraqitja e argumentave nga ana e përfaqësuesit të PDK-së nga deputeti Arsim Bajrami, edhepse ai është profesor universitar i shkencave juridike, që ka për detyrë qê t’ua mësoj parimet themelore të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë dhe të demokracisë parlamentare  të Republikës së Kosovës studentëve, juristëve të ardhshëm. Megjithatë ishte e zbehtë, madje kontradiktor.

Në mungesë të dëshmimit të kapaciteteve të tia juridike nga lëmi i njohjes së Kushtetutës, edhepse ka qenë pjesëmarrës aktiv në hartimin e saj, apo për shkak të detyrimit për mbrojtjen e interesave partiake, ai në vend që të paraqitej si një ekspert juridik, gjatë seancës dëgjimore, ai iu qas paraqitjes së argumenteve me gjuhë politike, në vend të argumentave juridikë e Kushtetues, për anulimin e mbledhjes konstituive të 17 korrikut.

Z. Bajrami nuk mundi ta dalloj qartë mbrojtjen kauzës dhe interesave të PDK-së pranë Kushtetueses, meqë qasja e tij politike problemit i ngjante më tepër diskutimit politik në Parlament, e më pak ballafaqimit në Gjykatë.

 

Për këtë arsye edhe kryetari i Kushtetueses, z. Enver Hasani intervenoi duke sugjeruar që “të flitet me një fjalor juridik, kushtetues e jo politik”.

 

Deputeti Bajrami pretendonte në dëgjueshmëri të verbër të deputetëve ndaj partisë, duke ngatërruar fare konceptet dhe nocionet elementare të demokracisë parlamentare, duke insistuar se, meqë sistemi i ynë zgjedhor është parlamentar, atëherë mandatet i takojnë partisë, duke aluduar në PDK-në dhe duke hedhur poshtë kushtetutshmërinë e Koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma.

Ngatërrimi i nocionit elementar të të kuptuarit të termit “shumicë” në parlament me përpjekjet e tia qesharake për ta relativizuar dominimin e shumicës së rivalëve të PDK-së, me kalkulimin diletantesk se kinse nuk e paskan të qartë se për cilën shumicë është fjala, për shumicën relative, që e ka fituar PDK me 30%, ose 37 deputetë, që i bie më pak se 1/3 nga 120 deputetë që ja Kuvendi i Kosovës, apo është fjala për “shumicën absolute”, dmth për mbi 50% ose 61 deputetë, apo për shumicën e”kualifikuar” dmth 2/3 ose 81 deputetë?!

Ndërkaq, deputetja Vjosa Osmani nga LDK paraqiti një mbrojtje të mirëpërgatitur, me një qasje me fjalor korrekt juridik e kushtetues, duke i shtruar problemet në mënyrë brilante dhe duke arsyetuar qartë gabimet dhe arsyet se pse duhej hedhur poshtë kërkesa e PDK-së për anulimin e mbledhjes konstituive të 17 korrikut, duke e demaskuar atë si pretendim jokushtetues të PDK-së për anulimin e zgjedhjes së Isa Mystafës kryetar dhe dy nënkryetarëve të Kuvendit.

Por, edhe zonjës Osmani i shpëtoi nga goja një gaf profesional, meqë Gjykatën Kyshtetuese e numëroi si pjesë të pushtetit gjyqësor, duke aluduar se nuk duhet të ndërhyj në pushtetin legjislativ!

Sepse, Kushtetuesja nuk është pjesë e asnjë pushteti tek ne, pra as e pushtetit gjyqësor.

Argumentat që i paraqiti z. Osmani  mendoj  se janë të mjaftueshme që Kushtetuesja ta hedhë poshtë kërkesën e PDK-së për anulimin e mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës të 17 korrikut.

 

Edhe zonja Albulena Baxhiu, delutete e VV paraqiti argumente shtesë në favor të Koalucionit paszgjedhor.

Gjithashtu edhe Ardian Gjini me pyetjet e shtruara, me fjalor të thjeshtë e të kuptueshëm sqaroi dhe demaskoi pretendimet e PDK-së dhe deputetit Arsim Bajrami.

 

Si përfundim, mendoj se dëmi më i madh që i është bërë Koalicionit LDK-AAK-Nisma dhe Kosovës, tani më ka ndodhur me Vendimin e përkohshëm të Kushtetueses para një muaji, me të cilën u  bllokua dhe u paralizua plotësisht formimi i institucioneve dhe Qeverisë së re. Sepse, me atë vendim, Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës, z. Isa Mustafa u detyruar  që në shenjë respektimi, ta lëshoj zyren e kryetarit dhe

të mos e ushtroj postin.

Kështu u bllokua funksionimi i mëtejmë i Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve, forumeve punuese dhe Qeverisë së re.

Po të ishte e interesuar Kushtetuesja, që disa e quajnë “filial” të PDK-së, për shkak të afrisë së madhe të kryetarit të saj, z. Enver Hasani me këtë parti,që të mos i bllokoj proceset, ajo nuk do ta nxirrte Vendimin e përkohshëm, që ishte famëkeq dhe bllokues, por do të merrte vendim definitiv brenda 3-4 ditësh, e kurrësesi jo të presim kaq gjatë, mbi një muaj të bllokuar për fajin e saj!

Se kjo zhagitje nga Kushtetuesja ishte e panevojëshme dhe e qëllimshme, flet fakti se në ndërkohë z. Hasani shkoi në pushime verore, duke lënë vendin e tij të bllokuar dhe të paralizuar institucionalisht.

Pra, pa diskutim se ky ishte një “shërbim” i Kushtetueses dhe Enver Hasanit  ndaj PDK-së dhe Hashim Thaçit.

 

Tani shtrohet pyetja se çfarë vendimi mund të nxjerrë Kushtetuesja?

 

Përgjigja është se çfarëdo vendimi që të nxjerrë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pas seancës dëgjimore të 21 gushtit 2014, nuk do ta dëmtonte Kosovën më tepër se zhagitja e deritanishme.

Kushtetuesja mund ta zhagisë edhe ndonjë ditë vendimin, duke e shtuar dëmin e bërë deri më tani, por kurrësesi nuk do të mundet që PDK-në  me 1/3, ose me 37 deputetë, ta caktoj edhe për mandatin e tretë, sepse atë mund ta bëjnë vetëm deputetët dhe koalicioni  LDK-AAK-Nisma  me (pa) Lëvizjen Vetëvendosje, që i kanë 83 deputetë ose mbi 2/3 e deputetëve të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, të dalur nga zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014.

 

Urojmë që Kushtetuesja ta nxjerrë sa më parë vendimin definitiv, cilidoqoftë ai, realisht pak rëndësi ka, vetëm e vetëm që të mos e vazhdoj lojën e mëtejme të obstruksioneve kalkulanteske dhe t’i zhbllokojë proceset e formimit dhe funksionimit normal të institucioneve demokratike dhe Qeverisë së re të Kosovës.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress